Një opozitë pa Lulzim Bashën

Një opozitë pa Lulzim Bashën

Pas largimit të deputetit Mark Marku është ringjallur edhe njëherë diskutimi mbi problemet e opozitës. Partia Demokratike ka disa muaj që prodhon vetëm lajme largimesh dhe disfatash që prej zgjedhjeve të pahumbshme të 25 Prillit.

Janë prodhuar platforma, manifeste dhe ftesa për zgjidhje, të cilat, në çdo rast, kanë rënë në vesh të shurdhër.

Të gjitha problemet duhen deduktuar në grimcën më të vogël, thoshte Dekardi, që të gjendet një zgjidhje. Të gjitha problemet që kanë dalë në sipërfaqe janë të ndryshme, por kanë të njëjtin faktor të përbashkët dhe ai është vetë Basha.

Deputeti Marku zgjodhi të largohej dhe të mos e hante “barin” që ambasadorja Kim ia la në derë PD-së. Ai e bëri këtë me bindjen se Luli është vegan dhe se ka ngrënë bar gjithë jetën, pasi i tillë është krijuar si qënie politike.

Kushdo që pret nga Basha të tregojë se ka dhëmbë, e ka gabim. Ai është rritur politikisht si Buda në pallatin mbretëror të pushtetit dhe nuk e ka në karakter as luftën për të përkrahur liderin historik Berisha dhe as të distancohet prej tij haptazi. Thjesht Basha nuk është i tillë. Ai zgjedh të zhduket, të mos flasë fare dhe të mos përballet me asnjë problem. Ky tipar është cilësuar si tipari i strucit, nga ish deputeti Veliaj, ndërsa për mua është shenjë e butakeve. Përtej çdo etiketimi me konetacion pezhorativ ndaj tij, sot opozita ndodhet në një krizë të madhe, që i rrezikon edhe vetë ekzistencën.

Sot, shqiptarët vazhdojnë të jenë të varfër dhe të vjedhur, me një mal me probleme nga hegjemonia e pushtetit, arroganca e Ramës dhe keqqeverisja. Sot shqiptarët janë të papërfaqësuar dhe janë të braktisur në fatin e tyre.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike, që prej 25 Prillit, është zhytur më thellë në mëkat, duke u evidentuar çdo ditë dhe më shumë si një forcë që nuk ngjit. Një forcë politike tek e cila nuk mund të kesh më besim. Një parti që nuk ka vend për mendimin ndryshe dhe një parti pa asnjë shans për të ardhur në pushtet. Është kjo ide e cila e lidh sot pashmangshmërit si kusht domosdoshmërie qeverisjen e Ramës me një opozitë të dobët të Lulzim Bashës. Të gjithë e thonë haptazi se Basha po e mban Ramën si kryeministër. Kjo edhe për faktin se opozita është korruptuar, duke braktisur çdo nismë që kishte nisur dhe ka shkatërruar çdo fije shprese për rotacion politik.

Të gjithë demokratët dhe opozitarët që nuk e duan Bashën si alternativë dhe as Ramën si Kryeministër sot janë të shpërndarë, të zhgënjyer dhe të papërfaqësuar. Në Partinë e Lulit ata janë të padëshiruar, ndërsa Ramën e kanë kundërshtar politik.

Lulzim Basha nuk ka asnjë mundësi që të bashkojë të djathtën dhe, për pasojë, asnjë mundësi që të bëhet Kryeminister. Edi Rama, nga ana tjetër, është njeriu më i interesuar që Basha të qëndrojë në krye të PD sepse është e vetmja mënyrë që atij i siguron edhe mandatin e katërt. Kjo nyje, e lidhur me dështime dhe marrëveshje sekrete financiare, e ka dobësuar demokracinë e vendit në nivele alarmante. Sot, Rama është autokrat, pasi ka përballë një lider opozite të paaftë dhe një parti të shpërbërë. Ai bën gjithaçka që deshiron, pasi nuk ka askënd perballë që ta ndalojë.

Qeveria Rama nuk do e mbyllte dot as mandatin e parë nëse në krye të PD-së nuk do të ishte Lulzim Basha. Kjo për faktin se ai arrestoi rreth 30 mijë qytetarë për energjinë elektrike, ndërsa PD dështoi që të pengonte këtë dhunë shtetërore antikushtetuese.

