Dua të them se nostalgjia për Prishtinën e vjetër, që më ngjan herë si ëndërr vere dhe herë si lëngatë përhanieje, mbi të gjitha është disi metafizike, është nostalgji fetare, në esencën e saj dëshpëruese, që shkakton zymtësi dhe makth dhe që nuk ka asnjë mbështetje në realitetin jetësor të Kosovës së ditëve tona.
Nostalgjia për Prishtinën e vjetër, pavarësisht se mund të shfaqet si preokupim modern, ndonjëherë madje edhe pragmatik-utilitar, është një histori e veshur me xhybe dhe e mbështjellë me çallmë.
Nostalgjia për Prishtinën e vjetër, për Prishtinën e humbur është nostalgji për historinë dhe kohën e saj më të errët, është nostalgji për identitetin e saj oriental, për Prishtinën e syfyrëve dhe teravive, për Prishtinën e mejtepeve dhe të mevludeve.
Ata fisnikët perëndimorë të Prishtinës së vjetër, që tani së fundi u shfaqën në pamje të panjohur, duket sikur vijnë nga ndonjë ëndërr e marrë hua, pale nga çfarë librash dhe historish të lexuara në pritje të një vere të gjatë.
Këta që flasin sot për Prishtinën e vjetër duhet t’i sqarojnë dy gjëra: e para, se nostalgjia për Prishtinën qytetëse mos është lënduese për ta, pikërisht për arsye se ajo Prishtinë nuk i pranoi kurrë të bëheshin pjesë e saj; dhe, e dyta, duhet ta bëjnë të qartë se për cilën Prishtinë e kanë fjalën, cilën Prishtinë e duan: atë fashiste, që i dorëzoi hebrenjtë, apo atë antifashiste, që i mbrojti hebrenjtë; për Prishtinën antikomuniste që kishte një kamp përqendrimi, ku u internuan dhe u pushkatuan 104 intelektualë shqiptarë, apo për Prishtinën indiferente ndaj reprezaljeve serbe dhe komuniste? Dy-tri vjetët e pushtimit italian nuk ndryshojnë gjë në historinë katërqind-pesëqind vjeçare të Prishtinës.
Pa shihni tani! Sekush paska shkruar në një roman se në Prishtinë pas Luftës së Dytë Botërore qenkan vrarë nga komunistët jugosllavë 350 fisnikë, se ca të tjerë qenkan dëbuar në Turqi etj. Dhe dikush tjetër del e thotë se në Prishtinë duhet ngritur një memorial në kujtim të kësaj reprezaljeje. Por unë them se Prishtina si kryeqytet i Kosovës duhet të mbahet pas një memorieje më historike dhe jo aq pas fantazive jollogaridhënëse të shkrimtarëve, ndonëse në këtë “tarikat” bëj pjesë edhe unë. Në memorien e saj do të duhej të gjenin vend ngjarje të tjera, përmasash gjigante në krahasim me atë që u apostrofua me këtë rast. Ku është përkujtimorja e Prishtinës për reprezaljet e vitit 1912-13, me rastin e pushtimit të Kosovës nga Serbia?
Askush nuk e di as numrin e saktë të shqiptarëve të vrarë në ato vite, 20 apo 30 mijë? Ku e kemi memorialin për viktimat e Luftës së Dytë Botërore, të tillë që i kanë të gjithë kryeqytetet e Europës? Edhe ne e kishim një të tillë para Fakultetit Filozofik, e hoqi Serbia dhe ne nuk menduam ndonjëherë se duhej ta kthenim. Po sa shqiptarë u vranë në Kosovë në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, e di kush? As të shkruar në letër nuk e kemi numrin e tyre, e jo më të përjetësuar në ndonjë përkujtimore.
Disa shënime thonë se vetëm nga OZNA janë vrarë mbi 10 mijë veta, pas shpalljes së gjendjes ushtarake, ndërsa janë dëbuar nga Kosova 4-5 mijë persona, pas ripushtimit të Kosovës nga Serbia. Midis tyre duhet të kenë qenë edhe ata fisnikët e Prishtinës, por numrin më të madh e përbënin antikomunistët dhe nacionalistët shqiptarë. E për LNDSH-në a kemi një memorial në Prishtinë? Po për masakrën e Tivarit? E ku e ka Prishtina memorialin për të rënët në luftën e fundit? Ç’është, pra, ky dilir i marrëzishëm! Se mos ata 350 fisnikët e Prishtinës, për shkak të gjakut të tyre “të kaltër” qenkan më të vlefshëm se 13 mijë të rënët në këtë luftë! Si mund t’i jepet gjithë kësaj një emër tjetër, përveçse eufori “mistike”, duke pritur iftarin? Pa fshini sytë një herë dhe shihni se në mes të Prishtinës ende qëndron simboli i vëllazërim-bashkimit jugosllav dhe askush nuk merr guximin të thotë nëse kjo përkujtimore duhet të mbetet aty ku është apo të rrafshohet me tokë.
2. Ndërkaq, për ata që kanë harruar, apo nuk e kanë ditur kurrë, dua të sjell në kujtesë se çfarë ishte Prishtina para periudhës komuniste. Ishte një kasaba e mjerë, çfarë ishin shumica e kasabave ballkanike në fillim të shek. XX, qyteza të periferisë së largët të Perandorisë otomane. Me përjashtim të kohës kur ishte qendër e sanxhakut me të njëjtin emër, ajo nuk luajti ndonjë rol as në këtë perandori, as në historinë shqiptare. Nuk ishte as si Manastiri, as si Shkupi, madje as si Prizreni. Lexoni pak histori dhe do të shihni se në periudhën e lëvizjeve të mëdha çlirimtare, nga Lidhja e Prizrenit dhe prapa, Prishtina ishte e përfshirë në lëvizjen paralele, e cila ngatërroi dhe deformoi pikësynimet e lëvizjes kombëtare shqiptare: Prishtina qytetëse me parinë e saj ishte e përfshirë në lëvizjen që synonte mbajtjen e Perandorisë osmane në Ballkan dhe Europë. Por duhet ta pranojmë se as në këtë lëvizje nuk arriti të kishte ndonjë rol të rëndësishëm.
Ndërkaq, nostalgjikët e sotëm të Prishtinës së vjetër duhet ta mësojnë si u ruajt e paprekur kjo qytezë-kasaba gjatë periudhës së Mbretërisë Jugosllave, pse u ruajt e tillë, e padeorintalizuar? Sepse orientalizma e saj dhe e qytezave të tjera të Kosovës i shkonte për mbroth politikave antishqiptare të programit nacional serb. Serbia dhe Mbretëria Jugosllave e ruajtën me kujdes orientalizmin e Kosovës, si argument i favorshëm kundër identitetit shqiptar. Prishtina dhe kasabatë e tjera të Kosovës e ruajtën identitetin e tyre otoman si subversion i hapur kundër identitetit shqiptar dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.
Unë nuk them se dikush sot duhet të ndihet keq për këtë gjë, por them gjithashtu se askush nuk mund të mburret me këtë histori të palavdishme.
Historia jonë nuk e thotë aq zëshëm, por është e njohur se në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që nga Lidhja e Prizrenit dhe prapa, kishte brenda vetes edhe një rrymë e fuqishme proturke, e cila hera-herës ka arritur t’ia ndryshojë edhe kahjen lëvizjes dhe ta kthejë atë në mbrojtëse të flakët të Perandorisë otomane. Kjo rrymë proturke i ka bërë dëm të madh lëvizjes sonë kombëtare, qoftë me përçarjet e brendshme, qoftë në planin e jashtëm. Mbi të gjitha, ndikoi tmerrësisht keq në vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Londrës dhe në atë të Parisit. Them se edhe sot, pas kaq kohësh, në situata të ndjeshme për Kosovën kjo lëvizje merr fuqi dhe i jep drejtim të gabuar çështjes shqiptare. Ndonëse ndonjëherë nuk janë aq të dukshme, ngjashmëritë largvajtëse janë po ato. Në mos qoftë asgjë tjetër, mjafton të afishohet historia jonë e veshur me xhybe hoxhallarësh, një histori joevropiane e shqiptarëve si “myslimanë shqipfolës” apo për perceptimin gjithashtu joevropian të identitetit kosovar, si identitet i paqëndrueshëm, që, përveç tjerash, prodhon edhe luftëtarë dhe martirë për kauza të huaja.
Pra, Prishtina e ruajti identitetin e saj “qytetar”, deri pas Luftës së Dytë Botërore përmes dy postulateve krejtësisht antishqiptare: e para, duke konservuar identitetin anadollak dhe, e dyta, përmes kolaboracionizmit me shtetin jugosllav dhe serb. Ndryshe nga qytetet e tjera ballkanike të ish-Perandorisë otomane, përfshirë edhe qytetet e Shqipërisë si Tirana, Berati, Korça e Shkodra, të cilët përjetuan një lëvizje të fuqishme deorientalizimi, kasabatë e Kosovës nuk e përjetuan këtë proces. Përkundrazi, Mbretëria Jugosllave në përputhje me programin nacional serb i nxiti këto kasaba që të ruanin variantin më të prapambetur të orientalizmës, bashkë me injorancën dhe prapambeturinë.
3. Në Prishtinë kam ardhur para afro 50 vjetësh. Atëbotë qendra urbane e Prishtinës ka qenë po kjo që është edhe sot: godina e komunës, sheshi “Vëllazërim-bashkim”, Kuvendi i Kosovës, hoteli “Union”, hoteli “Bozhur”, përballë “Ramiz Sadiku” dhe disa godina banimi, pastaj Komiteti, më tej kompleksi “Avalla”, shtëpia e vjetër e mallrave “Gërmia” dhe Shtëpia e Armatës. Përreth kësaj strukture urbane shtrihej Prishtina e vjetër, me disa rrugë të shtruara me kalldrëm dhe me disa të pashtruara fare, anëve të të cilave rridhnin ujërat e zeza, me shtëpi kryesisht njëkatëshe, me pullaze të rrëgjuara dhe mure prej qerpiçi, avlli të shtrembëta që mezi mbaheshin, kapixhikë si vrima buburrecash dhe asgjë tjetër.
Përmes Prishtinës së vjetër, përfshirë edhe hapësirën midis “Unionit” dhe Teatrit, rridhte përrocka e qelbur Prishtevka, kolektor mbeturinash dhe fekalesh. Mund të supozohet se ndërmjet atyre shtëpive të shëmtuara mund të kenë qenë edhe shtëpitë e disa pasunarëve, të tilla që janë ruajtur edhe sot (ish-godina e Akademisë, Muzeu Etnografik etj.), por shumica syresh do të rrënoheshin pa i prekur njeri, sepse kishin strukturë arkitektonike të paqëndrueshme. Po këtu dua të shpjegoj edhe një detaj: ajo pamje e Prishtinës që ishte në qarkullim në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70 në formën e kartolinës, ku shihet një basen në krah të Shtëpisë së Armatës, me shtëpinë e vjetër të mallrave “Gërmia” në prapavijë, ka një “fshehtësi” të pakëndshme brenda: një basen i vogël në qendër të një qyteti me mbi 50 mijë banorë, me aq pak njerëz që lahen në ujin e tij! Pikërisht, sepse ai basen ishte i paarritshëm për nostalgjikët e Prishtinës së vjetër apo për paraardhësit e tyre.
Po çfarë bëri socializmi jugosllav me Prishtinën e vjetër? E dërmoi, e shkatërroi deri në themel, jo për hesapin tonë, por hesapin e vet. Mirëpo, në këtë rënie pa alternativë të Prishtinës anadollake përfituam edhe ne. Ndërkaq, prishtinasit e vjetër, ndonëse të integruar më mirë se shqiptarët në Jugosllavinë socialiste, për shkak të inercisë apo për shkak të antishqiptarizmit të tyre kryeneç dhe fanatik nuk u përfshin në procesin emancipues: mbeten zejtarë të përjetshëm, me mentalitet dhe kulturë anadollake, e cila çuditërisht edhe në Stamboll kishte avancuar, ndërsa ruhej në një formë ekzotike në kasabatë e Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore.
Ndërkohë, prishtinasit e vjetër refuzuan të merrnin pjesë në të gjitha proceset shqiptare, të cilat e bënë Kosovën. Refuzuan 1968-shin, refuzuan 1981-shin, refuzuan flamurin shqiptar dhe e përdorën flamurin turk si alternativë të tij, nuk u bënë pjesë e lëvizjes emancipuese, vetëm sepse ajo ishte me parashenjë shqiptare. Nuk morën pjesë as në zhvillimet e viteve ’90. Përkundrazi, bashkëpunuan me serbët, i ndanë me ta të njëjtat shqetësime dhe të njëjtat pasione politike.
Natyrisht, çdo përjashtim meriton respekt. Në situata kritike për Kosovën, ata u bënë të përdorshëm dhe u përdorën, u bënë të manipulueshëm dhe u manipuluan, u bënë mbrojtës të identitetit anadollak, kur ai më së paku i duhej Kosovës. Bashkëpunuan me serbë në situatat më kritike për shqiptarët. Bënë jetë të ndarë nga shqiptarët, madje manifestuan urrejtje ndaj tyre. U getoizuan. Folën turqisht dhe serbisht për t’u diferencuar nga shqiptarët. Kurrë nuk mësuan shqip, megjithëqë bashkëjetuan me shqiptarët më gjatë se me serbët dhe jugosllavët. E keqpërdorën pozitën e tyre të favorshme, duke shfrytëzuar mbështetje një shteti të fuqishëm siç ishte Turqia, aleat i paepur i Jugosllavisë në të gjitha rrethanat, madje edhe në rrethanat më tragjike për shqiptarët. Ata vazhdojnë të tërheqin me vete një traditë antishqiptare që nga koha e Perandorisë. Ata u integruan shumë shpejt në Mbretërinë Jugosllave dhe në Jugosllavinë socialiste, por as sot dhe askurrë nuk deshën të integrohen në Kosovën shqiptare. Një pjesë e tyre, pa i shtyrë njeri, u shpërngulën nga Kosova, sapo ajo doli nga pushteti serb më 1999. Dhe gënjyen hapur se ishin të përndjekur nga shqiptarët.
4.Merret vesh, për çdo njollë në histori askush nuk duhet të ndihet keq, por as nuk duhet të mburret e të ndihet krenar.
Më anë tjetër, nostalgjia për Prishtinën e vjetër nuk mund të përdoret si argument i urrejtjes për ardhacakët e sotëm të Prishtinës.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com