Talat Xhaferi kryeministër në RMV, uron politika shqiptare! Begaj: Shqiptarët, garant të së ardhmes në Maqedoninë e Veriut! Rama: Leksion i artë për brezat

Talat Xhaferi kryeministër në RMV, uron politika shqiptare! Begaj: Shqiptarët, garant të së ardhmes në Maqedoninë e Veriut! Rama: Leksion i artë për brezat

Ilir Meta, Edi Rama, Bajram Begaj dhe Igli Hasani

Drejtues të shtetit dhe politikës në Shqipërinë kanë uruar Talat Xhaferin dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e cila do të ketë kryeministrin e parë shqiptar.

Teksa uron Xhaferin, Presidenti Bajram Begaj shkruan se shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se ky është rasti që të dëshmojnë se e shohin lidershipin vetëm në perspektivën e integrimit të vendit në BE.

'Urimet e mia më të përzemërta qeverisë së re teknike të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit të saj, zotit Talat Xhaferi! Pavarësisht kufizimit në kohë dhe në kompetenca, kjo qeveri ka sfidën dhe privilegjin për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme, për të ruajtur stabilitetin dhe kursin euro-atlantik të vendit si dhe të dëshmojë aftësinë për të qenë gjithpërfshirëse dhe bashkëpunuese me të gjithë faktorët pa dallim politik dhe etnik! Shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe ardhmërinë e RMV. Ky është rasti që ata të dëshmojnë se e shohin lidershipin vetëm në perspektivën e integrimit të RMV në BE. Suksese!'- shkruan Begaj.

Një leksion të artë për brezat që vjen nga Maqedonia e Veriut e konsideron kryeministri Edi Rama. Ai ka ndarë një foto të Talat Xhaferit dhe Ali Ahmetit, teksa e vlerëson këtë të fundit për rolin e jashtëzakonshëm për shqiptarët në Maqedoni të Veriut.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shkruan se Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standard shembullor për bashkëjetesën ndëretnike, ndërsa kryetari i Partisë së Ilir Meta nënvizon faktin se Shqiptarët, si faktor shtetformues, të orientuar qartë nga BE dhe NATO, kanë një rol kyç për harmoninë ndëretnike, stabilitetin dhe ardhmërinë europiane të Maqedonisë së Veriut.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani,u shpreh besimplotë se Kryeministri Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të përmbushin angazhimet dhe detyrimet e programit qeveritar, si dhe vijimin e punës për realizimin e proceseve që dalin nga negociatat për anëtarësim me BE-në dhe përshpejtimi i integrimit evropian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:16
Talat Xhaferi Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Hasani: Besimplotë se do të përmbushë angazhimet e programit qeveritar

1706455414_1705579481hasani.jpg

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen e tij si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Përmes një postimi në rrjete sociale Igli Hasani shkruan se është besimplotë që Xhaferi do përmbushë angazhimet qeveritare.

"Suksese kryeministrit të parë shqiptar në historinë e Maqedonisë së Veriut! Besimplotë se Kryeministri Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të përmbushin angazhimet dhe detyrimet e programit qeveritar, që nga organizimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme e demokratike, vijimi i punës për realizimin e proceseve që dalin nga negociatat për anëtarësim me BE-në dhe përshpejtimi i integrimit evropian, rritja dhe zhvillimi i ekonomisë dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit", shkruhet në postimin e ministrisë.

Ora 14:50
Ilir Meta uron Talat Xhaferrin: Qeveria e re, hapa të rëndësishme në konsolidimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar Talat Xhaferin, i cili do të jetë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë.

Me anë të një postimi në Facebook, Meta shprehet besimplotë se me lidershipin e tij qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

“Urimet më të përzemërta dhe shumë suksese Qeverisë së re teknike të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit të saj, Talat Xhaferi! Besimplotë se me lidershipin e tij dhe angazhimin e dëshmuar gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues, pa dallim etnik dhe politik, Qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në funksion të perspektivës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.”-shkruan Meta.

Ora 14:34
Talat Xhaferi në krye të qeverisë në Maqedoninë e Veriut, Basha: Shqiptarët rol konstruktiv ndaj vlerave euro-atlantike

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen e tij si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Basha përmes një postimi në rrjetet sociale thekson se Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standard shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

‘Urime të përzemërta Talat Xhaferit, Kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Pa vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Ali Ahmetit, kjo do të ishte e pamundur. Roli konstruktiv dhe përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë përcaktues për anëtarësimin në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standart shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.  Duke i uruar suksese kryeministrit Talat Xhaferi, shpreh shpresën dhe besimin që rruga europiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë pa u ndalur.’- shkruan Basha.

S.S/B.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet miratuar rezoluta anti-korrupsion e propozuar nga PS?



×

Lajmi i fundit

Scholz paralajmëron Von der Leyen të mos punojë me ekstremistët e krahut të djathtë

Scholz paralajmëron Von der Leyen të mos punojë me ekstremistët e krahut të djathtë