Me zë të dridhur e sy të përlotur, djali i Servet Pëllumbit i dha lamtumirën babait të tij duke thënë se nuk humbi vetëm prindin, por edhe një shtyllë të jetës. Arben Pëllumbi renditi mësimet që babai i ndjerë i ka lënë atij dhe familjes, ndërsa shprehu krenarinë për lidhjen midis tyre. Ai shtoi se largimi është boshllëk madh, por edhe dritë.
“Është e vështirë të gjesh fjalët kur humbet një baba, një shtyllë të jetës tënde, një figurë që të ka udhëhequr. Babai ynë nuk ishte thjesht prind, ishte njeri i rrallë. Ai na mësoi se jeta duhet jetuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe dashuri për familjen. Na mësoi të qëndrojmë të fortë, të mos ulim kokën dhe të ruajmë dinjitetin. Fjala e tij, prania, këshillat do të na shoqërojnë përgjithmonë. Sot jam krenar që jam djali i tij, për familjen që na la dhe vlerat. Ai do të jetojë gjithmonë te ne. Largimi i tij ka lënë një boshllëk të madh, por edhe një dritë të fortë, shembullin e jetës së tij. Lamtumirë profesor! Faleminderit për gjithçka na dhe, do të jesh gjithmonë mes nesh! U prehsh në paqe!”, tha Arben Pëllumbi.
Lajmi kryesor:
Lamtumirë Servet Pëllumbi! Krerët e shtetit dhe politika homazhe, Rama: Do të mbetet pikë referimi! I biri: Jam krenar për vlerat që na la









