Çmimi Nobel në Kimi për vitin 2025 u është dhënë shkencëtarëve Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar M Yaghi për punën e tyre mbi ‘zhvillimin e strukturave metaliko-organike’.
Njoftimi u bë nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në një konferencë për shtyp në Stokholm, Suedi. Tre fituesit do të ndajnë çmimin prej 11 milionë kronash suedeze (872,000 paund).
Profesor Kitagawa punon në Universitetin e Kiotos në Japoni, Profesor Richard Robson në Universitetin e Melburnit, Australi, dhe Profesor Omar M. Yaghi në Universitetin e Kalifornisë, SHBA.
Përmes zhvillimit të kuadrove metal-organikë, fituesit Kitagawa, Robson dhe Yaghi, i dhanë kimistëve në botë mundësi të reja për të zgjidhur disa nga sfidat me të cilat përballen.
Pas zbulimeve të fituesve, studiuesit kanë krijuar shumë kuadre metal-organikë (MOF) të ndryshme dhe funksionale. Deri tani, në shumicën e rasteve, këto materiale janë përdorur vetëm në shkallë të vogël.
Për të shfrytëzuar përfitimet e materialeve MOF për njerëzimin, shumë kompani po investojnë tani në prodhimin masiv dhe komercializimin e tyre.
Disa prej tyre kanë pasur sukses. Për shembull, industria e elektronikës mund të përdorë tani materiale MOF për të reduktuar disa nga gazrat toksikë që nevojiten për prodhimin e gjysmëpërçuesve. Një tjetër MOF mund të shpërbëjë gazra të dëmshme, përfshirë disa që mund të përdoren si armë kimike.
Ky është çmimi i tretë shkencor që jepet këtë javë. Të martën, John Clarke, Michel H. Devoret dhe John M. Martinis fituan Çmimin Nobel në Fizikë për punën e tyre në mekanikën kuantike që i hapi rrugën kompjuterit kuantik.
Komente










