Orgesa Zaimi është nga të paktat këngëtare të muzikës rock në vend dhe i ka qëndruar fanatike këtij zhaneri, megjithatë si një këngëtare e muzikës live ka eksperimentuar në lloje të ndryshme muzike. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” Orgesa tregon se shumë do të sjellë një bashkëpunim me Mariza Ikonomin, por do të jetë një këngë popullore.
“E kemi diskutuar në shtator, sepse Mariza ka shumë ide tani në kokë, kemi mënduar të bëjmë një bashkëpunim dhe të sjellim një këngë. Unë i qëndroj më shumë idesë së çmendur të sjell një këngë me nota popullore. Edhe pse jam mbrojtësja e rock-ut në Shqipëri dhe më pëlqen kjo gjë, por një artist nëse nuk eksperimenton, nuk mund të quhet një artist i plotësuar. Me muzikën popullore më kanë afruar shumë eventet e fundit, muzika live na bën që njerëzit na kërkojnë shumë këngë të ndryshme. Kemi shkuar në vende ku na kërkohet muzikë popullore, e bëj për kënaqësi sepse njerëzit e duan,” thotë në “Rreze Dielli” këngëtarja Orgesa Zaimi.