Basha ka kontribuar, në çdo rast, në forcimin e regjimit të Edi Ramës, duke e shpëtuar qeverinë nga çdo skandal që ajo prodhonte. Kjo ka ndodhur duke prodhuar edhe vetë PD më shumë skandale se vetë Qeveria. Këtu kam parasysh protestën e Kukësit, për traun dhe njëkohësisht, zhvedosjen e zyrave të familjarëve të Bashës nga Coin, në drejtim të Sheraton. Kam parasysh Unazën e Re dhe makinën në pronësi të njërit prej investitorëve të asaj rruge ,etj., etj.

Pra, ky model nuk po ngjall besim dhe shpresë tek qytetarët. Basha kurrë nuk u cilësua si forcë morale dhe kurrë nuk do mund të bëhet Kryeministër i Shqipërisë.

Të gjitha këto ngrejnë një pyetje legjitime në sfond: Si do të ishte nje opozitë pa Lulzim Bashën në krye të saj?

A ka opozitar mjaftueshëm në Shqipëri sa për të sjellë rrotacionin politik dhe për të kryer reformat e nevojshme në vend? A mundet të gjendet një lidership frymëzues, i tillë që të permbysë regjimin e korruptuar të Edi Ramës dhe të anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Europian?

Unë besoj se po! Në Shqipëri ka më shumë njerëz që duan ndryshimin, nga sa ka mbështetës të Qeverisë. Nëse këtë fakt e shohim në një ekuacion pa PD, apo me një PD pa Lulzim Bashën, për mua nuk ka shumë rëndësi. Ajo që duhet të ndodhë me urgjencë është bashkimi i së djathtës jashtë parlamentare dhe krijimi i nje fronti të ri dhe të besueshëm qytetar përtej dyshes Rama-Basha!

Vetëm me një lëvizje shoqërore, anti korrupsion dhe pro integrim do të mund të fitonim betejën e madhe për një Shqipëri ndryshe.

Sot, çdo lajm që del nga Partia e Bashës është po kaq insensitiv sa edhe ato që prodhon Qeveria. Opozita aktuale nuk është më as frymë dhe as besim. Nesër pritet të zgjidhet Kryesia e re e PD.

Ky lajm i ri është vazhdimi i modelit të vjetër të funksionimit të kësaj force politike. Nesër votohet ekipi i ri, që tashmë dihet se kush janë dhe ndër ta ke plot nënkontraktor të oligarkëve të Ramës në punët publike. Që nga ato të energjisë elektrike dhe deri tek rrugët etj., etj.

Korruptimi i opozitës është lajmi më i keq për demokracinë. Shembuj të tillë kemi në Turqi, Rusi, Serbi dhe plot vende të pazhvilluara. Është koha të mendojmë seriozisht për fatin dhe të ardhmen e vendit tonë! Të gjithë ata që janë opozitar me qeverinë dhe nuk kanë besim tek Lulzim Basha duhet të kerkojnë me insistim bashkimin e të djathtës qytetare një orë e më parë, për të krijuar një opozitë të vërtetë! Shqiperia ka sot nevojë urgjente të dalë nga gjendja e stabilitetit fallco të ngritur nga marrëveshjet Rama-Basha!

Opozita e vërtetë janë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që nuk heshtin para keqqeverisjes, që nuk korruptohen nga tenderat e saj dhe nuk shesin kauzat publike!

Është detyrë për çdo opozitar të shohë të ardhmen jashtë formacionit korruptiv që ka bllokuar integrimin e vendit tonë!

Sot, nuk ka asnjë kuptim të ketë ndasi ndaj kësaj emergjence kombëtare dhe krize përfaqësimi politik. Të gjitha partitë joparlamentare dhe grupet e interesit, që nuk shohin dhe nuk presin më zgjidhje nga Basha dhe Rama, duhet rigrupohen nën nje logo dhe nën një kauz të përbashkët për të shpëtuar nga ky realitet fiktiv! Domeinin e opozitës në pluralizëm nuk e trashëgon askush, por e meriton ajo ofertë politike që gjen më shumë përkrahje. Është koha të mobilizojmë të rinjtë dhe të rejat e vendit për një ofertë reale qeverisëse jashtë korrupsionit dhe pro integrimit!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 30/08/2021 02:59

    Shkrim maloki

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë