BRINDISI - Në tragetin që u përfshi nga flakët mëngjesin e 28 dhjetorit 2014, “Norman Atlantic”, pranë brigjeve shqiptare, rezultojnë 18 persona të zhdukur, mes të cilëve 16 pasagjerë, dhe 2 klandestinë.

Është Prokuroria e Barit e cila ka arritur në këtë konkluzion, pas investigimeve të kryera në tragetin italian, në të cilin u përfol se numri i të zhdukurve nuk do të kalonte 15 persona.

Por nga hetimet e kryera nga ana e organit të akuzës së Barit, është bërë një rivlerësim i situatës, ku gjatë inspektimeve të kryera, ka rezultuar se janë gjithsej 18 persona të zhdukur, të cilët ishin pjesë e bordit të “Norman Atlantic”.

Në mesin e këtyre personave, siç bën të ditur Prokuroria e Barit, rezultojnë 16 pasagjerë, në mes të cilëve edhe dy shoferë italianë, të identifikuar si Carmine Balzano, nga Napoli, dhe Giuseppe Mancuso, nga Messina.

Po ashtu në mesin e personave të zhdukur rezultojnë edhe nëna e viktimës 15 vjeçare Racha Charif, me leje qëndrimi në Gjermani dhe e dyshuar me origjinë shqiptare. Po ashtu i zhdukur rezulton edhe i dashuri i viktimës turke Havise Savas, ndërsa dymbëdhjetë të zhdukurit tjerët mësohet se janë shtetas grekë dhe turqë. 

Ndërkohë sipas Prokurorisë së Barit, dy klandestinët e humbur rezultojnë të jenë nga Siria dhe kjo për shkak të telefonatave të familjarëve të cilët janë interesuar për të afërmit e tyre, duke bërë të ditur se ata ishin në bordin e tragetit italian në mënyrë të jashtëligjshme.

Ndërkaq, numri i viktimave të zbuluar deri më tani sipas autoriteteve italiane mësohet se është nëntë.

Tashmë sipas të dhënave të fundit të Prokurorisë së Barit, numri i personave në bordin e “Norman Atlantic” dyshohet se është më i madh se 499 persona (478 është kapaciteti i tragetit italiane, duke shtuar 18 persona mbi normat e lejuara si dhe 3 klandestinë), numër ky që doli nga lista e pasagjerëve.

“Norman Atlantic” u nis nga brigjet greke më 27 dhjetor, ndërsa dha alarmin për ndihmë në orën 4:30 të mëngjesit të së dielës së 28 dhjetorit, duke u kthyer në një tragjedi për pasagjerët të cilët ndodheshin në bord. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)