Hulumton në të shkuarën, për të sjellë me mjeshtëri veshjet tradicionale sa më afër origjinales. Prej 6 vitesh, ky është misioni i përditshëm për qendistaren Buqe Muka nga Gjirokastra.
“Me veshjen tradicionale kam që në vitin 2020. Lindi si një dëshirë për të bërë një veshje për vete dhe në atë kohë e kisha parë veshjen si vepër arti. Ishte një botë shumë e bukur. Ne kemi filluar vet duke dashur të sjellim elementë të humbur në punishten tonë.
Përpiqemi të realizojmë veshjen tradicionale sa më origjinale duke lënë mënjanë veshjet kineze apo ato festive. Një cope e kuqe me një shqiponjë nuk mund të quhet veshje tradicionale. Ne kërkojmë nëpër muze, nëpër literatura, janë pafund libra dhe studime që kanë lënë etnografët dhe puna jonë aty fillon.”, thotë qendistarja.
Në punimet e saj respekton detajet dhe teknikat e qëndisjes sipas krahinës dhe periudhës që i përkasin. Së fundmi po krijohet dosja për t’u ruajtur nga UNESCO qendisja me gjymysh, një teknikë që mbahet gjallë vetëm nga Buqja.
“Kohët e fundit po bëj qendisjen me gjymysh në shaminë e kokës në zonën e Zall-Dajtit në Tiranë. Është një porosi e një koleksionisti që po plotëson veshjen e kësaj zone. Maksimumi që mund të punoj është 1 orë e gjysmë në ditë me pauza 3 herë sepse është e lodhshme për shkak të shkëlqimit të fijes.
Erdhën nga ministria për të bërë xhirimet sepse po përgatitet dosja për t’u futur në UNESCO. Në gjithë Shqipërinë ata më gjetën vetëm mua që po e qendisja. Ka artizane të tjera që e njohin si teknikë, e dinë se çfarë është, por nuk e aplikonin.”, shprehet qendistarja.
Nëna e tre fëmijëve e shikon këtë punë jo vetëm si burim të ardhurash, por pjesë të identitetit shqiptar që nuk duhet të humbasë.
“Një model vete dhe një muaj e gjysmë në duar. Deri diku artizani i përshtatet klientit se në fund të fundit do çojë dy lekë në shtëpi kurse ne e kemi shmangur këtë pjesë. Jemi fokusuar vetëm tek punimi autentik. Nëse heq një teknikë, ti ke hequr një element të veshjes tradicionale. Nëse ne e dixhitalizojmë veshjen tradicionale me makinë robot, ne e kemi humbur atë” shprehet Buqja ndërsa shton se do të donte që të ishte njohur më herët me këtë punë.
“U prezantova kur isha 42 vjeç me veshjen tradicionale, por do doja të isha 32 ose 24 sepse syri është më i çlodhur, mendja më e qetë. Ne jemi familjarë, kemi mbingarkesë, por prap nuk më ka penguar që t’i interpretoj në mënyrën e duhur veshjet.”, thotë mes të tjerash.
Klientët kryesor janë emigrantët dhe koleksionistët ndërsa turistët preferojnë elementë të veshjeve për të pasur një kujtim nga Shqipëria.
“Kur erdhi bumi i turistit, ai nuk donte të shikonte ato çfarë kishte parë në vendin e vet, por traditat tona; si kemi ngrënë, si kemi jetuar, pra këto duan të shohin turistët. Një veshje fillon me 750 deri në 1200 euro, por ka veshje që kalojnë dhe 1500 euro për shkak të elementëve dhe proceseve që bëhen të gjitha me dorë. Turistët marrin elementë të veshjeve me vete”, thotë Buqja.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente








