Një rrugë në Njësinë 14 merr emrin e aktorit Lazër Filipi, Veliaj: Urbanizimi i Tiranës moderne me standard të ri dhe emërtime dinjitoze

Një tjetër rrugë në Tiranë i bashkohet kolanës së emrave të mëdhenj të artit shqiptar. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar emërtimin e një prej rrugëve në Njësinë Administrative Nr. 14 në kryeqytet me emrin e aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë Lazër Filipi.

Në një pritje të veçantë që iu bëri familjarëve të “Artistit të Merituar” në 101-vjetorin e lindjes, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i lumtur që urbanizimi i Tiranës moderne po ecën paralel me emërtimet dinjitoze, të shënjuar në histori nga emra të pavdekshëm të artit, sportit dhe kulturës në vendin tonë.

“Jam shumë i lumtur që, bashkë me familjen e Lazër Filipit, i kemi dedikuar një vendim të Këshillit Bashkiak një rruge të re në Njësinë 14, aty ku po mbaron Unaza dhe aty ku Astiri, nga një zonë problematike, po kthehet në një zonë me shumë potencial e ku po urbanizohet me rrugë të reja, por edhe me emërtime dinjitoze. Më vjen mirë që sot nuk ka vetëm rëndësi të bëjmë infrastrukturë, por edhe emërtim infrastrukture. Ndonjëherë, janë bërë qoka me emra që nuk kanë pasur vlerë, apo ndonjë kontribut të shquar, por janë gjetur si mënyrë nga politika për të bërë emërtime në qytet,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Sot, tha Veliaj, emërtimet në qytet janë me një standard të ri.

“Po vendosim ata njerëz që na kanë bërë krenarë, që përfaqësojnë realisht dinjitetin dhe talentin e Tiranës e që janë emra që do i rezistojnë kohës, sepse unë besoj që pavarësisht sistemeve, mund të këtë ndryshuar pushteti, partitë, por kush ka pasur talent, kush ka qenë i vërtetë, kush ka pasur pasion dhe kush ka treguar një vlerë të komunitetit tonë i mbijeton çdo pushteti, çdo kohe e çdo moti,” deklaroi ai.

Paskalina Filipi, vajza e aktorit të njohur, u shpreh krenare, por dhe mirënjohëse për këtë vlerësim që i bëhet babait të saj të ndjerë.

“Jemi shumë krenarë e të lumtur që një krenari e qytetit është pjesë e jona, e babait tonë, se ka dhënë shumë për të gjithë deri në frymën e fundit. Jemi shumë krenarë dhe do mundohemi ta mbajmë e ta ruajmë me krenari. Na bëtë kaq të lumtur me këtë vlerësim dinjitoz e të madh për babain tonë,” u shpreh ajo.

Lazër Filipi lindi më 7 shkurt 1921 në Shirq të Shkodrës. Ai ishte aktor i shquar i teatrit dhe kinematografisë, skenarist dhe regjisor. Për merita të larta në fushën e artit skenik në vitin 2005 është nderuar me titullin “Artist i Merituar” për 80 rolet e tij në teatër dhe kinema.

Gjatë karrierës së tij interpretoi role të pavdekshme, si: Vasili, Truviçi, Dobçinski, xha Shazua, Gjica, Ksanti, Klarku etj.. Kryeroli i tij mbetet ai i Leninit në dramën “Orët e Kremlinit”. Interpretoi me sukses edhe në shumë filma artistikë në kinematografi.

Artisti Lazër Filipi ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare më 16 dhjetor 2016.

 

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Paradoksi: 27/02/2022 15:49

    Asfalto gropat e rrugëve,hap e liro trotuaret,pastaj vendos emra?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Spektakël nga Xherdan Shaqiri, shënon tre gola dhe i jep kreun Baselit në limite

VIDEO/ Spektakël nga Xherdan Shaqiri, shënon tre gola dhe i jep kreun Baselit në limite