“Unike…me Taban”, Aurela Gaçe promovon albumin e saj të ri dhe sjell bashkëpunimin e veçantë

Ajo është një ndër këngëtaret më energjike të skenës së muzikës tonë dhe po ashtu më e dashura për publikun. Ka një adrenalinë të jashtëzakonshme që arrin ta përçojë edhe tek publiku. Bëhet fjalë për Aurela Gaçen, e cila promovoi një natë më parë albumin e saj të ri.

Pas 30 viteve në skenë dhe pas një repertori shumë të gjatë këngësh hit, Aurela vazhdon të befasojë publikun që e ndjek me besnikëri prej vitesh me talentin dhe energjinë e saj, ashtu si dhe ky album ‘binjakë’ që siç thotë ajo vjen 2 në 1 me titullin  ‘Unike…me taban’.

Këngëtarja në këtë album të veçantë ka bërë një përzierje të stileve të këngëve, siç vetëm ajo di të bëjë.

Report Tv ndoqi nga afër promovimin e albumit të këngëtares, në prezencën e miqve të saj  dhe personaliteteve të artit shqiptar. Të cilët në këtë natë të rëndësishme për të, nuk i munguan duke shijuar suksesin e këngëtares dhe muzikën e saj të mirë. Mes këngëve plot mesazhe, energjisë që vetëm Aurela di të përcjellë në skenë, mori urimet më të mira nga miqtë:

“Aurela e meriton këtë sukses, madje nëse do të donte do meritonte dhe një treg ndërkombëtar, mendoj që është vërtet unike, ka një energji të jashtëzakonshme dhe ndër të pakta të afta për të kënduar të gjithë zhanerat” tha Rudina Dembacaj për mikrofonin e Report Tv. 

“Aurela Gaçe është këngëtarja ime më e preferuar të cilën e adhuroj për talentin, mirësinë, për botën e saj të madhe shpirtërore” ishin fjalët e këngëtares Irini Qirjako për mikeshën e saj artiste.

“Ku mjaftojnë dy fjalë për Aurela Gaçen, duhet një natë dimri, një bllok i madh, duhet një roman çfarë t'i thuash Aurelës. Shiko sa shumë njerëz ka, dhe po t'i shohësh ka shumë artista që nuk i shohim as nëpër intervista në televizione. Janë këtu për Aurelën dhe për muzikën që ajo bën për kur shkel skenën” u shpreh këngëtarja Rozana Radi.

Mes emocioneve të një nate të bukur, pas një pune të gjatë për të sjellë gjithmonë më të mirën, muzikën më cilësore  për publikun që e ndjek me besnikëri dhe plot pasion, Aurela Gaçe ndau emocionet e saj në “Rreze Dielli”, ku tregoi më tepër për këtë album. Ndër të tjera, rrëfeu se përse ka zgjedhur emrin “UNIKE’’ si titull të albumit: 

“Kur ta dëgjosh këngën do ta kuptosh që ajo këngë është përballja me veten në pasqyrë, është përballja me realitetin që ne jemi me veten tonë në pasqyrë, është ajo përballja me shpirtin tënd. Ne mundohemi të jemi gjithmonë mjaftueshëm për të tjerët ndërkohë ti je ti dhe unë jam unë, nuk bëhem dot ti. Lum kush e kupton këtë sepse atëherë arrin të mos dëgjojë të tjerët që të thonë ti nuk je mjaftueshëm. Gjithsecili nga ne nuk është perfekt, dhe ai që mundohet të jetë përfekt është e pamundur, thellë-thellë brenda e di që nuk është” tha ajo.

Në këtë album ashtu siç vetë këngëtarja na zbuloi nuk mungojnë edhe një sërë bashkëpunimesh me emra shumë të njohur të muzikës shqiptare si Stine, Eli Fara apo Aleksandër Gjoka. Ndërsa më i veçanti ndër to mbetet një bashkëpunim me këngëtarin e ndjerë doktor Flori, të cilin artistja ka vendosur ta sjellë tashmë për publikun që i mungon muzika e tij. Mes të tjerave, suprizë e bukur në këtë album kaq të përfolur ishte dhe kënga me dy vajzat e saj, është hera e parë që Aurela vjen me një ‘bashkëpunim’ të tillë, ndërsa thekson se nuk do të jetë i fundit.

“Unë kam bashkëpunim me Stinen, kemi doktor Florin dhe ç’është e vërteta më mungon shumë dhe jam e lumtur që në një farë mënyre e kam një copëz të tij me  vete. Kam një bashkëpunim me Aleksandër Gjokën, gjithmonë kam pasur me të sepse e dua si artist, kam bashkëpunim me mikeshën time të zemrës Eli farën dhe kam bashkëpunim me dy yjet e mamit që e kam ruajtur për në fund” tha ajo.

MC/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsion

Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsion