‘Non grata’, të dënuar dhe në arrati, ja çfarë ka ndodhur me 20 gjyqtarët dhe prokurorët e dosjes 'Gërdeci', hetuesi që u shantazhua nga Fatmir Mediu

‘Non grata’, të dënuar dhe në arrati, ja çfarë ka ndodhur me 20 gjyqtarët dhe prokurorët e dosjes 'Gërdeci', hetuesi që u shantazhua nga Fatmir Mediu

Shpërthimi në Gërdec dhe Fatmir Mediu

Më 24 shtator të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit pranoi kërkesën e SPAK për të rihapur dosjen e Gërdecit, me pasoja 27 viktima, 300 të plagosur dhe qindra banesa dhe biznese të rrafshuara. Për tragjedinë e përmasave më të mëdha që ka prodhuar korrupsioni i nivelit të lartë në historinë e pluralizmit në Shqipëri, janë dënuar vetëm zbatuesit e skemës së biznesit të vdekjes, ndërsa orkestuesit e provuar me një grup faktesh dhe provash, u shmangën nga hetimet, madje as nuk u pyetën nga prokuroria pas shpërthimit të 15 marsit 2008.

Pas 13 vitesh, SPAK ka bindur gjykatën për të rihapur hetimet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ka urdhëruar ngritjen e fabrikës së paligjshme të demontimit, nën udhëzimet e Sali dhe Shkëlzen Berishës.

Për 13 vite me radhë, Fatmir Mediu i shpëtoi gjykimit me manovra procedurale dhe nga mosveprimi i ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, ndërsa Sali dhe Shkëlzen Berisha nuk janë hetuar kurrë deri më sot.  Po kush janë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë marrë pjesë në dosjen e Gërdecit dhe cili është sot fati i tyre?

Treshja e Gjykatës së Lartë që shpëtoi Mediun 

Më 14 shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë, pranoi një memo të avokatëve të Fatmir Mediut, për të mbyllur dosjen e tij, me argumentin se ish ministri e kishte rifituar imunitetin pas zgjedhjes deputet në zgjedhjet e qershorit 2009. Pro ndalimit të gjyqit ndaj Mediu votuan anëtarët Besnik Imeraj, Ardian Nuni dhe Majlinda Andrea. Asnjëri prej tyre sot nuk është pjesë e drejtësisë. Besnik Imeraj dhe Ardian Nuni dhanë dorëheqjen dhe u larguan nga drejtësia, duke shmangur përballjen me Vetingun, ndërsa Majlinda Andrea u dënua për korrupsion nga vetë Gjykata e Lartë.

I dënuar dhe non grata

Në vitin 2012, Kuvendi miratoi heqjen e imunitetit të deputetëve nga ndjekja penale. Ky vendim i hapi rrugë Prokurorisë së Përgjithshme që të kërkonte vazhdimin e gjykimit të Fatmir Mediut. Prokuroria e Përgjithshme me në krye Adriatik Llallën, i emëruar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, nuk kërkoi vijimin e gjyqit për Mediun, duke i krijuar këtij të fundit një tjetër alibi, për t’i shpëtuar gjykimit, siç është parashkrimi i pretenduar i veprës penale.

Me 10 shkurt 2018, Adriatik Llalla dha dorëheqjen si prokuror nga drejtësia, duke evituar përballjen me Vetingun. Pesë ditë pas dorëheqjes, Adriatik Llalla u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor.

Në 22 shtator 2021, Llalla u dënua me vendim të formës së prerë me 1.4 vite burg për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë, ndërsa disa ditë para vendimit është arratisur në drejtim të paditur. Para dënimit, Llallës i është sekuestruar edhe një pjesë e pasurisë. Aktualisht Llalla është në kërkim ndërkombëtar.

Treshja e shkallës së parë

Në mars të vitit 2012, 4 vite pas tragjedisë, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dha vendimet për 29 të pandehurit e dosjes Gërdecit, duke shpallur 7 prej tyre të pafajshëm. Trupi gjykues përbëhej nga Fatmira Hajdari, Ridvan Hado dhe Shefkie Demiraj. Fatmira Hajdari është shkarkuar nga detyra me vendim të Komisionit të Vetingut, në 18 qershor 2020, për një pasuri të pajustifikuar me vlerë 948 mijë USD si dhe për fshehjen e anulimit të vizës amerikane. Ridvan Hado është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Vetingut në 24 qershor 2020 dhe ky vendim ka marrë formë të prerë. Ndërkaq, gjyqtarja Shefkie Demiraj nuk i është nënshtruar ende procesit të Vetingut.

Treshja e Apelit

Në 13 shkurt të 2013, në kundërshtim me apelimin e Prokurorisë, Gjykata e Apelit lehtësoi dënimet e të akuzuarve. Prokuroria kërkonte burg për jetë për drejtorin drejtor i MEICO-sYlli Pinari, biznesmenin Mihal Delijorgji dhe të administratorit të ish-fabrikës Dritan Minxholli. Që të tre dolën shumë shpjet nga burgu. Apeli u uli dënimet ndërsa rriti numrin e të pafajshmëve.

