Prej 10 vitesh, Arbiona Demiri ka zgjedhur një formë unike të të bërit art. Jo vetëm pikturon, por u jep shkëlqim pikturave duke qëndisur mbi to gurë kristali.
“Më kanë pëlqyer gurët me shkëlqimin, me rrezatimin e tyre. Unë jam rritur në Shkodër, aty mamaja ime punonte në Ndërmarrjen Artistike dhe unë luaja me gurët. Kam pasur tendencën t’i ndryshoja gjithmonë gjërat, i doja t’i kisha unike. Kam studiuar Anglisht dhe Psikologji, të dyja degët më kanë pëlqyer shumë, por nuk i kam ushtruar. Kam 10 vite që merrem me pikturat, një pasion shumë i vjetër dhe nuk më ka ndryshuar asnjëherë.
Është një botë totalisht ndrtyshe për mua, përhumbem kur punoj, nuk kam asgjë në mendje kur bëj pikturat. Janë relaksi i shpirtit tim!”, tregon Arba për emisionin “Një nga ne”.
Prej vitesh e ka jetën e ndarë midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Pikturat e saj janë mirëpritur dhe kanë udhëtuar në vende të ndryshme të botës, çka e ka shtyrë Arbionën të rikthehet në vendlindje.
“Shqiponjat janë porositur shumë. Kam çuar piktura në Amerikë, Kanada, Suedi, Belgjikë, Greqi, Gjermani. Ka pasur ditë që kam punuar 12-13 orë sepse kam dashur ta përfundoj sa më shpejt ose kam qenë shumë e frymëzuar për ta mbaruar.
Në kokën time kam shumë plane. Kam një projekt të madh që dua ta realizoj. Po punoj që të më bëhen shumë piktura dhe të bëj një ekspozitë. Ky është një plan afatgjatë sepse pikturat e mia hanë shumë kohë për t’u bërë. Mund të jetë pas dy vitesh, por ky është plani im parësor.”, tregon ndër të tjera.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente












