Politikani Sali Berisha në këto 25 vite ka dominuar në masë të madhe politikën shqiptare, në të mirë dhe në të keqe. Dashje pa dashje kjo e ka kthyer në mesin e atyre politikanëve të dashur por edhe më të urryer njëkohësisht. Njerëzit e kanë shprehur prej vitesh këtë simpati dhe antipati ndaj politikanit Sali Berisha. E kanë shprehur me votë, e kanë shprehur me protesta, e kanë shprehur me mitingje , e kanë shprehur me fjalë dhe sharje , me gjithçka tjetër kanë mundur. Madje kaq e fuqishme ka qenë ndjenja e dashurisë dhe urrejtjes ndaj këtij politikani sa njerëzit janë marrë me të edhe kur është rrëzuar nga pushteti. Në këto 25 vite urrejtja ndaj politikanit Berisha ka qenë më e madhe sesa dashuria për të.

Kjo për faktin se Shqipëria vijon të mbetet një vend me elektorat të majtë I cili ka identifikuar tek Doktori shkaktarin kryesor të të gjitha të këqijave në këtë vend . Po së fundmi diçka ka lëvizur në opinionet e njerëzve. Çdo mëngjes në një nga rubrikat televizive që unë drejtoj marr shpesh telefonatat e qytetarëve të thjeshtë ku ata mund të shprehin opinionet e tyre lirshëm, problemet por edhe të shfryjnë dufin ndaj politikanëve tanë. E kam filluar këtë rubrikë në muajin gusht dhe ajo që vihej re ishte se njerëzit më shumë sulmonin dhe kritikonin “Saliun” (dy vjet pas largimit nga pushteti) sesa “Edvinin”.

Ndërkohë ditët e fundit vihet re se njerezit merren gjithnjë e më pak me ish kryeministrin Berisha dhe gjithnjë e më tepër sulmojnë Edi Ramën. Mes tyre ka shumë që pranojnë se ia kanë dhënë votën liderit socialist por sot janë shumë të zhgënjyer prej tij. Madje mëngjesin e kësaj të shtune rreth 80% e telefonatave ishin kundër kryeministrit aktual dhe asnjë telefonatë për ish-kryeministrin Berisha. Ky fakt është pak për të treguar trendin e votuesit shqiptar por duket se njerëzit gjithnjë e më tepër i kanë drejtuar shigjetat e tyre ndaj kryeministrit aktual dhe po harrojnë Berishën. Këto telefonata mëngjesi mund të duken shumë sempliste për “politikën e madhe” por zëri i qytetarit është gjithnjë një alarm për kryeministrin e një vendi si Shqipëria. Pavarësisht deklaratave të Ramës se qeveris në ekip, edhe këtë herë njerëzit e shikojnë suksesin dhe dështimin vetëm tek emri i kryeministrit.

Edhe për këtë qasje qytetarët nuk kanë faj sepse protagonizmi dhe përqendrimi i pushtetit te kryeministri është aq i madh në këtë vend të vogël sa ai ngjan më shumë si “Skëndërbeu i radhës” sesa thjesht si kryetari i Këshillit të Ministrave. Politika dhe qeverisja në vitet e fundit ka treguar se nëse nuk je i vëmendshëm ndaj zërit qytetar e humbet pushtetin keqazi, madje edhe me turp. Këtë gjë duhet ta ketë të qartë edhe kryeministri Rama në rast se ka vendosur të bëjë shtet siç shpesh ka dëshirë ta etiketojnë.

Por çfarë rëndësie ka shteti kur shumë njerëz vijojnë të jetojnë në mjerim?

Me këtë pyetje askush politikan dhe qeveritar në këto 25 vite nuk dëshiron dhe nuk guxon të përballet? Por ndërkohë kambanat për “prijësin e radhës” tashmë kanë filluar të ndihen më fort. Tani i takon Ramës të reagojë dhe të tregojë (meqë e ka marrë përsipër) nëse do të jetë thjesht “më i mirë se ata që ikën”apo do të jetë më i mirë për qytetarin dhe të lehtësojë sado pak jetën e tij të vështirë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)