Trupa gjykuese përbëhej nga Alaudin Malaj, Genti Shala dhe Shkëlqim Miri. Gjyqtari Shkëlqim Miri është arrestuar, shkarkuar dhe dënuar më vendim të formës së prerë me 2.6 vite burg për korrupsion. Gjyqtarit i është sekuestruar edhe një pjesë e pasurisë.

Alaudin Malaj, i kallëzuar për fshehje pasurie nga ILDKPKI, dha dorëheqjen nga drejtësia në korrik të vitit 2020, duke evituar përballjen me Vetingun.  Genti Shala është konfirmuar në detyrë në gusht të vitit të kaluar nga Komisioni i Vetingut. Ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili kërkoi shkarkimin e tij nga detyra. Kolegji i Apelit në tetor të këtij vitit konfirmoi në detyrë gjyqtarin Shala.

Pesëshja e Gjykatës së Lartë që i vuri ‘vulën’

Prokuroria ankimoi vendimin e Apelit për Gërdecit në Gjykatën e Lartë, duke i qëndruar kërkesës për dënime më të ashpra, deri në tre dënime të përjetshme. Në korrik të vitit 2013, në mënyrë të fshehtë, 5 anëtarë të Gjykatës së Lartë, ‘vulosën’ mbylljen e Gërdecit, duke e shpallur tragjedinë një aksident teknologjik, version ky i deklaruar për herë të parë nga Sali Berisha.

Trupa gjykuese përbëhej nga Tom Ndreca, Admir Thanza, Shkëlzen Selimi, Medi Bici dhe Ardian Nuni. Nga pesë gjyqtarët, vetëm Medi Bici shpërben sot në drejtësi, pasi u konfirmuar në detyrë nga Vetingu dhe u emërua më pas në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Shkëlzen Selimi u shkarkuar me vendim të formës së prerë në shkurt të vitit 2019 për lidhje me krimin. Tom Ndreca u shkarkua nga Komisioni i Vetingut që në nëntor të 2018 për mosjustifikim pasuri dhe fshehje të lidhjeve me krimin. Ardian Nuni dha dorëheqjen, ndërsa Admir Thanza shkarkua nga detyra në korrik të 2018 pasi nuk justifikonte pasurinë si dhe kishte fshehur një dënim në Itali për vjedhje dyqanesh. Në maj të 2019, Thanza u dënua me 9 muaj burg për falsifikimin e formularit të vetëdeklarimit.

Grupi i prokurorëve

Grupi i prokurorëve që u angazhuan për të hetuar tragjedinë e Gërdecit përbëhej nga Zamir Shtylla, Kujtim Luli, Arqilea Koca, Alfred Progonati, Arben Dollapaj dhe Sokol. Hetimet janë kryesuar nga Zamir Shtylla, i cili dha dorëheqjen në dhjetor të vitit 2009, me motivin se nuk e gjente më veten në prokurori, pasi ishte sulmuar politikisht dhe ishte ulur në detyrë.

Kujtim Luli është konfirmuar në detyrë në dhjetor të vitit 2020 nga Komisioni i Vetingut, por ky vendim është ankimuar nga Komisioneri Publik në KPA. Arqilea Koca u shkarkua nga detyra në korrik të vitit 2019 për një kredi të butë nga Komisioni i Vetingut. Arben Dollapaj dhe Sokol Stojani janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Vetingut dhe sot janë pjesë e drejtësisë.

Fatmir Mediu shantazhi prokurorin Sokol Stojani

Prokurori Sokol Stojani ka deklaruar gjatë procesit të Vetingut se ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i ka bërë presion, pasi e procedoi penalisht për shpërthimin në Gërdec. Më datë 24 mars .2009, Fatmir Mediu kallëzoi prokurorin Stojani për shpërdorim detyre në Prokurorinë e Tiranës, me pretendimin se prokurori Sokol Stojani ka komunikuar me SMS me gazetarët që kanë qenë pjesë e panelit të emisionit, ku ka qenë i ftuar edhe Mediu. Në këto komunikime, sipas Mediut, prokurori u ka sugjeruar gazetarëve pyetje publike.

Këtë veprim, Mediu e konsideroi si vepër penale “Shpërdorim detyre”. Prokuroria vendosi “Mosfillmin e procedimit penal, pasi fakti nuk parashikohej nga ligji si vepër penale. Sokol Stojani ka shpjeguar se kallëzimi i Mediut ishte pjesë e strategjisë së tij dhe shantazhit për të shpëtuar nga përgjegjësia për dosjen Gërdeci.

“Ish-ministri i proceduar penalisht prej nesh synonte të vepronte taktikisht me kërkesa procedurale, që t’i imponohej Prokurorit të Përgjithshëm, por dhe mua si drejtues i hetimeve ndaj tij për të dhënë dorëheqjen nga çështja”, është shprehur prokurori. Prokurori Sokol Stojani thotë se ka refuzuar të dorëhiqej nga drejtimi i grupit hetimor për dosjen Gërdeci, ku i pandehur ishte marrë edhe Mediu.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Agim: 14/11/2021 05:39

    Zamir Shtylla, ai ishte kumbari i deshtimit te hetimit te Mediut. Ai beri pazar, dogji hetimet dhe u dorehoq me premtimin qe te mos merrej njeri me me te. Me ate "investigoni" nese u a mban.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën