‘Një spiune e rekrutuar nga Sigurimi, ish-pjesëtare e ‘Ballit Kombëtar’, e mori me vete drejtori burgut, Metani…’/ Rrëfimi i ish-shoqes së qelisë, së Musine Kokalarit

‘Një spiune e rekrutuar nga Sigurimi, ish-pjesëtare e ‘Ballit Kombëtar’, e mori me vete drejtori burgut, Metani…’/ Rrëfimi i ish-shoqes së qelisë, së Musine Kokalarit

Musine Kokalari

Memorie.al / Raimonda Moisiu, gazetarja me banim në SHBA-ës, vë në dispozicion pjesë nga kujtimet e Rita Sami Koçit, ish-e dënuar politike për “agjitacion e propaganda”, që në moshën 16-vjeçare. Ndër të tjera, tregon për bashkëvuajtëset Musine Kokalari e sopranon Merita Sokoli. Në mënyrë krejt të rastësishme, mëson për vuajtjet e jetët e vështira që kanë kaluar një pjesë e madhe e shqiptarëve  përpara ’90-ës. Sa më shumë të njohësh prej tyre, aq më tepër shtohen emrat e “listës së zezë’. Karvani i këtyre vuajtjeve, duket sikur nuk ka të sosur.  Kur Diti Biçaku, doli në media disa kohë më pare, për të treguar të pjesshme historinë e arrestimit e më pas pushkatimit të bashkëvuajtëses së saj, Sabiha Kasimati, një tjetër emër doli nga kujtesa e atyre që lexuan e dëgjuan rrëfimin e saj. Gazetarja e shkrimtarja Raimonda Moisiu, prej vitesh banuese në SHBA-së, na foli për një tjetër bashkëvuajtëse të të sipërpërmendurave, duke marrë nxitje nga viti i pushkatimit të Kasimatit, në ’51-shin.

Rita Sami Koçi, ka qenë një tjetër nga viktimat e regjimit, që për fat të keq nuk jeton më, por ka lënë të shkruar me dorën e saj, historinë e vuajtjet e asaj pjese të jetës që e mundoi edhe ditët e fundit, në përçapje të nxituara për të përfunduar gjithçka ruante në kujtesë. Veçse nuk mundi…! Raimonda na dërgon sot një pjesë të kujtimeve të hedhura në fletët e ditarit të saj. Pjesën tjetër e ruajnë fëmijët, me shpresën që një ditë do t’i bëjnë të gjitha bashkë, duke realizuar kështu librin që e ëma pat dëshiruar aq shumë.

Znj. Raimonda, si i keni vendosur marrëdhëniet me znj. Rita, në ç’kohë, dhe a ishin rrëfimet e saj shkaku i kësaj lidhjeje?

Është e dhimbshme që Rita Sami Koçi (Koka) nuk jeton më. Ajo është ndarë nga jeta para disa viteve. Njohja ime virtuale me familjen Koka, ka ndodhur para gati një dekade. Sapo kisha shkruar dhe botuar në shtypin shqiptar, saktësisht te gazeta “Panorama”, shkrimin me titull “Mytevelinjtë, bejlerët që hodhën themelet e Korçës”. Duke i bërë publicitet këtij shkrimi edhe në forumet e website-t shqiptare në internet, në postën time elektronike, vjen një mesazh nga ing. Genc Koka, i cili mes të tjerave tregonte se është nip i bejlerëve të Korçës, Mytevelinjve. Që këtu nisi miqësia ime virtuale me Gencin, vëllain e Rita Sami Koçit (Koka).

Në bisedë e sipër, Genci më tregoi për motrën e tij Ritën, jetën e saj dhe se po hidhte në letër kujtimet. Një ditë më nisi disa copëza kujtimesh dhe miku im, Genci, më kërkonte t’i redaktoja dhe t’i radhisja kronologjikisht, ashtu siç ia pati kërkuar edhe atij vetë Rita. Sapo lexova “Kujtime të hidhura e të paharruara”, dhe “Nëse një popull nuk arrin të njohë dhimbjen, nuk do të jetë në gjendje të njohë lumturinë”, u drithërova dhe e ndjeva që në fillim emocione të forta. Përpija çdo rresht të atyre rrëfimeve rrëqethëse, që sillnin të gjallë të vërtetën e kalvarit të dhimbjeve e sakrificave.

Kur kishte nisur Rita të hidhte në letër kujtimet e kohës së errët të burgut?

Duke iu referuar kujtimeve, por edhe nga biseda me Gencin, Rita filloi të hedhë kujtimet e saj, në kohën kur emigroi pranë vajzave të saj në Greqi. Por edhe nga mesazhet që i dërgonte herë pas here Gencit, shprehte dëshirën t’i hidhte të gjitha kujtimet e t’i botonte në një libër.

Referuar rrëfimeve të saj, kur është burgosur, për sa vite dhe për ç’arsye?

Është burgosur që në moshën 16 a 17-vjeçare, në vitet ’50-të, që njihen si vitet e valës së arrestimeve, burgosjeve, pushkatimeve e internimeve në masë, të intelektualëve dhe elitës qytetare shqiptare, kontributin e të cilëve regjimi komunist e shihte si rrezik për pushtetin e tyre. Pas një viti hetuesie të tmerrshme, të shoqëruar me tortura dhe izolim të rëndë, Rita Sami Kokën (Koci), e dënojnë me 10 vjet heqje lirie, me motivacionin: “Organizatore grupesh në shkollat e mesme, agjitacion e propagandë me shkrim e me gojë, kundër pushtetit popullor, komunist e Partisë”!

Rita Sami Koka ka lindur në Firence të Italisë më 1930-ën. Është e bija e ish-kolonelit Sami Koka, zv/Shef i Shtatmadhorisë Mbretërore dhe komandant i Përgjithshëm i Rojës Mbretërore të Kufirit dhe i Financës në periudhën e Monakisë së Zogut. I dënuar edhe ai me 30 vjet burg nga Gjykata Speciale e marsit 1945. Rita ka ndenjur në burg gati 10 vjet, së bashku me të atin e saj, fakt që ajo e rrëfen edhe në shënime.

Si rrodhi jeta e saj e mëvonshme?

Pas lirimit nga burgu, Rita u martua me bashkëvuajtësin në burgun e Burrelit, Xhorxhi Koçi, i dënuar politik që në vitin 1946. Pas viteve të burgut, kaluan edhe disa vite në internim së bashku me familjen, në Kullë të Durrësit. Çifti Koçi, pati 4 fëmijë, tri vajza e një djalë. Por fatkeqësisht, djali i tyre i vetëm u vra kur ishte ushtar, kur shërbente në Brigadën e Punës, si fëmijë i të dënuarve politikë apo me biografi të keqe.

Kur i treguan burrit të Ritës, Xhorxh Koçit, për vdekjen apo “vrasjen” e të birit të vetëm (ka mbetur ende mister vdekja e tij “aksidentale në gurore”, sepse të nesërmen ai nisej me disa ditë leje për në familje), ulërimat e trishtimit e të dhimbjes së atij burri, që u pati bërë ballë torturave dhe jetës në burg, kanë tronditur tërë Durrësin. Maraz e brengë, që më pas i kushtoi edhe jetën.

Për ç’arsye emigroi në Athinë?

Rita është larguar për në Athinë në vitin 1998, pranë vajzës së saj, por edhe me dhimbjen e madhe të largimit nga atdheu, për të cilin pat vuajtur aq shumë. Rita, edhe pse e sëmurë, shkruante kujtimet e saj.

A përmend në kujtimet e saj emra bashkëvuajtësish të tjerë?

Rita shkruan me shumë dhimbje dhe kujtesë të admirueshme për dy intelektuale të shquara, për shkrimtaren dhe intelektualen, politikanen e shquar Musine Kokalari, për të cilën shprehet se ishte ishulli i saj dhe për sopranon Merita Sokoli, që unë vërtet do të dëshiroja, në rast se dikush di për këtë soprano të shquar, të shkruajë për të, sikundër është shkruar edhe për Musine Kokalarin.

Ç’ju ka treguar tjetër rreth jetës së saj?

Unë po ju jap rrëfimet e Ritës, të cilat flasin shumë më shumë rreth jetës së saj.

Pjesë nga ditari i RITA SAMI Koçit (Koka)

                       -Në një qeli me Musine Kokalarin-

                             Datë 19 maj 1950, ora 23:00

Një trokitje në derë do na shqetësonte, por do të ndryshonte edhe rrjedhën e jetës sime. Mamaja, hapi derën dhe disa oficerë Sigurimi hynë furishëm në dhomën 3×3, ku jetuam për 30 vjet dhe ku përdornim vetëm një WC, 6 familje. Njëri prej tyre pyet se kush është Rita Sami Koka…! Unë i them: “Në emër të popullit jeni e arrestuar”. Mamaja u trondit pa masë dhe iu drejtua oficerëve të Sigurimit: “Amani, ku po e çoni çupën time”?! Më arrestuan pa më thënë arsyen.

Në atë kohë ndodhte shpesh, që oficerë të Sigurimit shkonin nëpër shtëpitë e të përndjekurve, u rrëmbenin çupat, gjoja për t’i arrestuar, i përdhunonin dhe i degdisnin në fshatra të largëta e të humbura të Shqipërisë. Unë e kapa nga supi mamanë dhe me zë të qetë e të vendosur i thashë: “Mos u trondit mama, unë s’kam bërë gjë, prandaj do të kthehem”! Ata më vënë prangat e bashkë me mua, largohen duke lënë mamanë në lot e ngashërim, në gjendje shoku e pikëllimi, se njerëzit e tjerë të familjes largoheshin, sikur të ishin me lebër. Qëndrimi im prej krenareje dhe me kokën lart, kuraja që i dhashë mamasë sime do të më përmendej edhe në hetuesi, duke më quajtur; “shumë të vendosur në aktivitetin tim kundër pushtetit popullor”. “Sipas jush, – i drejtohem hetuesit në birucat e hetuesisë, – çfarë prisnit, të kapja mamanë në cep të fustanit e të qaja”?!

Pas një viti hetuesie të tmerrshme, të shoqëruar me tortura dhe izolim të rëndë, dënohem me 10 vjet heqje lirie, nën akuzën “organizatore grupesh në shkollat e mesme, agjitacion propagande me shkrim e me gojë, kundër pushtetit popullor, komunist e Partisë”. Sigurisht unë e prisja një akuzë të tillë, sepse në shtator-tetor të vitit 1949, filloi ‘spastrimi’, dhe nga shkollat e mesme u përjashtuan 16 nxënës nga Teknikja dhe gjimnazi. Ndër ta isha unë dhe vëllai im i vogël, Genci. Përpara se të më lëviznin nga birucat në kampin e të dënuarve, shoqet me të cilat ndaja ditët dhe netët e izolimit, më porositën që të bëja kujdes nga një spiune dhe provokatore e rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, një ish-pjesëtare e ‘Ballit Kombëtar’, e quajtur Nurie M., nga Vlora.

Kur kishte qenë në kampin e burgut të Vlorës, tre djem vendosën të arratiseshin. Për këtë gjë ata biseduan me Nurien, por ajo i raportoi te drejtori i burgut, xha Metani. Dhe kur ata tentuan të arratiseshin, njëri u vra, duke mbetur në telat me gjemba në përpjekje për t’i kapërcyer, ndërsa dy të tjerët, i kapën. Njëri nga të burgosurit, kishte qenë mësues dhe i kishim birucat ngjitur. Një ditë, duke kaluar për në banjë, ai më fut një letër poshtë derës, ku më tregonte gjithë historinë e tij, dhe me porosit që t’i thosha Nurie Koculit (nga Vlora), që të lajmëronte nënën, se ai ishte gjallë.

Nëna e gjore e dinte të vdekur birin e saj. Kur lëviza nga izolimi në birucë në kampin e burgut, aty më kanë pritur disa të dënuara për politikë, ndër to dhe sopranoja e talentuar, e mrekullueshmja Merita Sokoli, e cila më mori në dhomën e saj të vogël, si i pëlqente Meritës ta quante. Nurie M. nuk i dhashë fare të njohur, por nuk kisha as edhe dëshirë ta shihja e të komunikoja me të. Nurien e përbuznin të gjitha, duke e quajtur; “monstër”. Kur drejtor Metani u transferua nga burgu i Vlorës në burgun e Tiranës, Nurien e mori me vete që ajo të vazhdonte misionin e saj të provokatores e spiunes. Ajo i qëndroi aq besnike aktivitetit të saj, sa spiunonte edhe për gjëra fare të thjeshta, që më pas bëheshin çështje të mëdha. Sado që mundohesha ta injoroja Nurien, më duhej të përballesha me shpirt ligësinë dhe hipokrizinë e provokatores.

