Shqipëria renditet në vendin e 20-të në botë për nivelin më të ulët të kërcënimeve strategjike ndaj paqes dhe demokracisë, sipas Indeksit Normandy për vitin 2025, të përgatitur nga European Parliamentary Research Service. Krahasuar me vitin 2024, vendi ynë ka shënuar progres të dukshëm, duke u ngjitur me gjashtë pikë në renditjen globale.

Sipas indeksit, Shqipëria dhe Kosova udhëheqin rajonin e Ballkanit për sa i përket nivelit të ulët të kërcënimeve strategjike. Kosova renditet e 13-ta në botë dhe e para në Ballkanin Perëndimor për Siguri Strategjike, duke u pozicionuar mes 10% të vendeve më të sigurta në nivel global.

Menjëherë pas Shqipërisë renditet Mali i Zi, në vendin e 21-të, i cili gjithashtu ka shënuar përmirësim domethënës. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka regjistruar regres, duke zbritur me pesë vende në vendin e 26-të.

Serbia renditet e parafundit në Ballkanin Perëndimor, në vendin e 41-të, çka sipas indeksit reflekton rritje të kërcënimeve dhe rënie të nivelit të sigurisë.

Bosnje Hercegovina renditet në vendin e 54-tw duke u konsideruar si para një rreziku më të lartë se mesatarja europiane, veçanwrisht kur bëhet fjalë për proceset demokratike.  

Lista e renditjes së vendeve nëe Indeksin Normandy për vitin 2025.

Indeksi Normandy vlerëson një sërë fushash kyçe, përfshirë stabilitetin politik dhe institucional, sundimin e ligjit dhe funksionimin demokratik, reziliencën ndaj dezinformimit dhe ndikimeve të huaja, rrezikun e konflikteve dhe sigurinë kombëtare, si dhe kërcënimet hibride dhe presionet e jashtme.

Në vlerësimin për Shqipërinë, raporti thekson progresin e bërë në reformat ekonomike dhe politike, duke përmendur anëtarësimin në NATO në vitin 2009 dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimi Europian në mars të vitit 2020. Indeksi e cilëson Shqipërinë si një shembull të tolerancës dhe diversitetit fetar.

Cilat janë rreziqet që i kanosen Shqipërisë?

Megjithatë, raporti evidenton se vendi vijon të përballet me sfida të rëndësishme ekonomike dhe demokratike. Sipas Indeksit Normandy, rreziku më i madh për Shqipërinë lidhet me vetë proceset demokratike. Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 përshkruhen si “konkurruese dhe të administruara në mënyrë profesionale”, por të zhvilluara në një klimë të fortë polarizimi politik, ku garuesit nuk kishin kushte të barabarta.

Pas proceseve demokratike, krizat ekonomike renditen si rreziku i dytë më i madh për vendin, të ndjekura nga brishtësia e shtetit, siguria kibernetike, ndryshimet klimatike dhe kriminaliteti.

Indeksi Normandy është një instrument vlerësimi që analizon nivelin e kërcënimeve strategjike ndaj paqes dhe demokracisë në vende të ndryshme të botës, duke u fokusuar në stabilitetin politik, sigurinë, demokracinë dhe ndikimet e brendshme e të jashtme.