Një vorbull dyshimesh rreth peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës

Një vorbull dyshimesh rreth peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës

Një grua duke ecur para ndërtesës komunale në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, më 8 dhjetor 2023

Interpretimi i ndryshëm i udhëzimit administrativ të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e kryetarëve, ka shkaktuar edhe njëherë konfuzion se deri ku ka arritur procesi i zëvendësimit të kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), thonë se është duke u bërë mbledhja e nënshkrimeve për peticionin për shkarkimin e kryetarit dhe se emri për një gjë të tillë ka mbetur rreth dy javë.

Grupi i qytetarëve - të cilët sipas udhëzimit administrativ duhet të mbledhin këto nënshkrime - thotë se nuk e ka marrë dokumentacionin e nevojshëm për të nisur peticionin dhe se askush nuk i ka njoftuar se ka një afat kohor për këtë. Kryetarët e kuvendeve komunale – të cilët supozohet se do të jenë një lloj ndërmjetësimi mes qytetarëve dhe pushtetit qendror – pohojnë se e kanë bërë punën e tyre dhe se tani u takon qytetarëve që ta nisin peticionin.

Serbët nga veriu i Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, përfshirë edhe ata në pushtetin lokal. Pasi bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme në prill, kur në krye të komunave erdhën shqiptarët, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, njoftoi në mes të tetorit të vitit 2023 se është gati të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës (KQZ) njoftoi në mes të dhjetorit të vitit të kaluar se kryetarët e kuvendeve komunale, grupet dhe iniciativat qytetare dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës janë njoftuar për numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto tri komuna. Ai hap është i paraparë me udhëzim administrativ, sepse për peticion duhet mbledhur 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar me të drejtë vote.

Kjo duhet të jetë një shenjë se mbledhja e nënshkrimeve mund të fillojë, por mbetet e paqartë nëse, para këtij hapi, Grupi Iniciues ishte regjistruar zyrtarisht për të filluar peticionin dhe nëse mori leje për të përdorur një zonë ose hapësirë publike për këtë qëllim, sepse palët paraqesin pretendime krejtësisht të ndryshme.

Procesi i zëvendësimit të kryetarëve të komunave në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, pasoi tensionet e larta në fund të majit të vitit të kaluar kur kryetarët shqiptarë erdhën në pushtet për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet. Nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, në fillim të shtatorit 2023, Prishtina zyrtare hartoi një udhëzim administrativ që mundëson largimin e atyre kryetarëve të komunave dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Mirëpo, tash e një muaj po vazhdon “diskutimi” mes aktorëve për zëvendësimin e kryetarëve, me akuza të ndërsjella se pala tjetër nuk po e zbaton udhëzimin administrativ. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha më 10 janar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit dhe Zubina Potokut kanë edhe 12 ditë kohë për t’i mbledhur nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Ai afat për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, sepse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është dorëzuar më vonë kërkesa për listën me numrin e saktë të votuesve të regjistruar. Ky hap parashihet edhe me udhëzimin e paralajmërues se në peticion janë mbledhur 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Ministri Krasniqi, po ashtu, tha se më 9 janar ka mbajtur një takim me shtetet e Quint-it dhe diplomatët e BE-së lidhur me procesin e ndërrimit të kryetarëve shqiptarë në veri. Ai theksoi se peticioni ka nisur në dhjetor të vitit të kaluar dhe se mbledhja e nënshkrimeve është duke vazhduar.

Mirëpo, grupe qytetarësh e demantojnë këtë dhe thonë se nuk kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve, sepse nuk morën konfirmim nga kryetari i Kuvendit të Komunës se janë regjistruar si një grup iniciues, i cili sipas udhëzimit administrativ, është i vetmi që mund të fillojë një peticion.

Lidhur me këtë, Radio Evropa e Lirë kontaktoi me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, por nuk mori përgjigje.

Vesellin Radoviq, i cili është pjesë e Grupit Iniciues të Qytetarëve në Leposaviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se është në pritje të takimit me kryetarin e Kuvendit të Komunës për të “arritur marrëveshje për interpretimin e udhëzimit administrativ”.

“Nuk e kemi marrë dokumentacionin e nevojshëm dhe kërkojmë shpjegim se pse nuk po bëhet kjo. Thjesht, nuk jemi në gjendje ta zbatojmë peticionin derisa ta marrim dokumentacionin e plotë”, thotë Radoviq.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Gorski Buriq, pohoi se ka bërë punën e tij, se Grupit Iniciues ia ka dhënë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe se i takon të mbledhë nënshkrimet.

“Atyre u takon të gjejnë një dhomë dhe të fillojnë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve”, u shpreh Buriq për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, Radoviq tha se përcaktimi i vendit për fillimin e peticionit është “faza tjetër” sipas udhëzimit administrativ dhe se, para së gjithash, është e nevojshme që zyrtarisht të regjistrohet si Grup Iniciues.

“Thjesht, nuk dimë çfarë të bëjmë më pas, faza tjetër është autorizimi për dhomën (për të filluar peticionin). Jemi në pritje të një ftese (nga kryetari i Kuvendit të Komunës) për të parë se si do të vazhdojmë, çfarë hapi të hedhim”, theksoi ai.

Radoviq shpreh besimin se për një proces të suksesshëm të zëvendësimit të kryetarit, së pari duhet vullneti i mirë i të gjithë aktorëve, por edhe fleksibilitet në harmonizimin e pozicioneve dhe interpretimin e udhëzimeve administrative. Një anëtar i Grupit Iniciues në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nuk ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve, por nuk ka dashur të flasë më shumë për këtë dhe as të publikohen emrat e tyre. Dyshimet për hapat për zëvendësimin e kryetarit në veri kanë qenë të pranishme që në fillim të procesit, kur një grup qytetarësh tentuan ta nisin atë iniciativë më 5 dhjetor.

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Nexhad Uglanin, tha për Radion Evropa e Lirë se një grupi të qytetarëve ua ka dorëzuar formularin për të filluar një peticion mbi bazën e të cilit duhet të mblidhen nënshkrimet dhe se është në dorën e tyre të informojnë se ku do ta bëjnë mbledhjen e nënshkrimeve. Siç tha ai, ende nuk ka marrë ndonjë kërkesë prej tyre për të përcaktuar hapësirën publike ku do të niste peticioni për mbledhjen e nënshkrimeve.

“Ua kam dërguar njoftim se janë të obliguar ta informojnë Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili menjëherë cakton seancë dhe jep autorizimin (për shfrytëzimin e hapësirës publike). Nëse do ta përdorin një zonë publike, një shëtitore, nëse do ta përdorin një shkollë apo ndonjë institucion tjetër, varet nga ata. Ky është problemi më i vogël për ne”, sqaroi Uglanin.

Në vërejtjen e Grupit Iniciues se nuk është regjistruar zyrtarisht, Uglanin tha se është dashur ta bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe se ndoshta është bërë sepse janë informuar për numrin e nënshkrimeve që duhet të mbledhin. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, nuk u përgjigj konkretisht nëse ky institucion e kishte regjistruar Grupin Iniciues për mbledhjen e nënshkrimeve, por tha se partitë ishin të informuara për numrin e përditësuar të votuesve dhe se ishte specifikuar saktësisht se sa nënshkrime duheshin mbledhur për zëvendësimin e kryetarit të Komunës. Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se së paku 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit të Komunës.

Në Zubin Potok, peticionit duhet t'i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind e 6.732 votuesve të regjistruar. Më së shumti nënshkrime në peticion duhet të mblidhen në Mitrovicën e Veriut, pra së paku 3.640, sepse në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote. Kurse, në Zveçan peticioni duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona, që është 20 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar, sipas nevojës për organizimin e votimit për shkarkimin e kryetarit sipas udhëzimit administrativ./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ishin bllokuar mes borës në malin e Korabit, ushtria shpëton 3 banorë bashkë me tufën e kuajve (VIDEO)

Ishin bllokuar mes borës në malin e Korabit, ushtria shpëton 3 banorë bashkë me tufën e kuajve (VIDEO)