Rudina ka ndjekur studimet e larta për gazetari në Universitetin e Tiranës, por pas mbarimit të ciklit Bachelor kuptoi se kish lindur për diçka më të rëndësishme, siç dhe shprehet dhe vetë 25 vjeçarja për suplementin ‘Drejt Punës”.
[gallery]19197[/gallery]
Si nisi pasioni yt për meditimin?
Fare rastësisht, edhe pse deri sa u kthye në pasion kaluan ca kohë. Një miku im më tha se bashkëshorti i zonjës Inva Mula, zoti Hetem Ramadani të cilit i jam shumë mirënjohës, kishte sponsorizuar për ata individë që donin të mësonin një lloj teknike të veçantë të quajtur Meditimi Transcendental. Ishte hera e parë që një teknikë meditimi sillej në Shqipëri (ose të paktën kjo ishte e para herë që unë dëgjoja për meditimin). Më tha se kjo gjë do të ishte e limituar në kohë dhe se ky lloj meditimi duhej provuar sepse ishte diçka shumë interesante. Gjithmonë e hapur ndaj eksperiencave të reja thashë “pse jo”. Pastaj teknika, dija holistike dhe aq më tepër njerëzit që e jepnin atë, krijuan një motivim kaq të madh për mua sa e vetmja dëshirë në dy vjet rradhazi ishte që të mësoja më shumë se sa thjesht praktikim. Gjithmonë gjatë jetës sime kam menduar se kam lindur për diçka më të rëndësishme, për diçka që t’ju shërbejë njerëzve në të qenit të lumtur me jetën që kanë, me njerëzit që i rrethojnë dhe mbi të gjitha me veten.
Je trajnuar për të qënë pjesë e kësaj metode?
Po,patjetër. Kam kryer një trajnim shumë intensiv për rreth gjysmë viti në Tailandë. Përpara kësaj kam punuar rreth dy vjet vullnetarisht për organizatën e Meditimit Transcendental në Shqipëri ku kam mësuar shumë gjatë kohës që merresha me përkthime dhe organizoja eventet për mësuesit e huaj. Megjithatë unë ndjej se gjithë jeta jonë është një trajnim dhe të ushtruarit e Meditimit Transcendental edhe si profesion të bën të kuptosh në çdo fazë të jetës sa pak që di.
A njihet në Shqipëri?
Meditimi Transcendental ka filluar të njihet çdo ditë e më shumë në Shqipëri e Kosovë (por edhe në të gjithë rajonin). Kjo falë benefiteve që ai jep dhe tërësisë së dijes që mban brenda. Në Shqipëri e kanë mësuar këtë teknikë rreth një mijë vetë që prej vitit 2013. Pas valës së parë të të interesuarve, ku kishte dhe figura të njohura (jo vetëm të huaja) si Timo Flloko e Vera Grabocka, Albi Nako e Klaudia Pepa, Genta Ismajli, etj. njerëzit filluan të na kërkonin kudo nëpër rrjete sociale, adresa ëebsite, etj.
Më vjen mirë të them që edhe ky është një tregues që shqiptarët po fillojnë të jenë më të vetëdijshëm për rëndësinë e “unit”, të vetes, për rëndësinë e mirëqenies fizike,mendore e shpirtërore. Kur vetëdija kolektive e një shoqërie fillon e rritet, individët brenda saj fillojnë të kuptojnë rëndësinë e pjesëzës më të vogël ndërtimore të saj, “individit”, vetvetes.
Cila është detyra jote? Je pjesë e ndonjë grupi apo e ushtron me vete?
Unë jam mësuese e teknikës së Meditimit Transcendental dhe e lumtur që jam pjesë e organizatës së Meditimit Transcendental të Shqipërisë, një degë kjo e organizatës ndërkombëtare të MT që ka qendrat e veta pothuajse në të gjithë shtetet e botës.
