Prej 10 vitesh, Aleks Shtrezi mban gjallë traditën familjare të kultivimit të troftave në fshatin Kovashicë të Bulqizës. Fëmijërinë e kaloi mes ujit të burimit dhe rritjes së troftave, duke ndihmuar të atin dhe xhaxhanë në procese të vogla.

"Në vitin 2003 babai dhe xhaxhai im u kthyen nga emigracioni, nga Greqia, dhe ndërtuan fermën. Kam qenë 5 vjeç kur është bërë kjo fermë dhe jam rritur me këtë punë. Kur të gjithë shokët e mi luanin, unë rrija këtu dhe merresha me pastrimin e vezës dhe fundjavave shkonim për të shpërndarë troftë nëpër rrethe me furgona.

Të krijosh një sipërmarrje nuk është e lehtë sepse ne zgjohemi në mëngjes dhe fillojmë me ushqyerjen e troftës, më pas merremi me pastrimin dhe shpërndarjen në restorante. Më pas merremi me rrjetet sociale, me marketing në Facebook, TikTok, instagram".

Aleksi tregon vizionin që ka për të ardhmen, të cilën do ta ndërtojë në vendlindje.

"Jam një nga ata të rinj që kam zgjedhur të ndërtoj të ardhmen këtu në fshat. Së shpejti do kem dhe një takim me kryeministrin për të parë nga afër punën e ngritur me shumë mund. Projekti jonë i radhës do të jetë një bujtinë që do të mirëpresë turistë vendas dhe të huaj. Vetëm një gjë na mungon, dyqani, që me kismet Zotit do e mundësojmë së shpejti edhe gjithë Tirana do ta ketë troftën tonë aty afër.", shprehet Aleksi.

Ndër të tjera tregon se do të shkojë për trajnim në Danimarkë për të mësuar në detaje rritjen e rasatit dhe sekretet e punës me troftat. Uji është faktor kyç në cilësinë e troftës dhe natyra i ka bekuar në Bulqizë sepse në rezervuar ka ujë të pastër dhe të rrjedhshëm nga burimi.

"Kemi ujin më të mirë në Ballkan", thotë i riu me krenari.

Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.