Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE) në Belgjikë, ku u prit nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjeneral Alexus G. Grynkewich.

Gjatë takimit, Nufi theksoi angazhimin e Shqipërisë ndaj NATO-s, mbrojtjes kolektive dhe partneritetit transatlantik, duke nënvizuar se vendi ynë po luan një rol gjithnjë e më aktiv në strukturat vendimmarrëse dhe operacionale të Aleancës.

““Përfaqësimi i Shqipërisë në nivelet më të larta të komandimit të NATO-s është tashmë një realitet i prekshëm që dëshmon pjekurinë profesionale të Forcave tona të Armatosura dhe besimin që aleatët kanë ndaj Shqipërisë, si një vend që kontribuon aktivisht në sigurinë kolektive euroatlantike. Mbështetja e vazhdueshme e Aleatëve mbetet kyçe për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe rritjen e gatishmërisë operacionale”, u shpreh ministri.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe investimet strategjike të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Nufi veçoi Bazën Detare të Porto Romanos dhe mobilitetin përgjatë Korridorit VIII, duke i cilësuar si projekte madhore që forcojnë lëvizshmërinë e NATO-s, ndërveprueshmërinë dhe gatishmërinë operacionale të Aleancës.

Ministri garantoi se Shqipëria do të vijojë modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve që burojnë nga anëtarësimi në NATO, përfshirë investimet në mbrojtje.

Në takim u diskutua gjithashtu për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Nufi shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të rritur kontributin në misionet e NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë në rajon, përfshirë KFOR-in dhe EUFOR ALTHEA, mes shqetësimeve për ndikimet keqdashëse, sulmet hibride dhe kërcënimet kibernetike.

Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur gjithashtu edhe se Shqipëria po punon intensivisht për organizimin e Samitit të NATO-s që do të mbahet në Tiranë vitin e ardhshëm.