Nostalgji nëpërmjet tingujve! Nota shpresëdhënëse nga artistët që qëndrojnë në shtëpi

Nostalgji nëpërmjet tingujve! Nota shpresëdhënëse nga artistët që qëndrojnë në shtëpi

Disa melodi janë thjeshtë të paharrueshme dhe na mbushin me frymezim sa herë i dëgjojmë.
Të përzgjedhura, melodi që të bëjnë nostalgjikë janë luajtur nga shtëpitë e tyre nga artistët, të cilët në pamundësi për të bërë koncerte në këtë kohë pandemie, kanë sjellë në mënyrë virtuale artin në shtëpitë tona.
Nga meloditë e filmave të vjetër shqiptarë, te këngët legjenda të muzikës botërore, kanë ardhur të luajtura me mjeshtëri nga instrumentistë të rinj e profesionistë shqiptarë, si shpresë për jetën dhe në emër të saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:02
Aktori Shkëlqim Jaupi surprizon nga karantina, interpretim brilant i vargjeve të Petrit Rukës (VIDEO)

Aktorët e qyteti të Korçës këto ditë të karantinimit përcjellin online tema dhe ide interesante dhe të kuruara me kujdes. Dikush  krijon humor në karantinë, dikush reciton poezi të zgjedhura nga poetët më të njohur shqiptarë.

Një nga aktorët e njohur Shkëlqim Jaupi ka zgjedhur një nga poezitë më brilante të poetit të njohur Petrit Ruka, e cila i dedikohet gruas dhe është një himn për domosdoshmërinë e saj në jetën e çdo burri. Duke qenë se për recitimin e kësaj poezie të njohur janë përpjekur shumë aktorë, Shkëlqim Jupi sjell një nga interpretimet më të rralla poetike.

Poezia e Petrit Rukës “Këngë për gruan”

Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.

Kemi gënjyer njeri-tjetrin,kemi bërtitur s’të dua,
Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua,
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.

Pastaj jemi përqafuar; “e po unë isha në gjumë”
Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,
Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)
Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as OKB-ja s’ka parë.

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar
Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!

Ora 18:54
Koronavirus në Kosovë, Ylli Limani: Bëj pazaret...ja rutina në karantinë

Në fakt askush nuk e kishte menduar, por karantina i ka bërë meshkujt ‘më të përgjegjshëm’ për detyra që në jetën e përditshme shpesh ia faturojnë femrave. Të bërit Pazar, punët e shtëpisë, gatimi, hekurosja tashmë në karantinë janë ‘dënime’ nga të cilat meshkujt nuk shpëtojnë…edhe nëse ata gëzojnë statusin VIP.

Këtë na e ka dëshmuar mësë miri Yll Limani, këngëtari aq I dashur për të gjithë, I cili ‘thyen’ zemra me baladat e tij.Në një lidhje skype në emisionin “Rreze Dielli” këngëtari kosovar Yll Limani shprehet se ditët e karantinës I ka kaluar në shtëpi, por ka bërë edhe pazar!

“Zakonisht pazaret për shtëpinë I bëjnë prindërit në marketet pranë, por që kur jemi karantinuar, kam bërë edhe unë pazar dy herë. Vetëm dy herë, këto janë edhe shumë të populluara, kam shkuar për qejfin tim më shumë” thotë këngëtari.

Ora 18:30
Atmira Rira pikturon pranverën në karantinë: “Çdokush të mundohet për të bukurën në shtëpi” (VIDEO)

Piktorja e njohur Atmira Rira, në një mesazh për Report TV nga studioja e saj shprehet se ajo është artiste dhe po bën pranverën e munguar të këtij viti në tablo, por ajo këshillon se të gjithë duhet të provojnë të bëjnë piktura.

“Të mos thonë nuk di, arti i madh është bërë, ndërsa gjëra të bukura në shtëpi mund të bëjë çdo njeri”, shprehjet piktorja, ndërsa rrëfen punën e saj me motive pranverore nga karantina. Ndërkohë Atmira Rira rrëfen e emocionuar se gjatë qëndrimit në shtëpia ajo ka komunikuar dhe është surprizuar nga studentët e saj, të cilët janë ulur të gjithë të pikturojnë dhe tashmë kanë gati një ekspozitë me vepra arti.

 

Ora 18:10
Ironia e poetes kosovare, Vlora Konushevci: Politikanët i bashkoi Covid- 19 për rrëzimin e qeverisë (VIDEO)

Vlora Konushevci, një nga zërat më të rinj të poezisë shqipe, në një mesazh për Report TV rrëfen se përgjatë ditëve të karantimit ka reflektuar se çfarë ka ndodhur me kastën politike të Kosovës në këto 20 vjet dhe çfarë po ndodh në kohën e pandemisë COVID 19.

Vlora Konushevci i ka dedikuar një poezi situatës politike dhe shprehet ndër të tjera se “politikanët në Kosovë u bashkuan vetëm gjatë periudhës së Covid 19, dhe ky bashkim u bë vetëm për të rrëzuar qeverinë. “. Vlora Konushevci vlerësohet nga penat më të njohura të kritikës në Kosovë, ndërkohë që është edhe veprimtare në mbrojte të të drejtave humane.

 

Ora 09:40
Dua Lipa mesazh nga krevati i saj: Qëndro në shtëpi! (VIDEO)

Ka gjetur një mënyrë shumë origjinale këngëtarja me famë botërore Dua Lipa për të thënë 'Qëndroni në Shtëpi'. Me anë te një video me efekte të ndryshme tërheqëse, ajo këndon 'Stay at home' (Qëndro në shtëpi).

Ora 09:37
'Tomka dhe shokët e tij', melodia që na ka shoqëruar kaq vite vjen në violinë nga Flogert Shatraj (VIDEO)

Idetë e bukura nuk kanë munguar te artistët shqiptarë, të cilët vazhdimisht kanë sjellë muzikë nga shtëpitë e tyre, si një mënyrë për të shëruar shpirtin në kohën kur koronavirus nuk ka kursyer jetë njerëzish.
Violinisti Flogert Shatraj nëpërmjet violinës së tij ka sjellë tinguj shprese, mesazhe dhe nostalgji për muzikën e vërtetë.
Çdo ditë sjell mini koncerte nëpërmjet rrjeteve sociale. Këtë herë ai ka sjellë melodinë që na con te filmi shqiptar, 'Tomka dhe shokët e tij'. 

Ora 09:34
'Clair de lune' e Debussy sillet në piano nga Merita Rexha Tërshana (VIDEO)

Pianostja Merita Rexha Tërshana sjell melodinë për dritën e bukur dhe të trishtë të hënës nën tingujt e pianos, 'Clair De Lune', të Debussy. Një melodi që të fton të ëndërrosh për të gjetur shpresën te trishtimi, dritën te errësira, si një mesazh për botën që po përballet me sfidën e vështirë të koronavirus.

Ora 09:33
Melodi relaksuese në këtë kohë pandemie! Vogëlushja Zhaklina Zejneli sjell 'Bella Ciao' në fizarmonikë (VIDEO)

Koronavirus i tregoi botës se sa breza të talentuar po rriten. Me krijimet artistike të tyre, por edhe performancat e ndryshme muzikore fëmijët kanë qenë mjaft aktivë në rrjetet sociale.
Instrumentistja Zhaklina Zejneli ka sjellë në fizarmonikë melodinë e 'Bella Ciao', si një mënyrë relaksimi në këtë kohë pandemie.

D.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë