Kujtim Beqja, kreu i Shoqatës së Pëllumbave të Postës 2003, vjen në një rrëfim të veçantë në emisionin "Një nga ne" duke zbuluar në detaje sesi kujdeset për pëllumbat e postës.
Pëllumbat e postës i kanë dhënë kuptim jetës së tij. Kujtim Beqja zgjohet dhe fle me pëllumbat. Ky pasion nisi rreth 61 vite më parë ndërsa në vitin 2003 e zhvendosi fokusin vetëm tek pëllumbat e garave.
“Pëllumba kanë pasur çuni hallës, çunat e xhajës, por ngjitur me dyqanin e babit tim kisha një komshi i cili kishte super pëllumba dhe unë rrija gjithë ditën tek ai. Kam mbi 150 copë postierë. Nisma ishte në Sarandë ku një shok vuri një motor të vogël si çmim në garën me pëllumba. Atëherë fitova dhe pastaj vazhdova me gara brenda dhe jashtë vendit. Ne bëjmë dy sezone garash, tamam siç e bënë Europa; shtator-tetor dhe prill-korrik”, tregon Kujtimi për fillesat e këtij pasioni.
Për të nuk janë thjesht zogj, por ‘sportistë’ që kërkojnë përkushtim dhe dashuri.
“Kryesorja për mua është ta duash dhe ta mirëmbash. Këto duan shumë kujdes. Një zog, nga veza deri sa të fillojë të hajë vetë, i do pa frikë 25 euro. Kur fillon stërvitjen, pëllumbi do ushqim me gramaturë, do vitamina. Është njësoj si të trajnosh një atlet.”, thotë mes të tjerash.
Duket e pabesueshme, por admiruesit e këtij sporti, kanë shpenzuar shifra marramendëse për blerjen e pëllumbave.
“Kam blerë pëllumba 50 euro, zogj të rinj e deri në 7 mijë euro. Kemi shokë të cilët kanë blerë pëllumba 13 mijë euro ndërsa një vlonjat ka blerë mbi 60 mijë euro pëllumba. Këtu është jeta ime, nga një kafaz tek tjetri. Është e vështirë të ndahesh nga një pasion që fëmijë. Ky pasion mua më hiqet deri kur të ndërroj jetë“, thotë Kujtimi ndërsa shton se jeta me pëllumbat e ka ndryshuar si njeri.
“Të bën më të butë, më të dhimbsur, të dashur, të thyeshëm. Tani nuk e ndjej kënaqësinë që fitova garën, kënaqësinë e ndjej kur më vijnë pëllumbat, më grumbullohen, nuk më humbin”, përfundon rrëfimin.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente











