Tirana po përballet me probleme me energjinë elektrike që prej orës 21:00 të mbrëmjes. Një pjesë e madhe e kryeqytetit kanë mbetur pa drita për shkak të një defekti në linjën e OST. Problemet me energjinë elektrike prekën edhe një pavion të QSUT-së, ku dritat u ndërprenë për disa minuta por aktualisht janë rikthyer. Në këtë pavion ndodhet Reanimacioni Qendror, Imazheria dhe Spitali Ditor.
Pa drita janë disa prej lagjeve më kryesore në kryeqytet Ali Demi, Fresku, ish-Uzina Autotraktorëve, Brryli, Astiri dhe Yzberishti.
Sipas një njoftimi nga OSHEE, është shfaqur avari në linjën 110kV të OST që furnizon me energji disa nënstacione. OSHEE sqaron se po bashkëvepron me stafet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, për zgjidhje të problemit.
"Është shfaqur avari në linjën 110kV të OST që furnizon me energji disa nënstacione, kryesisht zona rreth Ali Demit, Fresku, ish-Uzina Autotraktorëve, Brryli, etj. Po bashkëveprojmë me stafet e OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit), për zgjidhje të problemit. Ndërkohë OSSH është duke furnizuar nga linja të dyta institucionet e rëndësishme dhe zona të caktuara, përmes skemës unazë.", thuhet në njoftimin e OSHEE.
Ndërprerja e energjisë elektrike 'preku' edhe ndeshjen Dinamo-Vllaznia. Pjesa e dytë e ndeshjes nisi me 40 minuta vonesë në "Air Albania".
Lajmi në përditësim...

Kreu i ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj ka reaguar pasi ndërprerja e energjisë elektrike në disa zona të Tiranës, ka prekur edhe një repart në QSUT.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lapaj e cilëson shokues faktin që të mbetet pa energji elektrike një repart, ku janë pavione të tëra që kanë reaminacion.
Sipas Lapajt, janë dhënë miliona euro për konçensione, por nuk ka drita në spitalin kryesor të vendit.
“QSUT është spitali qendror i vendit. Aty kryhen ndërhyrjet mjekësore më të vështira në vend. Janë pavione të tëra që kanë reanimacion. Është thjesht shokuese se si mund të ikin dritat aty! Nuk ka fare rëndësi arsyeja përse nuk ka drita, dritat aty thjesht nuk mund të mungojnë. Spitali si ai kanë linja të dyfishta, gjenerator e me radhë. Thjesht nuk mund të fiken dritat aty! Është fatale!
8 milion euro në vit për konçesionin e Chek up-it;
100 milion euro për konçesionin e sterilizimit;
Si ka mundësi që ka miliona euro për konçesione, por nuk sigurojmë dot dritat në spitalin kryesor të vendit?”, shkruan Lapaj.
Komente










