Në ditët me temperatura të larta e vetmja gjë që na vjen në mendje është si të jemi më të freskët. Do të dëgjoni nga çdo njëri këshilla nga më të ndryshmet, pi këtë ose mos e pi atë e shumë të tjera. Por më poshtë ju sjellim disa fakte që i qëndrojnë shkencës, kur vjen puna tek përballimi i të nxehtit.
1) Më mirë pija e ftohtë, sesa ajo e nxehtë
Konsumimi i sa më shumë lëngjeve është gjëja më e mirë për t’u bërë kur nis vala e të nxehtit: sepse qëllimi është të qëndrosh i hidratuar, sepse kjo i bën mirë edhe veshkave. Teoria që këshillon pijet e nxehta, thotë se këto e ngrohin organizmin nga brenda, duke provokuar djersitje të trupit dhe për pasojë edhe ftohjen e tij.
Ndaj ka raste kur konsumi i lëngjeve të nxehta nuk këshillohet. Disa argumentojnë se nuk duhet të konsumoni shumë çaj apo kafe sepse këto përmbajnë një stimulues të dehidratimit, që është kafeina.
Disa studime të tjera mbështesin idenë se pijet e ftohta kanë më shumë efekte në ftohjen e trupit. Për të pasur një provë të njërës apo tjetrës mënyrë, janë zhvilluar eksperimente që kanë matur temperaturën e personave që kanë konsumuar pije të ftohta dhe të nxehta. Nga rezultatet e para doli se pijet e ftohta ishin më efektive për të ulur temperaturën e trupit. Kështu pas rezultateve përfundimtare, doli se pijet e nxehta shkaktonin ftohje më të madhe të trupit, sepse shkaktonin djersitje më të madhe.
2) Freskohuni me një ventilator
Flladi i një ventilatori duket se të freskon fillimisht, por dihet se këto pajisje nuk e ulin temperaturën e ambjentit. Thjesht qarkullojnë ajrin! Mendohet se ventilatorët janë zgjidhja më e mirë, kur temperaturat janë nën 35 gradë celcius. Mbi këtë temperaturë, ajri i nxehtë që qarkullon mund ta shtojë marrjen e nxehtësisë nga trupi, duke përkeqësuar gjendjen.
Ajo që dimë është se ventilatorët nuk janë përherë shpëtimi nga vapa. Në vitin 1999 në Sinsinati, në SHBA, 17 vetë ndërruan jetë për shkak të t nxehtit- 10 prej tyre i kishin ventilatorët ndezur kur u gjetën pa jetë. Pra duhet më shumë informacion, por nëse temperaturat janë më shumë se 37 gradë celcius, mirë është ta fikësh ventilatorin.
3) Vetëm të moshuarit duhet të kenë kujdes nga vapa
Eshtë e vërtete se vizitat në urgjencë shtohen gjatë valëve të të nxehtit dhe se shumë prej pacientëve janë të moshuar. Temperatura ku organizmi funksionon në formën më të mirë, ka një mesatare mes 36 dhe 37.5C.
Ne gjithashtu reflektojmë nxehtësi, duke dërguar më shumë gjak në duar dhe në këmbë, kjo dhe arsyeja që gjatë natës ka raste i ndjejmë më të nxehta gjymtyrët. Ky sistem termorregullues, kërkon që zemra të punojë më fort, për këtë arsye, të moshuarit pësojnë atak kardiak apo edhe pushim të zemrës.
Ndryshe nga efektet që krijon në organizëm moti i ftohtë, kjo mund të ndodhë më shpejt në vapë: shumica e vdekjeve ndodhin gjatë 24 orëve të para të valës të së nxehtit. Por kjo nuk do të thotë se vetëm të moshuarit janë në rrezik. Foshnjat dhe të sëmurët kronikë janë po ashtu të ekspozuar ndaj rrezikut të të nxehtit. Kështu që të moshuarit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm nga vapa, por po ashtu duhet të ruhen edhe të tjerët
4) Hapni të gjitha dritaret
Hapja e dritareve është veprimi i parë që bëjnë shumë prej nesh, kur është nxehtë. Por gjatë ditës kjo mund të jetë veprimi i gabuar. Sepse në fakt, duhet hapur vetëm dritarja ku ajri jashtë është më i freskët se ai brenda në shtëpi, që ka shumë mundësi të jetë gjatë natës. Nëse jashtë moti është shumë i nxehtë, dritaret duhen mbajtur mbyllur. Sepse me shumë mundësi, ajri brenda është më i ftohtë.
5) Pini birra
Në filmin e vitit 1958 “I ftohtë akull në Aleks”, personazhi kryesor, sapo ia ka dalë të arratiset nëpër shkretëtirë. Kur afrohet pranë banakut, porosit një gotë birrë të ftohtë, që pasi e rrëkëllen me një frymë thotë shprehjen e famshme: Ia vlejti gjithë ajo pritje! Tani, nuk është nevoja për të kaluar shkretëtirën e Afrikës Veriore për të dëshiruar një birrë, në fund të ditës. Por a do të të ndihmojë për t’u freskuar?
Nëse është vetëm një, nuk të bën keq. Në studime të ndryshme, njerëzit kanë kryer aktivitete deri kur temperaturat e trupit janë rritur dhe pasi kanë pirë birrë, me ose pa alkol, janë vëzhguar efektet në organizëm. Këto kanë qenë studime modeste, dhe nuk kishin si qëllim të vëzhgonin lëvizjet e temperaturës, ndaj nuk mund të themi nëse birra të freskon apo jo. Por ato tregojnë se një, ndoshta dy gota birrë më shumë të hidratojnë sesa të dehidratojnë. Ndoshta, jo më kot, ajo gota e birrës në film, ia ka vlejtur vërtet.