Banorët në zonat e thella malore të qarkut të Kukësit krahas dimrit të vështirë dhe dëborës që arrin në disa centimetra u duhet të përballen edhe me mungesën e mjekëve të familjes dhe infermierëve.
Kreu i Drejtorisë së Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kukës, Fadil Morina, thotë se problemi është shqetësues pasi në shumë fshatra shërbimi shëndetësor mbulohet nga mjekë që kanë dalë në pension. Sipas tij problem janë dhe infermierët të cilët edhe pse të punësuar sipas portalit ata nuk dëshirojnë të punojnë në zonat malore.
“Ne sot përballemi me mungesën e mjekëve të familjesh, shumë fshatra mbulohen vetëm nga mjekë të dalë nga pension. Në zonën e Shishtavecit rreth 6000 banorë mbulohen nga mjek i dalë në pension sepse kanë ikur. Problematik kemi dhe infermierët që janë punësuar nga portal por në zona të thella infermierët nuk duan të shkojnë. Arsyeja është sepse duan të punojnë në qytet ose në fshatra të afërt”, tha Fadil Morina.
Nga mungesa e personelit shëndetësor në fshatra banorët duhet të përshkojnë kilometra të tëra për të marrë mjekim në spitalin e Kukësit.
Mungesa e mjekëve është një problem shqetësues për verilindjen e vendit dhe kryesisht për zonat e thella malore. Për vitin 2020 për Bashkinë Kukës janë miratuar tre projekte për rikonstruksionin e tre qendrave shëndetësore në Bushtricë, Malzi dhe Mamëz ndërkohë që në 2019 u rikonstruktuan Qendrat Shëndetësore në Shtiqën, Tërthore dhe ambulanca në fshatin Lusën.
Ska shtet ngrihuni ne protesta
Përgjigju