Kush e solli këtë armëpushim të çuditshëm mes Uashingtonit dhe Teheranit? I çuditshëm sepse i ngjan shumë edhe një tjetër taktike “TACO” të Trump-it: kërcënim total, pastaj shtyrje, pastaj “e shohim më vonë”.
Nuk ishte NATO, as OKB-ja, as Kina, e aq më pak Turqia apo Egjipti, edhe pse të gjithë morën pjesë në kor. E nxiti për të paktën dy javë, Syed Asim Munir Ahmed Shah: ish-shef i inteligjencës, gjeneral i kthyer në marshall me dekret, njeriu më i fuqishëm i vendit më kontradiktor në botë, Pakistanit.
Ministri i Jashtëm indian Jaishankar, armiku i tij i betuar, e ka quajtur atë “dalal”, që në urdu do të thotë servil, ndërmjetës i dyshimtë dhe, në një kuptim më pak fyes, ndërmjetës apo sekser. Një fyerje e menduar mirë. Por edhe një njohje e pavullnetshme.
Për të kuptuar pse pikërisht Pakistani e bëri botën të marrë frymë më lirshëm, mjafton të shohim çfarë po ndodh brenda dhe rreth kufijve të tij këto javë: një luftë e shpallur kundër talebanëve afganë, me bombardime mbi Kabulin; sulme të vazhdueshme të talebanëve pakistanezë brenda territorit; një kryengritje separatiste në Balochistan, në kufi me Iranin, me ofensiva të njëkohshme në 10 qytete; tensione të përhershme ushtarake në Kashmir me Indinë bërthamore; lideri më popullor i vendit, ish-kampioni i kriketit Imran Khan, në burg, si edhe gruaja e tij, me një dënim 17-vjeçar të quajtur “arbitrar” nga OKB-ja, në një vend ku kryeministrat përfundojnë mesatarisht të vrarë ose pas hekurave; katër milionë e gjysmë punëtorë në Gjirin Persik, remitancat e të cilëve (tani në rrezik) mbajnë gjallë ekonominë; një borxh strategjik kolosal ndaj Kinës; një pakt mbrojtjeje me Arabinë Saudite që mund ta tërheqë në luftë kundër Iranit.
Në gjithë këtë, Pakistani ka gjetur mënyrën të bëhet “ndërmjetësi i apokalipsit”.
Arsyeja është paradoksale: nuk është një vend i fortë në asnjë front, por është i vetmi që kalon nëpër të gjitha frontet. Ndërmjetësi ideal.
Munir ka ndërtuar me durim kanalin drejt Uashingtonit. Në administratën e parë të Trump-it, Pakistani ishte një bezdi për të cilën presidenti Trump shkruante në Twitter fjalë të ashpra. Gjërat kanë ndryshuar.
Pakistani e ka kuptuar si të bëjë më mirë: e ka propozuar Trump-in për Çmimin Nobel për Paqen, ka marrë pjesë në “Bordin e Paqes” të tij për Gazën, dhe e ka çuar Munirin për drekë në Shtëpinë e Bardhë.
Marshalli e ka joshur presidentin amerikan siç joshet një klient kapriçioz. Rezultati është që sot Munir flet në telefon gjithë natën me zëvendëspresidentin JD Vance, ndërsa ministri i Jashtëm pakistanez Dar mban lidhjen me Abbas Araghchi-n, kreun e diplomacisë iraniane.
Ndërsa menaxhon fatet e botës, Pakistani zhvillon një luftë në frontin afgan, pasi për dekada kishte besuar se mund t’i përdorte talebanët si vegla. Nuk doli kështu: që kur ata nisën të qeverisin në Kabul, atentatet në Pakistan janë dyfishuar, edhe sepse Islamabadi i tradhtoi gjatë gjuetisë për Osama bin Ladenin. Në shkurt, durimi mbaroi me bombardimet mbi Nangarhar dhe Paktika, të pasuara nga sulmet talebane dhe shpallja e luftës së hapur.
Vendi që ndërmjetëson paqen rajonale lufton njëkohësisht në kufirin e tij verior. Në perëndim është Irani, me të cilin Pakistani ndan 900 kilometra kufi në Balochistan, provinca më e madhe dhe më e varfër e vendit. Këtu separatistët e Ushtrisë Çlirimtare të Balochistan luftojnë prej dekadash për pavarësi, duke goditur infrastrukturën kineze, ushtrinë dhe bankat. Megjithatë, në këtë front ekziston një mirëkuptim i heshtur me Teheranin: nacionalizmi i Balochistan-it e kalon kufirin dhe të dy vendet kanë interes të përbashkët për ta shtypur. Në vitin 2024, Pakistani bombardoi objektiva të BLA-së në territor iranian, pa protesta formale nga Teherani. Pikërisht ky “fill” diskret është një nga bazat e besimit që bën të mundur ndërmjetësimin e Munirit me Iranin.
Pastaj është “nëna” Kinë, e cila ka investuar 62 miliardë dollarë në CPEC, korridori ekonomik që lidh portin e Gwadar-it me provincën kineze Xinjiang. Kur Munir shkoi në Pekin për të takuar ministrin e Jashtëm Wang Yi, rezultati ishte një propozim i përbashkët për armëpushim në Iran: jo vetëm solidaritet diplomatik, por interes industrial i drejtpërdrejtë. Kina importon 40 për qind të naftës së saj përmes Ngushticës së Hormuzit. Mbështetja e ndërmjetësimit pakistanez është politikë industriale.
Dhe në fund janë punëtorët në Gjirin Persik që dërgojnë në shtëpi 27 miliardë dollarë në vit. Pakistani ka nënshkruar në shtator 2025 një pakt mbrojtjeje me Arabinë Saudite, pa detyrim për ndërhyrje automatike. Kur Irani goditi infrastrukturën saudite, Islamabadi zgjodhi të mos e konsiderojë si “casus belli” (shkak për luftë). Fillin e tensionit e ka të tendosur, por nuk e ka këputur.
Është kjo hartë varësish të ndërsjella, ky rrjet borxhesh dhe frikërash, që shpjegon paradoksin. Një vend i fortë nuk do të bënte rolin e “dalal”-it mes fuqive rivale. Dobësia strukturore e Pakistanit, pamundësia për të përballuar armiq të fortë, e ka detyruar të mbajë të hapur çdo kanal: me Amerikën, Kinën, Arabinë Saudite dhe Iranin. Kjo shumësi ekspozimesh e ka bërë, në këtë moment të saktë historik, të vetmin vend në botë që mund të telefonojë njëkohësisht Uashingtonin dhe Teheranin pa e mbyllur asnjëri telefonin. Jaishankar donte ta fyente Munirin. Në vend të kësaj, përshkroi me saktësi të pavullnetshme mekanizmin që funksionoi: ndërmjetësi, ndonjëherë, është njeriu më i rëndësishëm që ekziston./ La Repubblica
Komente











