Data shënon 14 maj dhe pas një muaji në Gjermani do fillojë Europiani 2024, me Shqipërinë që është pjesë e Grupit B, së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

UEFA ka kujtuar se për një muaj nisin "ethet" e trofeut më të rëndësishëm në Kontinentin e Vjetër. Tanimë e gjithë vëmendja është te Kombëtarja kuqezi dhe trajneri Sylvinho.

Brenda muajit pritet që FSHF të prezantojë edhe fanellat me të cilat kuqezinjtë do përfaqësohen në Gjermani, ndërsa vëmendja më e madhe është te grupi i lojtarëve që Sylvinho do ketë me vete në Euro 2024, me UEFA-n që i lejoi trajnerët të kenë 26 lojtarë me vete.

Më 3 dhe 7 qershor Shqipëria luan dy testet gjenerale miqësore kundër Lihtenshtajnit dhe Azerbajxhanit në Hungari, para nisjen për në Dortmund, bazën ku do qëndrojë për aventurën evropiane.