Për shkodranët, riparimi i këpucëve është alternativa e vetme kur të ardhurat janë të pakta. Dritan Ceni nuk e zgjodhi rastësisht këtë zanat, por e trashëgoi nga i ati. Është këpucari më i ri që ka Shkodra. Rënia e shitjeve të këpucëve artizanale, e detyroi të ndryshonte drejtim, por jo profesion.
“Shumë këpucarë ka Shkodra, të gjithë jemi shok me njeri-tjetrin, shkojmë mirë, po unë kam mbetur më i vogli. Zanatin e ushtroj prej 26 vitesh, pa u shkëputur prej punës. Kam qenë 20 vjeç kur kam filluar. E kam trashëgimi prej babit. Kemi filluar vetëm me këpucë të reja për tregun e brendshëm, nëpër rrethe dhe në Malin e Zi. Më pas prodhimi ra dhe u kthyem me riparime këpucës, çantash etj.
Këshilla që më ka dhënë babi është të mësoj zanatin tamam, të punoj me ndershmëri, të jem korrekt me klientin dhe mos të abuzoj me çmimin. Më mirë pak sesa hiç”, shprehet Dritani.
Vështirësitë ekonomike kanë detyruar njerëzit që të mendojnë dy herë përpara se të blejnë një palë këpucë të reja.
“Është e gjitha tek ekonomia sepse s’kanë lekë të blejnë dhe detyrohen t’i riparojnë këpucët 3-4 herë, s’kanë të ardhura. Moshat e mëdhaja riparojnë më shumë kurse rinia blejnë një palë atlete, i riparojnë njëherë, pastaj i hedhin”, thotë mjeshtri i këpucëve.
Mes mjeteve të vjetra të punës është dhe një furnelë, me të cilën ngroh gomat e më tej vazhdon me ngjitjen e këpucëve. Për aq kohë sa kryen të njëjtin funksion si makineritë, nuk e ka problem t’i qendrojë strikt metodave tradicionale të riparimit.
“Këtu në Shkodër janë të paktë ata që kanë makineritë. Unë e vazhdoj zanatin si ka punuar babi dikur, të njëjtën gjë bëj dhe unë sot. Dikush përdor tharësen e flokëve për ta nxehur gomën, dikush një vegël tjetër, unë kam zgjedhur furnelën. Çmimet nuk i kam ndryshuar. Bëj riparimi 50 lekë-500 lekë. Çdo muaj lëvizin çmimet e materialeve, po më vjen rëndë që t’ia shtrenjtoj tjetrit”, thotë Dritani.
Fitimet nuk janë asnjëherë njësoj në këtë zanat.
“Kur shihet se nuk del leku aty ku duhet, normalisht vras mendjen që të sajoj diçka tjetër. Herë del fitimi mbi mesataren, herë nën mesataren, por deri tani jam i kënaqur me punën që bëj. Kam pasur variante për jashtë me këtë zanat, por nuk kam dashur të iki.”, përfundon Dritani rrëfimin e tij në emisionin “Një nga ne”.
Emisioni “Një nga ne” transmetohet çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.










Komente
Komento