Lorenc Vangjeli: Një lajm i mirë, të gjithë e urrejnë Altin Dumanin!

Lorenc Vangjeli: Një lajm i mirë, të gjithë e urrejnë Altin Dumanin!

Altin Dumani

Altin Dumani, drejtues i SPAK-ut është sot ndoshta njeriu më i urryer në Tiranë. E urrejnë njerëzit e maxhorancës. Mbas dhjetë vjetesh në pushtet, një paradë e palavdishme ministrash dhe ish-ministrash, deputetë apo zyrtarë të lartë, të deformuar nga ngasja e lekut, të trembur nga ajo që kanë bërë, në ankth nga ato që dinë se çfarë kanë bërë, kësaj kategorie individësh i duket se Dumani ju ka mbajtur pishën ndezur mbi gjithë kundërvajtjet penale, ju ka mbajtur shënim çdo flamur të kuq në tenderë, koncesione apo PPP dhe i ngjan se ju njeh dhe planimetrinë e tubave që aspirojnë para të pista. Një pjesë prej tyre, njerëz të vegjël dhe mediokër klasikë, që vetëm vullneti i kryeministrit dhe rrethanat i kanë ngritur aty ku nuk e mendonin as vetë, janë shënjestra e natyrshme e punës së institucionit që po shihet me tmerr në Tiranë.

Viktima të mundshme të gjahtarit ligjor, kjo pjesë urrejtësish, gjykon se urrejtja dhe përçmimi për gjahtarin nëse nuk e shmang, së paku e shtyn në kohë trokitjen në derë.
Altin Dumanin e urren edhe një çetë e hallakatur me ish-qeveritarë dhe gjithë piramida e shkërmoqur në 2013-ën, që la pas edhe varre, edhe llogari bankare me shumë zero. Paratë e paligjshme të asaj kohe, edhe pse tmerrësisht shumë, janë tërësisht të pamjaftueshme për të blerë të shkuarën dhe për të qetësuar ankthin që ajo i sjell përditshmërisë së tyre. Koncesione abuzive, privatizime kriminale, tituj pronësish në bregdet apo qoftë dhe hidrocentrale të shitur në prolog fushatash elektorale, janë më të larta edhe se minaret vetjake për të cilat mungon thesi për t’i fshehur.

Të gjithë së bashku, në maxhorancë apo në opozitë, një pjesë dërmuese e tyre që është sjellë si hajdutët profesionistë që dinë të grabisin, por jo të fshehin, përqeshin hajdutët e vegjël amatorë, por ju kanë fatin zili: së paku ata nuk janë subjekt i SPAK-ut.
I fundit që artikuloi frazat e një urrejtjeje tribale mbi SPAK-un, ishte ai që zakonisht eshte i pari. Sali Berisha shenjoi një tjetër kulm të sulmeve ciklike ndaj shefit të SPAK-ut. Dhe meqënëse në lojën e akuzave ish-kryeministri nuk njeh kufi, ai kaloi çdo kufi duke e konsideruar SPAK-un si “…mburojë e padepërtueshme e… organizatës kriminale që kryesohet nga Rama” dhe vetë Dumanin si komisar nga ata që zgjidhte ish-partia e tij komuniste.

Sondazhe të ndryshme dëshmojnë se edhe publiku është gjithmonë e më i zhgënjyer në pritshmëritë maksimale e naive që ka pasur nga struktura antikorrupsion. Qytetari shqiptar, i paduruar nga natyra dhe i ngutur nga tradita, e lidh suksesin apo dështimin e sëpatës ligjore të zotit Dumani me numrin e zyrtarëve të lartë të goditur. Për një qytetar të thjeshtë nuk ka rëndësi të provuarit e fajësisë së dikujt përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Për të mjafton të shohë sesi disa, me rrogat modeste të shtetit, por me pushtetin e pafundmë që prodhon para, shndërrohen befas në “borgjezë” që demonstrojnë e nuk fshehin luksin vanitoz të paarritshëm për ta. Shumica dërmuese e qytetarëve kërkon ndëshkim e jo drejtësi sepse ka kohë që shprehja se “Këtu lahen të gjitha!”, është kompromentuar në thelbin e saj.

Një shoqëri në depresion që përdor urrejtjen si adrenalinë, që nuk është e ardhur në këto troje, por sheh ikjen si shpëtim, modeste në shifra, por që zgjidhjen e sheh vetëm tek ndarja, e varfër për tmerr nga e shkuara, por që pasurimin me çdo mjet e sheh si qëllim të vetëm, e ka të vështirë të kuptojë mjetet e ndryshme për identifikimin e të keqes që ka drejtësia. Eshtë ky mentalitet që me SPAK-un lidh deri edhe dështimin për të mbyllur vrimën e gardhit që ndan dy vëllezër, çdonjëri prej të cilëve, beson sinqerisht se edhe ky është hesap që duhet të ndajë ky institucion. Dhe kur kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë, të dy “vëllezërit” së bashku, kujtojnë rrogat milionere që paguhen për atë grup prokurorësh. Keqkuptimi gjigant me mënyrën sesi funksion drejtësia, shpjegon edhe mërinë në rritje të tyre me institucionin. Një politikan, një gazetar apo edhe një qytetar i zakonshëm e sheh si pothuaj të njëjtën gjë dyshimin e krijuar me fajësinë e provuar. Për të, çdo dorë që hedh firma për para publike është kriminale dhe çdo qindarkë e fituar e ka hilen në të njëjtin vend ku dardhat kanë bishtin. Drejtësia vepron ndryshe dhe me mjete shumë më të kufizuara. Për të, dyshimi është në favor të të dyshuarit dhe si rregull, fajësia duhet provuar dhe jo hamendësuar. Ky është kufiri që me gjasa do të shkelet “nga pak e me lezet” në Tiranën e përfshirë tashmë nga histeria e populizmit juridik dhe marria e jurisprudencës popullore që jep vendime Facebook-u, shpall fajësi Instagrami dhe premton ndeshje Podkast-i.

Mbi këtë klimë urrejtjeje publike, ngrihet edhe legjenda urbane sipas të cilës, Rama “që i ka kapur të gjitha”, kontrollon edhe “komisarin” e tij. Në fakt, askush nga kritikët e tij nuk i ka bërë kompliment më të madh pushtetit të kryeministrit se ai që i njeh pushtet e kontroll edhe mbi SPAK-un. Bashkëpunëtorët e tij kurrë nuk kanë dashur gjë tjetër më shumë sesa vërtetësinë e kësaj hipoteze. Edhe pse shumë nga ta kanë provuar keqazi mërinë e shefit të tyre të madh, ata pranojnë më mirë t’i kapë ai me duar tek veshi sesa t’u trokasë dora e ligjit në derë. Vetë Rama ndoshta do ta donte një gjë të tillë edhe me kushtin që të detyrohej të binte në gjunjë në zyrën e tij dhe me duart lart të lutej: Allah, Allah, bëj që makthi i tyre të jetë i vërtetë, o Zot!

Eshtë naive të besohet në forcën hyjnore te nje institucioni të vetëm. Eshtë shprehje monumentale e pafuqisë dhe dehjes kolektive që gjykon se drejtësia në një vend ku të gjithë besojnë se janë më të ndershëm se Solomoni, mund të ndryshojë ngjyrën e qeverisjes. Ajo mund ta qortojë dhe ta ekuilibrojë atë, mund të ndëshkojë, por e ka të pamundur të japë drejtësinë e kulluar në një haur të bërë kapicë në tre dekada pandëshkueshmëri.
Vetë Altin Dumani është një krijesë atipike e tranzicionit shqiptar. Pa miq të cilëve ju detyrohet, spartan në stilin e jetës që e le pa borxhe për të larë dhe i burgosur brenda zyrës së tij bunker, me të gjitha gjasat nesër do të jetë një personazh edhe shume me i lakuar në Tiranë. Sërish i urryer, por target i dashurisë së pamundur “të viktimave” të tij. Mbetet vetëm të pritet. Shfaqja është e garantuar!

A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Roni: 05/04/2023 02:36

    Ka qene nje student i shkelqyer dhe i pakorruptueshem. SI i ngjiti shkallet e drejtesise, kjo eshte pak e paferikueshme, por pune shqiptaresh. Rrogen e ka te mire, sigurine e ka te mire, vetem per ate dhe familjen e tij, taksapaguesi shqiptar i duhet te nxjerri pothuajse 8-9 mije € ne muaj. SHpresoj qe t'i permbushi kerkesat per nje drejtesi te shpejte dhe pa shtremerime. kohe nuk ka, vetem tre vjete. Paraardhesi u pa qe s'kishte këllçe, u tremb e u lemerit nga banditizmi politik shqiptar. Pasardhesi, s'i dihet se si vjen koha. Ndoshta gejn ne burg Ahmetajn, Meta-j, apo Kokemadhe seksi te parlamentit.

    Përgjigju
  • Loni: 04/04/2023 22:04

    E urrejne??? Cfare thua more. Epo ci mendon zotrote, nuk duket sikur asaj parades se ministrave i mungon mendja, truri, ose "kreu", "organizatori" "porositesi" pra Edi Rama!!! Se sa spartan, po e shohim me punen e McGonigal dhe Ineciatoreve, me zhvatjen publike te Durresit apo minimin e demokracise, intimidimit patronazhist dhe abuzimit kriminal krimjnal te te bazave shteterore te te dhenave apo tritolin mediatik! Ca spartani!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Gonzato mesazh medias: Informoni bazuar mbi fakte e të vërteta! BE-në e keni në krah

Gonzato mesazh medias: Informoni bazuar mbi fakte e të vërteta! BE-në e keni në krah