Një miku ynë, kishte shkruar një novelë shumë të bukur, ku e përshkruante Shqipërinë si një shqiponjë të lidhur në pranga dhe të gjakosur nga gjaku i të vrarëve. Ma pat treguar që ta shihja nga forma letrare (ai ishte 16 vjeç dhe unë 18). Novela më pëlqeu shumë dhe i thashë sikur të kishim mundësi e të shkruanim shumë kopje si kjo dhe t’i shpërndanim. Ai e pëlqeu këtë mendim timin dhe bëri si i thashë unë. Ky trakt u shumëfishua dhe u shpërnda, fillimisht në Shkodër. Në Tiranë e shpërndau Lluka Dindi, që ishte 16 vjeç, nxënës në Teknikumin Financiar. Në fillim u arrestua Ndoc Ljarja, pastaj Lluka, Amik Kasaruho, Petro Konomi dhe unë, nja tre-katër muaj më vonë. Kur na nxorën në gjyqin ushtarak si grup, më pyetën nëse i njihja pjesëtarët e tjerë.

 

U thashë: “Jo! As i njoh, as i kam parë ndonjëherë”.

Në grup në gjyq, qe futur edhe Bardhyl Dindi, kot së koti, që përveç Llukës, që kish të bënte me të, asnjëri prej të akuzuarve nuk e njihte dhe as e kishin parë si fytyrë. Bardhyli tha për mua që nuk më njihte veçse si fytyrë, që më kishte parë në gjimnaz. Prokurori, një oficer madhor i komunistëve, më thotë: “Sigurisht që nuk i njeh, kryetari rri gjithmonë i panjohur”. Pasi mbaruan disa seanca, u dhanë dënimet. Në fund, prokurori filloi të na pyeste se, çfarë kishim për të thënë për fjalë të fundit. Unë i thashë: “Asgjë!”. “Si?”, më thotë.

E quan të drejtë dënimin?”. “Jo! Unë nuk e quaj aspak të drejtë, por fjala ime nuk ndryshon asgjë, ju vendosni vetë, si ju vjen për shtat, dhe për këtë nuk ju kërkoj mëshirë”! Vite më vonë, kur u takova me babanë në burgun e Burrelit, mes të tjerash më tërhoqi veshin me ledhatim dhe duke buzëqeshur më tha: “Mos u trego kokëfortë këtu në Burrel, si në gjyq”. Duke e përqafuar, i thashë: “Nuk jam kokëfortë baba, por padrejtësia më revolton”. Babai më shtrëngoi fort pas gjoksit dhe përsëri mbajti të qarët që po i shpërthente. I pashë vetëm sytë e përlotur.

Arritëm në Milot, autobusi ndaloi për pushimin e parë. Pasagjerët zbritën të pinin cigare. Duke parë ata njerëz të thjeshtë, të lirë fizikisht se moralisht ishim njësoj, duke thithur cigaren më erdhi dëshira që edhe unë ta tymosja një me ta. U thashë rojeve, nëse qe e mundur të më linin edhe mua për të tymosur një cigare jashtë. Dola e shoqëruar dhe pa dhënë muhabet, e porositur për këtë qysh më parë. Pashë që sapo kish mbërritur edhe autobusi i Estradës së Shkodrës. Aktorët qeshnin me njëri-tjetrin dhe gjithë humor, flisnin me zë të lartë. Dikush u tregoi për mua dhe e qeshura e tyre u pre. Më shikonin me habi dhe diçka bisedonin me njëri-tjetrin me zë shumë të ulët. Më shihnin me habi e dhimbje. Dikush tundte kokën, sikur pyeste veten: “Ç’ndodh kështu”?!

Unë nuk u trondita fare, përkundrazi e ndieja veten krenare dhe këtë krenari mundohesha ta tregoja në çdo çast. Më dënonin komunistët, kriminelët, llumi i kombit që kish uzurpuar pushtetin legjitim. Isha krenare dhe me këtë krenari shijoja ato orë të pakta lirie, edhe pse më shoqëronin policët me pushkë automatike. U ndjeva e lirë për pak orë jashtë mureve të qelisë. Kur arritëm në burgun e Burrelit, na priste nëndrejtori. Qe e diel dhe drejtori nuk ishte aty. Në atë kohë në Burrel, ishte edhe Musine Kokalari. Të nesërmen kur erdhi drejtori i burgut Dino, më pa që isha me Musinen (edhe dy gra të tjera) dhe qëndroi për një çast, u mendua dhe më tha: “Urdhri nga Tirana është që ti, të ishe izoluar më vete këtu”.

Na mori të katrave për të na treguar qelinë që ishte caktuar për mua. Burgu i Burrelit, është i futur në gropë dhe i rrethuar me shkurre. Kishte një lagështi të paimagjinueshme, muret kullonin ujë dhe ishin të zbutura, llaç i gjallë. Klima e vetë qytetit, ishte shumë e ftohtë. Unë, e infektuar në qelitë e burgut të Tiranës me zgjebe dhe morra, duhet të pastrohesha. Doktori i burgut, Lush Pogu, i dënuar edhe ai, më dha mjekimet e duhura. Zoti më ruajti që nuk mora plevit, ngaqë isha e detyruar të lahesha përjashta në borë. Hava Golemi dhe Xhemo Ahmeti, mbanin dy çarçafë për të më mbrojtur nga era dhe ngrica, kurse Musineja, më hidhte ujë të ngrohtë, ndërsa lahesha. Në pranverë, Musineja dhe dy gratë e tjera, u transferuan për në burgun e Tiranës. Kur u komunikuan transferimin, Musineja u kthye nga unë dhe më tha “Rita, si do të lë ty vetëm në këtë skëterrë”?! Unë i thashë: “Musine, mendo vetëm nënën tënde të moshuar, që ka kaq kohë pa të parë, pse gjer këtu nuk vinte dot, unë do ta kaloj ashtu si e kalove ti”. U ndamë me përqafime e përlotje. Kështu mbeta vetëm.

24 dhjetor 1950, Darka e Krishtlindjes

Ato që bënin komunistët, anëtarët e PKSh-së pa përjashtim, nuk janë bërë as në Mathausen apo Buchenëald. Le të tregojnë të dënuarit e Vloçishtit, Jubës, Bedenit, Spaçit, Urës së Bonës, e sa e sa kampeve të tjera të shfarosjes. Merita Sokoli, një nga sopranot më të talentuara të Shqipërisë, njësoj si Tefta Tashko, u arrestua për politikë dhe u torturua gjatë hetuesisë në mënyrën më çnjerëzore. E lidhur me hekura, duar e këmbë e patën varur në një çengel vetëm sa i takonin majat e gishtave, e lanë ashtu për ditë të tëra. Siç qe e varur, i erdhën menstruacionet. Filloi të qante, duke shtrënguar këmbët.

Kur hyri roja, ajo filloi t’i thoshte: “Jo, jo! Të lutem mos hyr”! Kur ai hyri, e pa në atë gjendje, qeshi si kafshë. Pse qenë të tillë, qenër…! Në burgun e Burrelit, ish i dënuar edhe Gjergj Kokoshi, i sëmurë me TBC. E kishin izoluar vetëm. Një ditë, një i burgosur i futi poshtë derës një copë letër për ta përshëndetur, e për t’i dhënë kurajë. Dikush e spiunoi dhe e izoluan në një qeli pa dyshek, pa ndërresa dhe e lanë vetëm me bukë thatë dhe ujë. Ishte dimër dhe në Burrel, bënte shumë ftohtë (Ai që e pat spiunuar ishte një çam, në mos harroj, quhej Dino). Kështu, Gjergji mori plevit dhe në të njëjtën kohë u çmend. Më vonë i çuan rrobat, por ai zhvishej dhe shtrihej në çimento.

Gjithë kohën luste Zotin dhe shenjtorët, pastaj shante Enver Hoxhën, që dikur as që e pat përfillur si njeri dhe intelektual. Thërriste nënën e tij. Nuk pushonte së foluri ditë e natë, gjersa i iku zëri dhe jeta bashkë. Unë e kisha afër qelisë sime dhe e dëgjoja, më vinte keq për të, por nuk duroja dot. Vija duart në vesh dhe ashtu rrija me orë të tëra, gjersa më zinte gjumi. Kur vdiq, e mora vesh nga rojet. Dhe fillova të qaja si fëmijë, nuk e njihja as nuk e kisha parë ndonjëherë, por e qava si njeri me shpirt, që humbi jetën nën torturën e xhelatëve të PKSh-së. I shkruaj si më vijnë në kujtesë këto kujtime të hidhura e të paharruara! Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona