Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç pritet të takohen sot në Bruksel ku do të diskutojnë për hapat ë ardhshëm në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ditën e djeshme qeveria e Kosovës, tha se Bislimi të hënën ështën isur drejt Brukselit ku do të marrë pjesë në takimet e rradhës në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë.
Takimi do të organizohet nga ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak i cili është edhe i dërguari i Posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Bashkimi Evropian deklaroi ditën e djeshme se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të dy vendeve.
Të shtunën u dogjën tri vetura në Leposaviç, një komunë e banuar me shumicë popullsie serbe në veri të Kosovës. Dy prej makinave ishin me targa RKS dhe njëra me targa të Beogradit. Më pas policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar një serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se ka marrë pjesë në djegien e një makine dhe sulmin ndaj policisë së Kosovës.
Takimi Bislimi-Petkoviç është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u dakordësuan për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.
Marrëveshja e dakordësuar por e pafirmosur
Në faqen zyrtare të BE-se është publikuar edhe dokumenti i Aneksit të Implementimit të propozimit franko-gjerman. Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse - që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi - në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi. Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.
Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.
Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues. Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht. Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.