Novruz Shehu: Musineja e
Shevqet Musaraj, të dashuruar?

Novruz Shehu: Musineja e <br />Shevqet Musaraj, të dashuruar?
Shevqet Musarai (1914-1987) ka qenë shkrimtar komunist, idealist gjer në dhimbje, i vendosur gjer në përkushtim, i bindur se sistemi komunist ish i vetmi që mund të mjekonte shoqërinë nga plagët sociale. Ishte njeri i urtë, inteligjent, me mirësi të dallueshme ndaj shkrimtareve dhe artisteve, mjeshtër në limimin e fjalës, portretit, peizazhit. Në vitet '30-të fokusoi problemet sociale të kohës duke arritur, duke arritur kulmin e krijimtarisë poetike me poemën "Bujku i Hanko Hallës". Gjatë lëvizjes antifashiste mori pjese aktive duke u dalluar si një nga militantët e Partisë Komuniste Shqiptare.
Në vitet '40-të ishte sekretar avokatie tek vellai i Musinesë Muntazi, që shpuri në njohjen e thellë me këtë familje e pikërisht me Musine Kokalarin, të cilën vendosi ta kishte personazh qendror në romanin historik "Para Agimit" duke e vendosur në petkun e Emira Velos ndërsa veten në petkun e Qemal Orhanait.
A janë dashuruar vërtetë Shevqet Musarai dhe Musine Kokalari?
Besoj se po. Ata ishin të dy letrarë, merrnin pjesë në shoqëritë intelektualë të Tiranës dhe kishin qëndrim të njëjtë ndaj plagëve sociale të shoqërisë së kohës.
Në të njëjtën kohë, Musineja ishte bijë e një familjeje aristorkrate ku mblidheshin intelektualët kryesorë të kryeqytetit, falë edhe faktit që Kokalarajt kishin shtëpinë Botuese "Mesagjeritë shqiptare", ku ishin botuar vepra të Shekspirit, Ibanjezit, etj.
Duke njohur nga afër Musinenë dhe familjen e saj Shevqet Musaraj dha me realizëm të jashtëzakonshëm historinë e personazheve Qemal-Emira e nëpërmjet tyre psikologjinë, realitetin, qëndrimet demokratike e ato të dhunshme, filozofinë e forcave komuniste dhe ato të Ballit Kombëtar. Megjithëse duket jo pak qëndrimi për t'i nënvlerësuar, për t'i nxjerrë klloun në mbrojtjen e pikëpamjeve, sërish jep me realizëm të pashembullt me ndonjë vepër tjetër. Mendoj se kjo vepër në dy vëllime, me rreth 1000 faqe nuk ka respektuar kornizat e Realizmit Socialist dhe kjo për faktin se ai dha në letërsi justifikimin e fitores nga komunistët, gjë që i interesonte udhëheqjes së kohës.
Them nuk i ka respektuar dhe anon më tepër nga realizmi, duke pasur parasysh korrektesën me të cilën ka skicuar latuar, përkryer personazhet qendrore.
2-
Natyrisht nuk mund të këmbngulim e të mendojmë se Musine-Emira Velo ishte thjesht një personazh artistik gjersa gjithë aktiviteti letrar e politik i Musine kokalarit përkon plotësisht me Ermira Velon. Këtë e pohojnë edhe autorët Shaban Sinani e Petrefe Lika si dhe familjarët e Musinesë.
Aishte Shevqeti Qemal Orhanai?
Jo vetëm fakti që ka punuar tek familja Kokalari e ka bërë të besueshëm të jetë pikërisht autori, por dhe aktiviteti letrar e politik, pikëpamja, qëndrimi, kundërshtitë e deri tek portretet.
Unë nuk mund të besoj se ai nuk e ka dashuruar me të gjithë parametrat e pasionit Musine Kokalarin. Vetëm një dashuri e përmasave të mëdha mund të bëjë një shkrimtar të guxojë ta vendosq nq vëprën e tij historike prej 1000 faqesh e megjithq kontradiktat vihet re qartë se ai e jep të plot e të gdhendur Musine Kokalarin, shkrimtaren dhe socialdemokraten e flaktë pa e fyer, duke vlerësuar bukurinë, brishtësinë, dashamirësinë, romantizmin dhe idealizmin e saj deri aqë mund të thuhet që Shevqet Musarai i ka bërë një monument të përkryer Musinesë në rast se libri do të lexohet sërish, jashtë indoktrinimit e qëndrimit të njëanshëm komunist.
Në betejën Qemal-Emira, megjithëse autori e jep t mundur vajzën kokëfortë e të paepur mbas një gjysëm shekulli, u vërtetua se Musineja kish të drejtë dhe jo Shevqeti, pra Emira dhe jo Qemal Orhanai.
Dashuria e tyre nayrisht nuk mund të gjykohej në kushtet kur Shevqeti ish-sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve ndërsa Musineja në burg, nuk mund të gjykohej në megallomaninë e ideologjisë komuniste por në kushtet njerëzore, pjesë përbërëse e dentitetit të njeriut. Pra dashuria dhe konfliktet e tyre që morën përmasën e konfliktit midis komunistëve dhe nacionalistëve shqiptarë, mund të gjykohet vetëm në një shoqëri kur personazhi nuk paragjykohet pa e lexuar.
Të dy të rinjtë përfaqësojnë dy filozofitë, psikologjitë, mendimet, qëndrimet e dy rrymave qendrore të kohës.
Emira Velo mbron me gjakftohtësi, maturi, inteligjencë e argument bindjet e saj antikomuniste.
Qemal Orhanai vepron po ashtu në mbrojtje të filozofisë së tij dhe megjithatë duheshin të dy shumë, shihnin në ëndërr njëri tjetrin, s'mund ta kuptojnë jetën pa njëri tjetrin.
Të dy kundërshtojnë instalimin e fashizmit por ndërsa në këtë pikë qëndrimi është i njëjtë, në marrëdhënie me Komunizmin kemi një rrebelim e deri në konflikt të dy të rinjve që i bën të largohen disi por dashuria i thërret të gjykojnë dhe njëherë.
Emira kundërshton deri në fund. Ajo flet për pabesi e megallomani komuniste, për vrasje prapa krahësh të nacionalistëve, për marrëdhënie të padurueshme midis shqiptarëve. Është e habitshme që redaktorët këta vigjilent heroikë të Realizmit Socialist e kanë lejuar ose nuk e kanë denoncuar diku, megjithëse dyshoj se dhe mund ta kenë bërë aktin e fundit.
Qemali, po ashtu si Emira, kundërshton deri në fund dhe e quan tradhëti apo rënie në prehërin e ideve borgjeze e fashiste qëndrimin e saj. Vihet re argument logjik i evolucionit tek Emira dhe argumenti i dhunës së revolucionit tek Qemali që kërkon me çdo kusht zhdukjen gjer në fizike të kundërshtarit.
3-
Ja një fragment nga konfliktet:
"Po mua më quajnë Emira Velo dhe vij nga një familje që s'është aq mangut sa pqandeh ti, nga kultura, as nga ndjenjat e atdhetarisë. Më kupton? Nuk jam aventuriere unë, që të shkoj pas asaj turmës sate të verbër… amorfe… profane, aq të shtrenjtë për ty me shokë. Ku e ke eliën e vendit zotrote, ku? Apo tek komisarët e tu që s'dinë nga mbahet pena?"
-Ata dinë të paktën si mbahet pushka - tha mbas pak si i vrarë shpirtërisht (Qemali shënimi im n.sh.)- Po edhe penën, zonjushe do ta mësojnë….Jo për të nënshkruar akte tradhëtie, siç bëjnë idhujt e tu, por për tjera qëllime….
Injorant, - shtoi si nëpër dhëmbë, duke i kthyer shpinën vajzës dhe duke u mbajtur pas Vasos që kishte arritur pranë tij dhe për çudi po shqyhej në gaz!"
Ne këtë tablo të përkthyer mund të kuptosh Qemalin dhe Emira Velon, pra komunistin dhe intelektualin nacionalist në periudhën e luftës antifashiste.
Emira ka për idhull penën. Qemali ka për idhull pushkën, masat populiste të përbëra nga kovaçë, barinj, druvarë që i ngritëm për pesëdhjetë vjet në pankarta.
Ndërsa Vasua është një partizan pa asnjë farë kulture që zgërdhihet me prishjen e një dashurie, të cilën Qemal Orhanai e sakrifikoi për Partinë Komuniste, me bindjen se po kryente heroizmin e duhur.
A nuk ishte ky realiteti i kohës? A nuk u dha në një dokumentar se mbas mbi njëzet vite më vonë një farë mjeku me emër Aleksandër vendosi ta urrejë e ta ndajë nënën e tij ruse, duke mos kërkuar falje as në ditët e sotme? Emira e quan turmën të verbër pa intelektualët. Qemali i quan nacionalistët firmëtarë të tradhëtisë. Emira nuk fyen. Qemali pëshpërit tërë mllef "Injorante!"
Emira e quan aventurë rrugën e Qemalit.
Qemali i kthen shpinën, pa mundur ta përballojë ndërsa shoku tij shqyhet në gaz. Vasua ishte ajo masë primitive që nuk njihte as dashurinë njerëzore dhe as dialogun intelektual, pra ishte Aleksandri i ardhshëm që diku dhe sot punon mjek, në sektorin më human të jetës! Pra kush pati të drejtë Qemali apo Emira Velo?!
Musine Kokalari u fut në burg, u internua nuk u kurua nga kanceri, u varros pa asnjë njeri pranë, u lidh me hekura në duar dhe është në varr me hekura.
Shevqet Musarai punoi tërë idealizëm, dhe vitet e fundit i sëmurë rëndë u braktis nga miqtë e shokët duke mos i dhënë mundësinë qoftë njëherë te vetme të kurohej jashtë Shqipërisë.
Shoqja e tij e ngushtë, Nexhmije Hoxha se mori asnjë herë parasysh kërkesën e bashkëshortes së tij, Ervehesë.
Musineja s'bëri asnjë herë autokritikë për bindjet e saj. Shevqeti s'bëri asnjëherë autokritikë për bindjet e tij.
Musineja nuk ka kërkund një shtatore sot megjithse Nderi i Kombit e megjithse sugjeroi ambasadori amerikan Ëidhers t'i ngrihej muze. Shevqet Musarai ka shtatore në qendër të Vlorës.
Shevqeti e Musineja jetuan dhe vdiqën me bindjet e tyre. Brezi tjetër besojmë se do të ketë komunikim tjetër. Historia e dashurisë së Qemalit me Emirën është historia jonë e dhimbëshme, shumë e dhimbëshme, por reale. Zoti i ndjeftë e i mbuloftë me paqe.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës