Policia i prangos dhe mbyll në qeli ‘kamikazët’ e shpejtësisë, të cilët po vrasin dhe gjymtojnë qytetarët nëpër rrugët e Shqipërisë dhe trotuaret e Tiranës, por gjyqtarët pa Veting, në disa raste edhe në bashkëpunim me prokurorët, po u japin dënime qesharake, duke i nxjerrë nga burgu, me vendime të diskutueshme dhe sikur të mos kishe ndodhur asgjë. Janë pikërisht këto vendime, të cilat inkurajojnë të dehurit në timon, djemtë e llastuar dhe arrogantë me makinat luksoze të baballarëve, që të vijojnë të marrin jetë njerëzisht në rrugët e Shqipërisë dhe t’ia hedhin lehtë drejtësisë. 

Miranda Konica është gjyqtarja e Elbasanit, e cila me kërkesë të prokurorit Binas Nina, ka dënuar sot me vetëm 4 vite burg Behar Pemën, i cili pasditen e 13 shtatorit 2020, në dalje të tunelit të Elbasanit, vrau dy vajzat Lusinda Garunja dhe Xhaneta Qallia, 19 dhe 18 vjeç, duke goditur nga pas makinën e tyre. Behar Pema, i cili rezultoi i dehur në timon, humbi drejtimin e makinës, duke goditur makinën Volksëagen ku u udhëtonin Lusinda Garunja, Xhaneta Qallia, Denisa Dibra Nervida Garunja, të cilat ishin nisur drejtor Korçës për të festuar ditëlindjen e Lusindës. Goditja ishte aq e fortë saqë Lusinda dhe Xhaneta humbën jetën, ndërsa Denisa dhe Nervida luftuan me vdekjen në spitalin e Traumës, duke ia dalë më pas.

Behar Pema shumë shpejt do të jetë i lirë falë prokurorit Binas Nina, i cili ka kërkuar vetëm 6 vite burg, me argumentin e palët përfaqësuese të viktimave dhe autorit kanë normalizuar marrëdhëniet. Kodi Penal parashikon një dënim nga 5 deri në 20 vjet burg për këtë vepër penale, ndërsa Binas Nina ka kërkuar vetëm 6 vite burg. Në këto rrethana, prokurori Binas Nina ka kontribuar që Behar Pema shumë shpejt të lërë qelinë, ndërsa gjyqtarja Konica në këtë rast ka pranuar kërkesën e prokurorit, duke e dënuar Pemën me 6 vjet burg, por për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, është dënuar përfundimisht me 4 vite. Si Nina, një prokuror i përfolur dhe i denoncuar për vendime të dyshimta, ashtu edhe Miranda Konica, nuk kanë dalë ende para Komisionit të Vetingut.

Ndoshta do të duhet një ndërhyrje e Kuvendit, për të ngushtuar marzhin e dënimit për vrasësit e rrugës, për t’u hequr çdo mundësi prokurorëve dhe gjyqtarët për t’i shpëtuar. Gjykata e Tiranës vendosi lirimin nga qelia disa ditë më parë të Jehon Breçanit, djalit 19-vjeçar të ish-zëvendësdrejtorit të Policisë Tiranë Erzen Breçani. Jehon Breçani u arrestua më 11 qershor 2021, një ditë pasi i këputi këmbën me makinë 23-vjeçares Xhesina Gega, e cila po ecte si zakonisht në trotuar, në rrugën  "Xhanfize Keko", në Tiranë. 19-vjeçari humbi drejtimin e makinës luksoze tip "Benz", për shkak të shpejtësisë së lartë, duke përplasur të renë, e cila përfundoi në gjendje kritike në spital, duke humbur njërën këmbë.