Numri i pasagjerëve i deklaruar nga Prokuroria italiane që kanë qenë në bordin e tragetit, është 499, një shifër kjo që ndryshon nga lista zyrtare e të regjistruarve në Norman Atlantik, sipas të cilës bëhej fjalë për 478 persona. Kryeprokurori italian Giusepe Volpe doli në këtë shifër pasi mes të mbijetuarve të kësaj tragjedie, rezultuan edhe 3 klandestinë sirianë dhe 18 persona të tjerë të cilët kishin hipur në traget në momentet e fundit, që e cuan në 499 nurmin.
Sipas llogarive që Shqiptarja.com bën tashmë numri i të personave që mendoheshin se ishin të zhdukur zvogëlohet dhe shkon në 22 (499 pasagjerë në total-477 të shpëtuar = 22 të humbur). Kjo shifër vjen duke iu bazuar të dhënave zyrtare të paraqitura nga autoritetet italiane. Këtë të mërkurë ishte Prokurori Volpe i cili tha se fati i 98 personave në bordin e tragetit italian mbetej mister.
Numri i viktimave të incidentit në tragetin “Norman Atlantic” i cili u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të së dielës ndërsa ndodhej 12 milje larg ishullit të Sazanit, deri më tani ka mbetur në 11, 9 viktima janë gjetur në det dhe janë marrë nga anijet ushtarake të shpëtimit, ndërsa dy trupat e tjerë janë pikasur por nuk ka qenë e mundur të merren nga ekipet e shpëtimit.
Volpe: Nuk dihet fati i 98 personave
Mbetet ende mister fati i 98 pasagjerëve të ndodhur në bordin e tragetit italian të marrë flakë, “Norman Atlantic”. Kjo është deklarata e lëshuar nga Prokurori i Barit, Giuseppe Volpe i cili theskoi se janë 98 persona për të cilët nuk ka ende asnjë të dhënë se ku mund të jenë, ndërsa shton se bilancin përfundimtar do të mund të bëhet kur të verifikohet se në bordin e tragetit nuk ka viktima.
“Janë rreth 98 persona, për të cilët nuk ka asnjë të dhënë se ku mund të jenë. Bilancin përfundimtar mbi të humburit mund t’a bëjmë vetëm kur të verifikojmë nëse në bordin e anijes ka viktima”. tha Volpe
Andoni: Trageti do të zhvendoset në Itali
Ora 16:20 Shefi i Kapitenerisë së Vlorës, Dionis Andoni në një intervistë për mediat italiane ka theksuar se prioritet mbetet zhvendosja e tragetit "Norman Atlantic" nga brigjet shqiptare dhe transportimi i tij drejt portit të Brindisit.
Andoni është shprehur se “Norman Atlantic” mbetet ende jashtë kontrolli duke përbërë kështu ndër të tjera edhe një dëm ekologjik, ndërsa shton se deri më tani nuk ka asnjë kërkesë nga autoritetet italiane për ta ankoruar atë në portin e Vlorës.
Ai nënvizon se ashtu siç është vendosur nga bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare me ato italiane, trageti është nën juridiksionin e Italisë dhe duhet të transportohet drejt Brindisit.
“Ne jemi të interesuar që trageti të dalë jashtë brigjeve të Vlorës sa më parë, pasi është i pakontrollueshëm dhe përbën një rrezik ekologjik. Tashmë trageti, sipas vendimit të autoriteteve tona, ndodhet nën juridiksionin italian dhe duhet të transportohet drejt Italisë.
“Norman Atlantic” ndodhet aktualisht 3.5 milje larg ishullit të Sazanit, teksa do të qëndrojë në brigjet shqiptare deri në përmirësimin e motit, dhe më pas të transportohet drejt portit të Brindisit.
Bashkëshortja: Burri im ndodhet në Shqipëri, ju lutem kërkojeni
Ora 15:34 "Bashkëshorti im është në Shqipëri, kërkojeni atje ju lutem kërkojeni atje." Ky është apeli i Marias, bashkëshortja e Carmine Balzano, e cila ishte në tragetin “Norman Atlantic”, i përfshirë nga flakët gjatë së dielës së shkuar. Ajo shprehet se për të fundit ka kontaktuar me burrin e saj kur ai ishte në varkën e shpëtimit, dhe se prej atë kohë nuk ka dëgjuar më për të.
"Ishte në varkën e shpëtimit dhe më ka telefonuar prej andej atë natë. Është në Shqipëri në gjendje konfuze, ju lutem mos i ndaloni kërkimet." shprehet Maria
Trageti, drejt radës së Vlorës, moti i keq e lë në brigjet shqiptare
Ora 15:25 Trageti italian që u përfshi nga flakët mëngjesin e së dielës, “Norman Atlantic” do të vazhdojë të qëndrojë në radë në gjirin e Vlorës, pasi rimorkiuesit italianë nuk kanë mundur t’a tërheqin drejt Puglias për shkak të kushteve metereologjike.
