Një kontroll policie në bypassin e Vlorës çoi në pranga një 25-vjeçar që lëvizte me armë zjarri dhe drogë me vete.

Makina tip “Benz” me të cilin po udhëtonte 25 vjeçari Florjan Hoxhaj u ndalua në rrethrrotullimin e bypass-it në fshatin Babicë e Madhe. Ai ishte në timon ndërsa në makinë ndodhej edhe bashkëmoshatari i tij 25-vjeçar Divjen Aliaj.

Gjatë kontrollit, policia gjeti në çantën e Hoxhajt një pistoletë me një krëhër dhe 5 fishekë. Pas kësaj, kontrolli vijoi edhe në banesën e tij, ku u gjetën 20 fishekë të tjerë, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një maskë silikoni që vishet si fytyrë njeriu.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 4 telefona celularë dhe automjeti me të cilin po lëviznin.

Në fund të veprimeve, Hoxhaj u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve, ndërsa Divjen Aliaj u vu në pranga për moskallëzim krimi.

Hetimet vazhdojnë për të parë nëse dy të rinjtë kanë lidhje edhe me ngjarje të tjera kriminale në qytet.

Njoftimi i plotë i Policisë 

Vlorë / Vijojnë goditjet kundër armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 25-vjeçari edhe një shtetas tjetër për moskallëzim krimi.

Sekuestrohen armë zjarri (pistoletë), municion luftarak, lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, maskë plastike, 4 aparate celularë dhe një automjet.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në DVP Vlorë në bashkëpunim edhe me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë ndaluar për kontroll një automjet tip “Benz”, në rrethrrotullimin e bypass-it, në fshatin Babicë e Madhe.

Automjeti drejtohej nga shtetasi F.H., 25 vjeç, banues në Vlorë, ndërsa pasagjer ishte shtetasi D.A., 25 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit F.H., në çantën e tij marsup iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri (pistoletë) me një krëhër me 5 fishekë.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 20 fishekë luftarakë, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa si dhe një maskë plastike.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 aparate celularë dhe automjeti i këtij shtetasi.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan shtetasit
* F.H., për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
•  D.A., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë hetimet për këta shtetas, si dhe për verifikimin e përfshirjes së tyre të mundshme në ngjarje të tjera kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme"