Një mobilizim i dytë? Rusia ka problem me ushtarët në Ukrainë

Një mobilizim i dytë? Rusia ka problem me ushtarët në Ukrainë

Tanke me simbolin Z - simbolin e pushtimit rus të Ukrainës - në rajonin ukrainas të Ukrainës. Mars, 2022

Një grup i grave të veshura me pallto dimërore u mblodh jashtë një ndërtese komunale në qytetin veriperëndimor rus, Çerepovets, muajin e kaluar.

Në një video që u publikua në rrjetin social rus, VK, një grua lexonte me zë të lartë një thirrje drejtuar presidentit rus, Vladimir Putin, teksa ankohej se burrave të tyre u janë lëshuar “urdhra të paligjshëm”.

Të tjerat qëndronin duke mbajtur pankarta ku shkruhej: “Ne kërkojmë çmobilizim” dhe “Sillni burrat tanë në shtëpi”.

“Ndihmoni burrat tanë, ju lutemi”, thërrisnin ato.

Apeli i grave u nxit nga gjendja e vështirë e burrave të tyre, të dislokuar për të luftuar në Ukrainë, me Regjimentin 347 të Këmbësorisë së Motorizuar ruse.

Në këtë njësi shërbeu edhe Dmitry Yashnikov, nga shtatori i vitit 2022 e derisa u plagos rëndë rreth tre muaj më parë.

“Askush nuk është i etur për të luftuar. Të gjithë duan të shkojnë në shtëpi”, tha 41-vjeçari në një intervistë për ueb-faqen North.Realities të Radios Evropa e Lirë.

“Kemi një vit që jemi mbërthyer në këtë rrëmujë. Të gjithë janë të lodhur dhe duan t’i kthehen jetës paqësore”, u shpreh ai.

Mospajtimet - edhe pse jo të përhapura shumë - po shkaktojnë kokëdhimbje politike, pasi ka zëra se ushtria ruse ka mungesë personeli në Ukrainë.

Urdhri për mobilizim ushtarak i presidentit rus, Vladimir Putin, i dhënë 14 muaj më parë, dërgoi dhjetëra mijëra burra në vijat e frontit në Ukrainë.

Por, gjakderdhja vazhdon, dhe sa më gjatë që të vazhdojë, aq më shumë burra do të nevojiten.

Dhe, sa më shumë burra që nevojiten, aq më shumë ka gjasa që të ketë një mobilizim të dytë - gjë të cilën Kremlini dëshiron ta shmangë katër muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, në të cilat pritet të garojë edhe Putini.

“Kremlini ende përpiqet të ‘blejë gjak’ në vend të mobilizimit”, thotë Pavel Luzin, ekspert për ushtrinë ruse dhe studiues në Shkollën e Drejtësisë dhe Diplomacisë Fletcher në Universitetin Tufts.

“Është e qartë nga veprimet e tij se Kremlini preferon të ofrojë shuma të mëdha parash për vullnetarët, të zbrazë sistemin rus të burgjeve, restorantet ose subjektet tjera për të mbledhur ushtarë, në vend se të shpallë një rund të ri mobilizimi”, thotë Dara Massicot, hulumtuese e ushtrisë ruse në Institutin Carnegie Endowment.

Gjakderdhja si për Rusinë, ashtu edhe për Ukrainën nuk ka fund. Që nga shkurti i vitit 2022, numri i viktimave ruse - të vrarë dhe të plagosur - ka arritur në rreth 302.000, sipas zyrtarëve britanikë.

Sipas zyrtarëve amerikanë, viktimat ukrainase kanë arritur në rreth 180.000 deri në verë.

Atëherë, si mund të përfshihen më shumë burra rusë në luftë pa shpallur një mobilizim të ri ushtarak?

“Jam shumë i sigurt se [Putini] e njeh situatën mjaft mirë dhe është alarmante kur bëhet fjalë për personelin ushtarak në Ukrainë”, thotë Pentti Forsstrom, nënkolonel i pensionuar i Ushtrisë së Finlandës dhe profesor në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Helsinki.

Në shtator të vitit 2022, pas indikacioneve se Ukraina po shkaktonte humbje më të mëdha seç kishin parashikuar komandantët rusë, Kremlini urdhëroi mobilizim ushtarak, duke thirrur rreth 300.000 rezervistë dhe burra të tjerë të kualifikuar, të njohur joformalisht si “mobiki”.

Në përgjithësi, procesi i mobilizimit ishte kaotik. Për një pjesë të gjerë të shoqërisë ruse ishte gjithashtu tronditës. Me rregullat e mobilizimit, të gjithë burrat nga 18 deri në 27 vjeç janë të detyruar të shërbejnë një vit në forcat e armatosura.

Rekrutuesit kanë bërë përpjekje t’i modernizojnë sistemet kompjuterike për t’i gjurmuar burrat që kualifikohen për shërbim ushtarak. Ligjvënësit, në anën tjetër, kanë ngritur një bazë të të dhënave digjitale për t’ua lehtësuar punën si rekrutuesve, ashtu edhe atyre që kualifikohen për mobilizim.

Sistemi mbështetet në një portal ekzistues qeveritar - i quajtur Gosuslugi - të cilin rusët e përdorin për të paguar taksa, për të aplikuar për përfitime pensioni e të tjera.

Sipas një ligji të miratuar në fillim të këtij viti, një person mund të penalizohet për shpërfilljen e njoftimeve, pavarësisht nëse e përdor ose jo Gosuslugin.

Dënimet përfshijnë ndalimin e daljes nga vendi, ndalimin e drejtimit të automjetit e të ngjashme. Sipas ligjit aktual, rekrutët nuk lejohen të shërbejnë jashtë kufijve të Rusisë, as nuk lejohen të shërbejnë në luftime.

Por, planifikuesit ushtarakë kanë bërë përpjekje për të gjetur mënyra të tjera për t’i shfrytëzuar ushtarët e trajnuar. Mes tjerash, i kanë detyruar ata që kanë përfunduar vitin e shërbimit që të nënshkruajnë menjëherë kontrata vullnetare. Këtë e kanë arritur përmes stimujve ekonomikë.

Rekrutët dhe vullnetarët e mobilizuar supozohet se marrin të njëjtat paga dhe përfitime sikurse personeli profesionist i shërbimeve të armatosura. Paga mujore është minimum 195.000 rubla [2.115 dollarë] - gati trefishi i pagës mesatare mujore. Në rajonet më të varfra të Rusisë, kjo është një shumë tërheqëse.

Kremlini ofron, gjithashtu, përfitime të konsiderueshme për të afërmit e ushtarëve të vrarë në aksione: më shumë se 140.000 dollarë.

“Qeveria ruse e ka bërë vrasjen në luftë fat të papritur për familjen e një ushtari”, shkroi në një analizë të vetën Aleksandr Golts, një reporter veteran ushtarak rus, tani me bazë në Suedi.

Se sa burra kanë nënshkruar vullnetarisht kontrata, nuk është e qartë. Në fillim të këtij muaji, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tani zëvendësshef i Këshillit rus të Sigurimit, tha se 410.000 burra janë regjistruar nga janari - një numër ky që, sipas ekspertëve, ka të ngjarë t’i përfshijë të burgosurit dhe punëtorët migrantë të vendeve të tjera.

Planifikuesit ushtarakë kanë përdorur, gjithashtu, zgjatjen e pavullnetshme të kontratave të ushtarëve. Por, zyrtarët përdoren edhe mjete të tjera.

Vitin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë kërkoi nga kompania private mercenare, Wagner - luftëtarët e mirëpaguar të së cilës shiheshin si më kompetentë dhe më të trajnuar - t’i udhëheqë sulmet në disa vende, përfshirë qytetin Bahmut të rajonit Donjeck.

Përveç luftëtarëve kompetentë, themeluesit të Wagnerit, të ndjerit Yevgeny Prigozhin, iu dha po ashtu drita jeshile për të rekrutuar mijëra të burgosur.

Pas vdekjes së Prigozhinit në gusht, Wagneri u absorbua nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe entitetet tjera paraushtarake, si Garda Kombëtare ose milicia çeçene e njohur si Akhmat.

Planifikuesit ushtarakë kanë rekrutuar ushtarë edhe përmes njësive të tjera vullnetare joformale - njëra e njohur me akronimin rus BARS dhe tjetra e quajtur Redut.

Këto njësi janë, gjithashtu, grupe mercenare private - në dukje si Wagneri i dikurshëm, por më të vogla, më të ndryshme dhe me burime të ndryshme financimi.

Autoritetet, në anën tjetër, kanë rritur zemërimin e grave dhe nënave të ushtarëve, duke mos i zëvendësuar ushtarët e lodhur me të rinj.

Në fillim të shtatorit, një kanal në Telegram me rreth 400 abonentë, i quajtur Rruga e Kthimit, publikoi udhëzime për njerëzit që t’u shkruanin politikanëve për t’iu kërkuar rotacionin e djemve ose burrave të tyre.

Kanali, ndërkohë, është bërë edhe më i popullarizuar. Më 12 nëntor, ai publikoi një manifest, i cili bën thirrje për “çmobilizim të plotë, stabilitet politik dhe jetë të denjë për çdo qytetar të Rusisë”.

Është e paqartë se kush qëndron pas kanalit; organizatorët nuk mund të kontaktoheshin për koment. Por, nga ajo kohë, kanë nisur të shfaqen protesta dhe thirrje publike, të ngjashme me ato në Çerepovets.

Në fillim të këtij muaji në Moskë, autoritetet refuzuan një leje për demonstratë publike. Si kundërpërgjigje, dhjetëra gra - disa duke mbajtur pankarta që lexonin “Është koha që të mobilizuarit të kthehen në shtëpi” - organizuan një tubim spontan përkrah një demonstrate të autorizuar, të organizuar nga Partia Komuniste. Policia rrethoi grupin pas rreth pesë minutash.

Në qytetin e Siberisë, Krasnojarsk, autoritetet refuzuan një kërkesë të një grupi tjetër për të mbajtur një demonstratë më 11 nëntor, duke përmendur shqetësimet për përhapjen e koronavirusit. Zyrtarët e Shën Petersburgut bllokuan, po ashtu, një demonstratë të kërkuar për datën 26 nëntor.

Mospajtimet kanë të bëjnë kryesisht me kthimin e ushtarëve nga Ukraina. Pak - nëse ndonjë - shprehin kundërshtim të plotë ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Një grua e identifikuar vetëm si Nina postoi një video në kanalin Rruga e Kthimit, ku tha se e mbështet luftën dhe përdori të njëjtin justifikim si Kremlini: Rusia po lufton “fashizmin”.

“Personalisht, nuk jam kundër operacionit ushtarak special. Unë nuk e mbështes idenë për të bërë paqe me fashizmin. Por, është krejtësisht e padrejtë që ata [të rekrutuarit] ta kryejnë detyrën e personelit profesionist ushtarak për të 14-tin muajin me radhë, në mënyrë të pacaktuar dhe të përhershme, njësoj si skllevër”, tha Nina.

Është e qartë se autoritetet po përpiqen që ta parandalojnë shndërrimin e mospajtimeve në diçka më të madhe.

Në Krasnojarsk dhe në një qytet tjetër siberian, Kemerovo, zyrtarët e policisë vizituan disa nga organizatorët e protestave, përpara mitingjeve, duke i kërcënuar me ndëshkime të mundshme.

Në Novosibirsk, zyrtarët mbajtën një takim me dyer të mbyllura me gratë e ushtarëve, duke i paralajmëruar ato që të mos zhvillojnë protesta publike. Mediat shtetërore u lejuan të merrnin pjesë në takim; gazetarët e pavarur jo.

“Qëllimi është që këto familje të ndjehen të frikësuara, të vëzhguara dhe të vetmuara”, thotë Massicot.

Për perspektivën e një mobilizimi të ri, praktikisht, nuk ka pasur asnjë diskutim publik. Shifrat e viktimave ruse nuk diskutohen kurrë në mediat shtetërore. Megjithatë, mundësia ka depërtuar nëpër disa qoshe të shoqërisë.

Një sondazh nga kompania “Russian Field” tregoi se 58 për qind e të anketuarve e kundërshtojnë idenë, ndërsa vetëm 32 për qind e mbështesin. Gjatë sondazhit u anketuan 1.611 rusë me telefon, në javën e fundit të tetorit.

Aktualisht, problemet e Rusisë me ushtarë nënkuptojnë se forcat e saj nuk do të jenë në gjendje të bëjnë lëvizje të rëndësishme në fushën e betejës.

“Ata nuk kanë ushtarë për të kryer ndonjë lloj operacioni të madh sulmues. Vetëm gjëra të vogla... vetëm për të mbajtur kontaktin me ukrainasit”, thotë analist finlandez, Forsstrom.

Duke pasur parasysh jopopullaritetin e mobilizimit të ri, Kremlini pritet ta shmangë atë deri në zgjedhjet e marsit. Pas kësaj, shanset për një mobilizim të dytë mund të rriten dukshëm.

“Do të vijë vala e dytë e mobilizimit”, parashikon Forsstrom. “Do të vijë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale, para verës”, sipas tij./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja