Me 35 vite përvojë në industrinë e modës, Kozeta Halili punon çdo ditë me pasion, për t’iu  përgjigjur kërkesave të klientëve. Pjesëmarrëse në sfilata, projekte dhe panaire, por misioni i saj kryesor mbetet ruajtja e traditës. Që prej vitit 2010, merret me riprodhimin e kostumeve popullore shqiptare.

"Dua që ta transmetoj çdo pikë, çdo punim, çdo aksesor që prek me dorë, tek brezi i ri.", shprehet Kozeta.

"Duhet të luftojmë për brezat e rinj që ta marrin dhe me dëshirën e madhe të punojnë. Punimet artizanale janë në zhdukje, ndaj duhet t'i risjellim në jetë. Në disa shkolla të Vlorës është futur një program, "Edukimi nëpërmjet Kulturës" dhe një orë në fundjavë e bëjnë këtë praktikë të të mësuarit të zejeve dhe unë e shfrytëzoj këtë moment për t'i ndihmuar për të gjitha punimet artizanale. Unë po luftoj që punimet e vjetra t'i risjell në jetë përmes vajzave të mia”, thotë ndër të tjera.

Punimet e saj kanë udhëtuar në mbarë botën si Gjermani, Itali, Greqi e deri në Amerikë, duke i mbajtur gjallë rrënjët shqiptare përmes emigrantëve.

“Zakonisht kam qenë e fokusuar tek pjesa e Jugut, por ne riprodhojmë dhe të trevave të tjera. Gjatë sezonit turistik dhe gjatë eventeve të ndryshme kemi një punë kolosale me dhënien me qera të kostumeve popullore. Qëllimi jonë kryesor është që të lidhemi sa më tepër me Shoqata Emigrantësh që janë në gjithë botën për të bërë sa më tepër shitje për kostumet autentike shqiptare”, shprehet artizania.

Kozeta tregon se artizanët janë specie në zhdukje dhe është mision i përbashkët që t’i rilindim këto vlera tek brezi i ri. Pasioni për artizanatin e ka shtyrë që të ringrihet çdo herë, pavarësisht sfidave të biznesit.

“Padyshim që kam pasur ulje-ngritjet e mia në biznes dhe momente që kam thënë se do ta lë, por jam ngritur. Në çdo tunel, sado i errët të jetë, do ta shohësh një dritë, një vezullim, që do të japë një shkëndijë nga brenda dhe do rilindësh përsëri. Në momentet e mia shumë të vështira unë e kam gjetur rrugën për të ecur përpara. Po të kesh dashurinë për punën, pasionin dhe vizionin e qartë, të gjitha gjërat realizohen”, përfundon rrëfimin e saj.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.