Një kumt nga Gloria Mindock: dashuria është kënga që vetes ia kemi borxh

Një kumt nga Gloria Mindock: dashuria është kënga që vetes ia kemi borxh

Gloria Mindock është autore e pesë vëllimeve me poezi. Libri i fundit   "I wish Francisco Franco would love me", publikuar më 2018 është prodhim i Nixes Mate books. Mindock është themeluese e shtëpisë botuese Cervená Barva Press dhe një prej redaktorëve amerikanë të revistës Levure Litteraire (Francë). Poete e botuar gjerësisht në SHBA dhe jashtë saj, poezia e Glorias është përkthyer dhe botuar në rumanisht, kroatisht, serbisht, gjuhën malazeze, spanjisht, estonisht dhe frëngjisht. Ndër revistat e shumta letrare përmendim: Gargoyle, Web Del Sol, Poet Lore, Constellations: A Journal of Poetry and fiction, Muddy River Poetry Review, Unlikely Stories dhe Nixes Mate Review. Gloria Mindock është nderuar me çmimet Ibbetson Lifetime Achievement Award dhe The Allen Ginsberg Award for Community Service nga Newton Writing and Publishing Center. Mindock është Poetja Laureate e Somerville, MA në vitet 2017 dhe 2018.

Alegoria e udhës vjen e formësohet në poezinë e Gloria Mindock-ut në dy kahje që duken si të përkundërta në një lexim të parë të tekstit, por në fakt kanë për vendmbërritje të njëjtën Itakë. "Dashuria është kënga që vetes ia kemi borxh - / Ejani të dalim në rrugë dhe rruga do të shpaloset para nesh". Ne njohim rrugët që duhet të ndjekim, ndërsa poetja rrëfen për udhë që duhet të na ndjekin ato ne. Jo qenia që kërkon udhën, por udha që kërkon qenien. Në të dy rastet e përbashkët është rrugëhumbja. Po t’u rreferohemi shkrimeve biblike gjejmë vargun më alegorik të krejt Testamentit te Ri: Jezusi u përgjigj: “Unë jam Udhae Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua” Alegorizohet për udhën që duhet të ndjekim. Rrugën e të vërtetave që na shpie drejt jetës së vërtetë. Jezusi flet për njerëz rrugëhumbur. Poezia e Mindock-ut për udhë që humbasin njerëz. E përbashkët siç edhe e përmendëm më lart është rrugëhumbja. Po kush është shtegdalja nga kjo çoroditje? “Dashuria është kënga që vetes ia kemi borxh”, pergjigjet Mindock. Kërkimi i udhëve që do të ndjekësh apo i udhëve që do të të ndjekin kërkon kthjelltësi dhe durim. Kërkimi i udhëve që do të ndjekësh apo i udhëve që do të të ndjekin kërkon kthjelltesi dhe durim. Një aventurë plot të papritura, ku moskthjelltësia shpie në drejtime absurde dhe mosdurimi ngjz përkushtime të verbëra. Në poezinë “Déjà Vu” poetja merr rol profetik ndërsa shkruan:“A është kjo shenjë që më këshillon të hap dyer/me përkushtim të verbër?”
Dashuria dhe përkushtimi përqafojnë së bashku të vërtetën. Atë të vërtetë që bën apel për realitetin tragjik të botës në ditët e sotme. Luftëra të panevojshme diku larg teje dhe fëmijë të sakatuar që sot janë të tjetrit,  por nesër mund të jenë të tutë, të mitë... Tanët mbi të gjitha!!! Duhet të mësojmë të shohim, këmbëngul poetja dhe paralel me veten të mesojmë fëmijët tanë. Para se të jetë tepër vonë. Para se fëmijët e sotëm, ata të pamësuarit,  të shkaktojnë drama të reja tek fëmijët e së nesërmes.“Një  zbrazëti e tillë  do të shkaktojë verbim. A do t’i  mësoni/ata për të shikuar?” Ne të lindurit nga dashuria, ne të pashpirtët që shpikëm luftërat dhe shkatërrimin duhet të jemi mirënjohës që jetojmë në kohën e hirit, ose siç thuhet në Bibel, kohën kur gjërat na dhurohen jo sepse i meritojmë, por sepse Zoti nga dashuria dëshiron të na i falë si shperblesë për shpëtim. If you look (sipas origjinalit, shën i imi ) përkthehet: nëse e kupton kohën e hirit.  Për të mos shkuar drejt shkatërrimit përfundimtar, sepse pikërisht tani për shumë njerëz në botë është tepër vonë. Pra ndiq udhën ose bëhu udhë janë dy kredot kryesore të poezisë së Gloria Mindock-ut.

AVENTURË

Shiu godet tokën
me sa ka fuqi, njom dheun,

e pastron, që ajo të fillojë aventurën e radhës.

Kur shfaqet dielli, thahet gjithçka,

prapë bëhet siç ka qenë –

kjo ndodh pareshtur dhe përherë.

Kështu sillet edhe dashuria. Ditë për ditë dikush

bie në dashuri.

Të mos mashtrohemi nga kjo lumturi...

bota është katastrofë dhe duhet

të luftojmë kundër saj, të mbajmë qëndrim.

Mbijetesa ëmbëlsohet kur ka dhëmbë të përsosur,

Buzagaze, ngjitëse si sëmundjet.

Dashuria i sjell buzagazet, i ndalon vrasjet

që kanë ngujuar tokën.

Ditë për ditë arma i drejtohet dikujt.

Armët zbrazen ditë për ditë.

Ditë për ditë ka shpërthime, therje me thika, valle hanxhari.

Kurrë nuk sosen këto imazhe.

Rreshtat me arkivole nuk kanë fund. Na i shtien të dridhurat.

Dashuria mund të na rilindë, të na dhurojë dhimbje

në bark a në gjoks... të na bëjë mendjelehtë

Dashuria është kënga që vetes ia kemi borxh –

Ejani të dalim në rrugë dhe rruga do të shpaloset para nesh.

Trishtimi na zë ndonjëherë.

Mund të zgjohemi nga ankthi

me sy të hapur, pa derdhur lot, përjetësi...

Psherëtijmë të lehtësuar.

Nuk jemi vetëm. Veç trupin kishim në gjumë.

MOS

Mos më thuaj se shkrimi im është aq i gjallë

Sa të ngjethë mishtë ty që rri në banesën tënde të këndshme,

duke shijuar ditën, duke fjetur si qengj gjithë natën.

Ti mund ta bësh këtë, të tjerët nuk munden.

Shtrirë përdhe mes lëmishteve, pa futur gjumë në sy nga frika,

fshatarët presin vdekjen, mitralozat, thikat, që t’i dëbojnë nga vatrat.

Gratë përdhunohen, u zhvishen rrobat, lihen të japin shpirt në lakuriqësinë e vet.

Mos më pyet pse shkruaj për tmerret e kësaj bote.

Këtë mund ta bëje edhe ti. Por nuk po e bën.

A mund të përfytyrosh se si do të ndiheshe sikur të ta vrisnin

djalin 5 vjeç a më të vogël, sikur të ta rrëmbenin vajzën

a sikur t’ua këputnin këmbët fëmijëve të tu?

Më thuaj se ku shkojnë këta njerëz për të kërkuar ndihmë.

Ti e di ku shkon.

Mos më kërko të heq dorë nga të folurit për mizoritë.

Ndoshta një ditë do të më sjellësh ndërmend,

ndoshta një ditë do ta humbësh “mbretërinë” tënde të rehatisë.

Nuk kam asnjë urim për ty. Janë rrëzuar të gjitha yjet.

Kape njërin syresh buzë rrugës dhe merru me diçka.

DÉJÀ VU

Në një shfaqje televizive pashë ndërtesën që pata dashuruar teksa

po shkonte në Vatikan.

A është kjo shenjë që më këshillon të hap dyer

me përkushtim të verbër? Por për

çfarë? Për ngjyrën e ndërtesës,

për vjetërsinë, përkanatat?

Për se si duket nga brenda?

A është e bukur apo e shëmtuar si disa nga uniformat

që vishja kur isha e vogël.

Pse dua të kthehem dhe të trokas në derë?

A do të më lejojë ndokush të shikoj zemrën time vjedhurazi?

ALPET

Nga dritarja e avionit sodit bukurinë.

Alpet vallëzojnë pa më humbur nga sytë.

Këto male janë aq të fuqishme

Sa këtë botë mund ta bëjnë zap, qeleshet prej bore, blindat e tyre.

Malet lëvizin dhe shtypin të keqen, ëndërr që e di.

Pikturë që dua ta shoh përjetë.

Dua të jetoj mes tyre...

Teksa vështroj me vëmendje, më shfaqet një fytyrë,

Vjen në jetë një çast i shkurtër qartësie.

Zoti i Lum po fluturon në ajër duke zgjatur duart për të kapur avionin.

Kur shihet kjo hijeshi, toka zgjohet nga gjumi.

Shumica në këtë botë janë vonuar aq shumë sa nuk mund ta shohin këtë mrekulli.

MELODI

Për vite të tëra askush nuk arriti të gëzohej.

Bisedat ishin fund e krye pëshpëritje.

Askush nuk arriti të qeshte.

Njerëzit në fshat po vdisnin.

Vetëm ecnin si majmunë, vetëm merrnin frymë...

Një nga një të gjithë u dorëzuan në duart e vdekjeve të tmerrshme.

Trupa që kalben, zogj që u futën në gojë duke u zvarritur – festë.

Çfarë do t’ju tregoni fëmijëve tuaj për këtë botë?

Për vdekjen, për diktatorët mizorë, për zhurmat

e armëve që copëtojnë trupa?

Çfarë do t’ju tregoni atyre për thikat që presin fyte

Dhe hanxharët që këputin gjymtyrë?

Fëmijët do të qajnë, ju e dini.

Çfarë do t’ju tregoni fëmijëve për lulet që nuk çelin? Gjaku ka përmbytur tokën.

Çfarë do t’ju tregoni atyre për arkivolet e panumërta dhe mungesën e tokës për varre?

A do të keni nge për të fshirë lotët dhe pafajësinë e tyre,

për t’i mësuar të mos çajnë krye, të mbajnë gojën mbyllur dhe shpirtin të vdekur?

Një zbrazëti e tillë do t’ua lëndojë stomakun dhe ata

do t’i shumëfishojnë ulërimat...

Një zbrazëti e tillë do t’i detyrojnë fjalët të heshtin.

Një zbrazëti e tillë do të shkaktojë verbim. A do t’i mësoni

ata për të shikuar?

A do ta vrisni mendjen për çfarë t’u tregoni, apo jo? A do t’ua thoni të vërtetën?

Mbi të gjitha, a do t’i mësoni të këndojnë? Duke lënë melodi të bukura

të pushtojnë tokën me hare.

Po të dëgjoni me vëmendje... në heshtje, edhe ju do t’i dëgjoni.

Shqipëroi: Ukë ZENEL Buçpapaj

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet