Mesazhi i një prej anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e etiketonte “maloke” drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, për shkak të origjinës së saj nga Tropoja nuk u prit mirë nga opinioni publik.

Pas reagimit në rrjetet sociale të figurave të njohura, këtë të premte shumë qytetarë dolën një tubim para godinës së KPK-së tek Rruga e Kavajës. Veriorë e jugorë, të gjithë bashkë, e konsideruan fyerje. Ndër to ishte edhe aktori i njohur Mehdi Malkaj.

“Unë jam malok, por unë kam edhe miq malok këtu. Nuk qëndron problemi se u grindën dy zyrtarë, por po bëhet një luftë e madhe për very-jug. për të përçarë atë që quhet Shqipëri. Unë e dua shumë Shkodrën, e dua shumë Dibrën kam qenë më shfaqje, e dua vendin tim, por përse e shëmtojnë njerëzit. Kush e ka shpikur veri-jug këtu tek ne?" tha aktori Malkaj.

Për rreth 60 minuta protesta u mbikëqyr nga policët e Tiranës, por nuk u shënua asnjë incident

Debati mbi ndarjet krahinore mori rrugë në një prej seancave të Elisabeta Imerajt në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Kryeprokurorja Imeraj citoi një mesazh që sipas saj anëtarja e KPK, Genta Bungo e kishte cilësuar atë maloke.

“Zonja Genta Bungo ka një paragjykim të tmerrshëm për subjektin e rivlerësimit. Ça të duhet, ajo qeshi ça të duhet, një maloke më pak? Pupupupu! Unë u largova se ajo ishte eprorja ime”, tha Imeraj.

Elisabeta Imeraj kaloi me sukses në shkallën e parë të vetting-ut, ndërsa këto kohë po përballet me Apelin. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Institucioni i Komisionerit Publik kërkon shkarkimin e saj nga detyra, por kryeprokurorja ka ngritur akuza për falsifikim dokumente nga Teo Jackobs.