Mësohet se asgjë nuk ka ndryshuar nga vendimet e marra gjatë ditëve të mëparshme, pasi trageti italian do të ankorohet në portin e Brindisit, por për shkak të kushteve të motit ai do të vazhdojë të qëndrojë në brigjet shqiptare, deri në një përmirësim të kushteve atmosferike. Më pas trageti do të drejtohet drejt Puglias për t’u ankoruar në portin e Brindisit, ku edhe pritet t’i nënshtrohet hetimeve të autoriteteve italiane.
Ndërkohë edhe Prokurori i Barit Giuseppe Volpe, sqaroi se stuhia detare e bën të pamundur lëvizjen e anijes në drejtim të brigjeve italiane ndaj ajo do të qëndrojë në brigjet shqiptare, ku aktualisht ndodhet rreth 10 milje nga porti i Vlorës
Në deklaratën e fundit për shtyp Volpe ka saktësuar se në Greqi gjatë orëve të fundit kanë mbërritur vetëm 80 persona nëpërmjet një helikopteri dhe një anije tregtare, ndërsa për fatin e një tjetër anije që ka marrë pjesë në operacionin e shpëtimit nuk dihet asgjë pasi sipas prokurorit ka humbur gjurmët.
“Norman Atlantic” është rimorkiuar por për shkak të kushteve meteorologjike nuk mund të ankorohet në Puglia. Prandaj ajo do të qëndrojë në brigjet shqiptare deri sa kushtet atmosferike të mund të lejojnë transportimin e tij drejt Brindisit.” është shprehur Prokurori Volpe
Nga ana e saj edhe Ministria e Mbrojtjes e kontaktuar nga televizioni A1 Report, ka konfirmuar se trageti “Norman Atlantic” nuk do të ankorohet në portin e Vlorës por do të qëndrojë në brigjet e Vlorës, ashtu siç është vendosur nga bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.
Që në orët e para të mëngjesit është rimorkiatori “ Marietta Barretta” në aksion për të mbajtur nën kontroll tragetin dhe lëvizja do të bëhet me kujdes.
Kapiteni i tragetit nën hetim: U respektuan normat e sigurisë
Pas tre ditësh operacion në det anija ushtarake italiane “San Giorgio” është ankoruar mbrëmjen e së martës në portin e Brindisit, me mbi 200 pasagjerë të shpëtuar të tragetit të djegur “Norman Atlantic”. Imazhet e para të mbërritjes në tokë të të mbijetuarve shprehin qartë fundin e agonisë të të qenit nën kërcënimin e flakëve, detit të hapur dhe temperaturave të ulëta. Përqafimi i të evakuarve me familjarët e tyre është një nga çastet më prekëse të kësaj tragjedie, që deri më tani ka shënuar 11 jetë të humbura.
Mes pasagjerëve të shpëtuar janë edhe 18 shqiptarë të cilët kishin zgjedhur të udhëtonin me tragetin italian nga Igumenica drejt Ankonës, destinacion i cili u ndërpre pas SOS-it të dhënë mëngjesin e të dielës kur hambari i “Norman Atlantic” u përfshi nga flakët. Anija ushtarake e shpëtimi “San Giorgio” solli në Brindisi edhe trupat e 5 pasagjerëve, të cilët u gjetën të pajetë në tragetin fatkeq.
Ndërsa operacioni i shpëtimit vijon ende për të zbuluar viktima të tjera që mund të kenë humbur jetën në këtë tragjedi, tashmë e gjithë vëmendja e drejtësisë italiane është përqendruar në zbulimin e shkakut që solli zjarrin në traget. Përgjigjet e para i ka dhënë kapiteni i “Norman Atlantic”, Armilio Giacomazzi, i cili me të mbërritur në Brindisi me anijen San Giorgio është marrë në pyetje nga hetuesit.
Kapiteni i tragetit të tragjedisë për 5 orë e gjysmë u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit Ettore Cardinali dhe të zyrtarëve të tjerë të portit të Barit. Ende nuk është zbuluar çfarë ka thënë kapiteni por mediat italiane zbulojnë pak fjalë të tij ku sqaron se ka qenë një makth i vërtetë, por për Giacomazzin deti do të mbetet sërish mik. Sipas tij janë respektuar të gjitha normat e sigurisë. Ndërkaq prokuroria po heton edhe mundësinë se zhvillohej trafik klandestinësh. Përveç kapitenit edhe pasagjerët dhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit janë marrë në pyetje si dëshmitarë.
Trageti “Norman Atlantic” u nis në orët e para të mëngjesit të së dielës nga Igumenica e Greqisë me destinacion Ankonën e Italisë, ndërsa dha alarmin SOS për përfshirjen nga flakët kur ndodhej rreth 12 milje larg ishullit të Sazanit. Aktualisht të vetmit të dyshuar si përgjegjës për ngjarjen e rëndë janë kapiteni i “Norman Atlantic”,Giacomazzi dhe pronari i tragetit Carlo Visentini. Mbi ta rëdojnë akuzat “vrasje nga pakujdesia e mbytjes së anijes” dhe “vrasje dhe plagosje e shumëfishtë”.