Një rrugë në Tiranë merr emrin e ish-kryebashkiakut Tomor Malasi! Veliaj: Simbol i vlerave! U rreshtua në anën e duhur të historisë, jo të partisë

Emri i Tomor Malasit, një prej figurave të spikatura të PD-së pas 90-ës, ish-kryetari i parë i Bashkisë së Tiranës në vitet 1991-’92 dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, është përjetësuar në një rrugë në Tiranë. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë në prani të familjarëve dhe të afërmve të Tomor Malasit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi atë një simbol të ndryshimeve të mëdha të asaj kohe në kryeqytetin shqiptar.

“Në jetën e një qyteti ka njerëz që kthehen në simbol të kohës që përcakton ndryshimet e mëdha të historisë së një vendi. Tomor Malasi e pati këtë fat, të ishte simbol i kohës që po kalonte Shqipëria në fillim vitet ‘90”, tha Veliaj.

Projektimi i Tiranës si metropoli më i madh i Ballkanit, sipas tij, u bë para 30 vitesh nga Tomor Malasi, i cili mundësoi vendosjen në kryeqytet të të gjithë atyre që erdhën nga çdo skaj i Shqipërisë.

“Tomor Malasi ishte njeriu që, opozita e asaj kohe, Partia Demokratike, ia besoi përfaqësimin e Tiranës, kryeqytetit tonë. Tomor Malasi pati fatin të ishte kryetari i Tiranës që shembi murin e lëvizjes së lirë në Shqipëri. Malasi e shembi këtë mur dhe liberalizoi vendosjen në Tiranë të të gjithë atyre që donin të vinin nga çdo skaj i vuajtur dhe tejet i vështirë i Shqipërisë, duke e kthyer atë, pas 30 vitesh, në metropolin më të madh të Ballkanit Perëndimor. Atij i ra fati, Gjithashtu, t’i hapë rrugë Tiranës kozmopolite, multikulturore, që bashkon qytetarin e Tropojës me atë të Tepelenës në një shkallë pallati, dhe që sot ndoshta sheh me shpoti ata që tentojnë ta shpallin Tiranën ekskluzivitet vetëm i atyre që kanë lindur ‘den baba den’ në Tiranë”, deklaroi ai.

Duke e përshkruar si një politikan të urtë dhe të ndershëm, Veliaj shtoi se Malasi u rreshtua në anën e duhur të historisë e jo të partisë.

“Tomor Malasi do mbahet mend si një politikan i urtë, i pjekur dhe i përgjegjshëm, që në momentet kyç të vendit u rreshtua në anën e duhur të historisë, jo në anën e partisë. Ai u bë nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë në periudhën ’92-’96, në vitet jashtëzakonisht të vështira të tranzicionit, duke dëshmuar një urtësi të rrallë për atë kohë trazirash dhe një pjekuri në vendimet e veta”, u shpreh Veliaj.

Në fund, kryebashkiaku nënvizoi faktin se Malasi u rreshtua në grupin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të PD-së, të cilët kërkonin që kjo forcë politike dhe ish Presidenti Berisha, të mbanin përgjegjësi për fajdet që shkaktuan trazirat e vitit 1997.

“Madje, edhe në vitin ’97, në atë vit të mbrapshtë të Shqipërisë, iu bashkua grupit të deputetëve të PD, që u bënë rezistencë atyre politikanëve që donin t’i vinin zjarrin Shqipërisë për interesa të politikës së momentit. Ai u tërhoq nga të qenit politikan aktiv, duke mbetur një qytetar model i kryeqytetit tonë, një njeri që ka ngelur në kujtesën e këtij qyteti, si simbol i vlerave politike dhe i vlerave qytetare dhe njerëzore të Tiranës sonë të madhe. Emri i tij i bën nder Tiranës, më shumë se sa Tirana i bën nder duke i vënë emrin kësaj rruge “Tomor Malasi”, përmbylli Veliaj.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 07/06/2024 00:48

    Tomor Malasi shembi murin e levizjes se lire dhe liberalizoi vendosjen e te gjithe atyre qe donin te vinin ne Tirane,thote Lali Eri! Jo o Erion Veliaj! Tomor Malasi nuk beri asnje nga keto dhe vete e pohon se ka qene politikan i urte,i pjekur e i pergjegjshem.Ishte Sali Berisha qe hapi kete /can of worms/, kur uleriste neper mitingje: /Levizje e liiiree!/ se i duheshin militante e vota.Cfare te bente i shkreti Tomor kur vinte tjetri nga fundi i botes e zinte ndertesat shteterore,fabrikat e konviktet,apo kur gjente nje toke/truall te lire ne periferi e ngulte nje hu e thoshte /toke e xame/ dhe po te kuturiste t'i afrohej ndonje ish-pronar qe shpresonte t'a rimerrte,apo te pakten t'a kishte te lire me shpresen se tani ne demokracine do te shkonte toka tek i zoti,i dilte ky /trimi/ qe i kishte zene tokem me arme apo sepate dhe i thoshte /do token apo koken/!Kush e pyeste apo t'i merrte leje Tomorit?! I kishte /duart e lidhura/,se shteti ligjor ra,u zevendesua me plepiste qe u ngrysen karrociere e u gdhine gjykates e me trima qe i binin gjoksit se ishin me PD e ishin miq te Berishes e Hajdarit e s'guxonte kush t'i prekte me dore edhe sikur shtetit t'i hipnin ne kurriz si kalit ne ato vite.Z.Veliaj,ish-kryebashkiaku ishte zoteri i vertete,por nuk mund lavderosh anarkine e atyre viteve si dicka normale,bile progresive.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kroaci/ Hyn në shtëpinë e të moshurave dhe qëllon me armë zjarri, humbin jetën 5 persona! Në pranga autori

Kroaci/ Hyn në shtëpinë e të moshurave dhe qëllon me armë zjarri, humbin jetën 5 persona! Në pranga autori