Një lajm i keq për Berishën e Bashën dhe dy lajme të mira për PD

Një lajm i keq për Berishën e Bashën dhe dy lajme të mira për PD

Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Genc Ruli

Hije trishtimi dhe pes imizmi e mbështollën sërish PD-në dhe fatin e saj…

Situata përmblidhet qartë dhe shkurt te fraza monumentale e Arjan Canit se “PD-ja është në pikën e saj më të ulët, por situata mund të bëhet edhe më keq”. Dhe natyrisht pesimizmi është i kuptueshëm. Basha rizgjidhet me 80% të votave pas humbjes së radhës në një proces, që me të drejtë Nishani e quajti “maskaradë zgjedhore”. Ndërkohë, Berisha lëshon deklaratën regresive se mund të kthehet në krye të PD-së, ndërkohë që është në listën e zezë të SHBA-ve.

E megjithatë, pa dashur të ofendoj pesimizmin e Canit dhe analistëve që me të drejtë u dhëmb opozita, përqendrimi tek e shkuara (Basha dhe Berisha) injoron dy fenomene tejet pozitive që 13 qershori prodhoi për të ardhmen e PD-së. Së pari, kandidatët njohën rezultatin e garës dhe nuk do të largohen nga partia. Së dyti, njëri prej kandidatëve, Agron Shehaj, arriti një rezultat impresionues duke marrë mbi 6 mijë vota.

Fakti që kandidatët humbës e njohën rezultatin dhe do vazhdojnë të militojnë brenda PD-së, pavarësisht një procesi zgjedhor tejet të shëmtuar, është një risi pozitive. PDja historikisht ka vuajtur nga largimi i disidencës së brendshme. Kjo ka ndodhur qoftë si pasojë e presionit berishist që shpallte armiq të gjithë ata që nuk ishin dakord me kryetarin (mocionistët e vitit 1992), qoftë si pasojë e mungesës së përvojës politike dhe e padurueshmërisë së disidentëve, apo e idesë se opozita mund të fitohej nga jashtë me ndihmën e ndërkombëtarëve (PDR-ja e Pollos).

Kjo rrjedhje e mendimit ndryshe jo vetëm e varfëroi PD-në, por edhe lehtësoi kontrollin e saj total nga Berisha. Një nga pasojat më problematike të këtij fenomeni ishte eliminimi i lidershipit alternativ. Në një parti ku të gjithë bëheshin berishist, rigjenerimi i lidershipit bëhej i pamundur.

Gara e fundit brenda PD-së për herë të parë ka prodhuar lidershipin alternativ brenda partisë. Dhe ky është lajmi i dytë i mirë që po injorohet nga mediat, që në fakt kanë meritë në këtë proces, sepse e kanë promovuar këtë lidership.

Agron Shehaj mori më shumë se 6 mijë vota. Një rezultat impresionues nga një kandidat që nuk është zar i Berishës, që bëri vetëm 2 javë fushatë dhe u përball jo vetëm me kryetarin në detyrë, por edhe me listat e Jeminit.

Ndaj lajmi kryesor i zgjedhjeve të 13 qershorit në PD-në nuk është rizgjedhja e Bashës por rezultati i Agron Shehaj dhe fakti që ai do vazhdojë të militojë brenda PD-së. Ai tashmë përbën një alternativë reale ndaj Bashës, përfaqëson një fraksion të rëndësishëm të mendimit ndryshe që i ka të gjitha shanset të kthehet në shumicë në të ardhmen e afërt, duke e rritur dhe jo rrudhur anëtarësinë e PD-së.

Nëse lidershipi i fortë i Berishës u merrte frymën fraksioneve, dobësia e Bashës dhe koleksioni i tij në rritje i humbjeve elektorale e bën të vështirë eliminimin e tyre dhe të lidershipit alternativ brenda PD-së. Ndaj, qoftë Shehaj, qoftë Kadilli, sidomos nëse bashkohen, mund të krijojnë një grupim të fuqishëm që do ta sjellë PD-në në epokën e saj postberishiste.

Natyrisht, ekziston mundësia që Basha të marrë stafetën anti apo post-Berisha. Analistë si Mero Baze, që e njohin mjaft më mirë se unë PD-në, argumentojnë që në shtator ka shumë mundësi që Basha të prishet me Berishën. Me shumë gjasa, Baze ka të drejtë, pasi Berisha do bëhet një peshë gjithnjë e më e papërballueshme për PD-në.

E megjithatë, mendoj se do jetë e pamundur për Bashën të humbasë mbështetjen e Berishës dhe të mbajë PD-në. E vetmja arsye se përse ai rizgjidhet në krye të PD-së është sepse ka pasur ose mbështetjen ose moskundërshtimin e Berishës. Përndryshe anëtarët e kësaj partie e dinë shumë mirë që ai nuk i sjell dot në pushtet.

Ndaj në momentin që ai humbet mbështetjen e Berishës do ta ketë shumë të vështirë të mbajë partinë. Anëtarët e PD-së mund ta tolerojnë braktisjen e Berishës vetëm për të ardhur në pushtet. Pra, midis Berishës dhe pushtetit, ata do të zgjidhnin këtë fundit.

Problemi është se anti-Berishizmi do i hiqte Bashës edhe atë pak kredibilitet që i ka mbetur, duke vulosur si brenda edhe jashtë partisë imazhin e tij si politikan pa shtyllë kurrizore. Është po aq e vështirë për Lulzim Bashën të ndahet nga Berisha sot saç ishte për Ramiz Alinë dje të ndahej nga Enveri.

Nga ana tjetër, alternativa post-Berisha ekziston tashmë në PD. Në një garë të lirë ku Basha nuk do kishte mbështetjen e Berishës, ai vështirë se do ta fitonte partinë përballë kandidaturave të reja si Agron Shehaj që kanë shumë më shanse ta sjellin PD-në në pushtet duke lënë pas berishizmin.

Sidomos po të kemi parasysh se humbja e Bashës përballë Ramës është pothuajse e garantuar në zgjedhjet lokale të vitit 2023, dhe me probabilitet të lartë edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.

Ndërkohë, narrativa e Agron Shehajt si përfaqësues i një brezi të ri politik, një njeriu energjetik që është bërë me forcat e veta (self-made man), një histori suksesi personal dhe jo privilegjesh familjare, e një ish-të persekutuari e një outsider që s’ka lidhje as me Gërdecin dhe as me 21 janarin, mund ta hedhë në erë narrativën e PS-së si e keqja më e vogël dhe imazhin e lodhur të Ramës në vitin 2025.

Ndaj si për Berishën, ashtu edhe për Bashën, do jetë gjithnjë e më e vështirë të ndalojnë të ardhmen e PD-së. Dhe ky është një lajm i mirë jo vetëm për opozitën, por edhe për Shqipërinë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia