TIRANE- Ndërsa ministri i Brendshëm, Flamur Noka vijon t’i qëndrojë tezës së tij se burrat e Kukësit janë më punëtor se ata të Beratit lidhur me lindshmëritë foshnjore, drejtori i Maternitetit të qytetit verilindor e hedh poshtë këtë fakt. Safet Elezi, shef i maternitetit të Kukësit thotë se gjatë vitit 2012 është vënë re një tendencë në rënie e lindjeve të bebeve, si pasojë e lëvizjes së popullsisë drejt qendrave urbane, apo si shkak i planifikimit familjar.

“ Ka një tendencë të lehtë të numrit të uljeve të lindjeve që sipas nesh ka të bëjë me lëvizjet e popullsisë drejt qendrave urbane si dhe një planifikim familjar që behet më i mirë keto vitet e fundit. Gjithashtu duke iu referuar këtyre shifrave të maternitetit për vitin 2012 shihet një mortalitet në shifra shumë të ulëta, si dhe një ulje e lindjeve para kohe që përbëjë edhe riskun më të madh për një vdekshmëri më te lartë.”- tha Elezi në një prononcim për Tv A1 Report

Sipas tij, vitet e fundit kjo tendencë ka ardhur duke u theksuar, duke u prirur gjithnjë e më tepër për një familje të vogël dhe me pak anëtarë. Flamur Noka një deklaratë të tillë e dha në interpelancë në Komisionin e Integrimit pasi u pyet mbi ndryshimet e mundshme të regjistrit të gjendjes civile, duke parë shtimin e popullsisë së Kukësit, në një kohë që banorët e këtij qarku largohen. Ai shtoi se fakti që në Kukës ka burra që shtojnë popullsinë, nuk është përgjegjësia e tij, por as e opozitës, ndaj sipas Nokës për këtë fakt duhen pyetur vetëm.


Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)