Detyra e një mësuesi të MT është të japë këtë teknikëpër një mirëqenie të plotë, të ndajë me të tjerët atë që ne e quajmë “dije supreme” ose “dije vedike”. Dija vedike është një njohje holistike e realitetit dhe flet për çdo aspekt të jetës duke i dhënë zgjidhje çdo problemi nëpërmjet analizimit të shkakut rrënjësor të tij. Pra, me anë të saj përveç të tjerash ne mësojmësi të zhvillojmë kapacitetin mendor, si të ruajmë një shëndet të mirë, si të jemi më social dhe më harmonikë pa u përpjekur për këtë gjë, si të zhvillojmë vetëdijen tonë. Pra, si të balancojmë çdo gjë në jetë.
Të gjithë ata që kanë mësuar Meditimin Transcendental dhe kanë marrë një shije të kësaj dijeje kanë mbetur të mahnitur nga ajo që kanë mësuar dhe s’kanë pushuar kurrë së kërkuari më shumë informacion. Ndaj çdo javë takohemi në grup ku meditojmë së bashku, praktikojmë Yoga Asanas e një teknikë frymarrjeje të quajtur Pranayama, dëgjojmë leksione të avancuara, ndajmë libra apo informacione me njëri-tjetrin, por mbi të gjitha ndajmë dashuri e respekt. Me pak fjalë ne përpiqemi të krijojmë , qoftë edhe për komunitetin apo familjet ku jetojmë, një vend me më shumë harmoni ku secili të rritet i shëndetshëm dhe të realizojë kapacitetin e vet në prani të vlerave e virtyteve pa u shqetësuar nga prania e “tjetrit” apo nga problemet e përditshmërisë.
Pse mbete brenda kësaj teknike dhe nuk eksplorove në një fushë tjetër?
Me mua ka ndodhur tamam si me bletën. Kur bleta kërkon nektar endet dhe sodit sa nga një lule në një tjetër, por kur gjen nektar ndalon dhe e shijon atë. Pra, kur gjen atë që të bën të ndjehesh mirë, ndjehesh e plotësuar, e shëndetshme, e aftë, e vlefshme, nuk kërkon më për diçka tjetër sepse tashmë jeta joteështë e mbushur me ato që t’i kërkon prej saj. Për më tepër teknika e Meditimit Transcendental është shumë e veçantë. Ajo i jep njerëzimit atë që për shekuj as qeveritë, as mjekët dhe as mësuesit s’kanë mundur t’i japin. Përmbushjen… duke gjetur rrënjën shkakësore të të gjitha problemeve dhe duke u dhënë atyre zgjidhje. Kjo, sepse MT në bazë ka rritjen e vetëdijes, rritjen e harmonisë dhe perfeksionimin e shëndetit fizik e mendor. Pra pse më pëlqen Meditimi Transcendental është se ai është i lehtë (ua këshillojmë edhe prindërve për fëmijët e tyre fare të vegjël), nuk kërkon më shumë se 20 minuta praktikim nga dy herë në ditë, nuk kërkon madje as të besoni në të sepse është një procedurë mekanike. Më pëlqen Meditimi Transcendental sepse rrit të tria dimensionet e individit: mendjen, trupin dhe shpirtin paralelisht.
Sa i përket shkollës të cilën ke studiuar, gazetarisë a do t'i rikthehesh ?
Kur vendosa të bëhesha mësuese meditimi, profesioni i gazetares ndikoi shumë. Kur punova vetëm pak kohë si gazetare politike (atë kohë në një gazetë të njohur) më dukej vetja si një terroriste. Po, po, pikërisht ashtu edhe pse mund të duket e pabesueshme. Detyra kryesore e terrorizmit është të bëjë popullsinë të ndjehet e pasigurtë dhe mua gazetaria që kërkohej në atë kohë më dukej se kryente pikërisht atë funksion. Edhe tani kur shoh ish-kolegët e mi apo miqtë nga universiteti që kalojnë nëpër të njëjtën vorbull që më së shumti traumatizon vetë ata, kuptoj sa e lumtur jam që njoha MT. Jeta ime ka ndryshuar 360 gradë dhe nuk kam nevojë të stresohem për “çfarë lajmi do gjej sot”. T’ju them dhe një sekret tjetër. Unë nuk i shoh pothuajse kurrë lajmet dhe aparati i televizorit ndizet shumë rrallë në shtëpinë time (në më të shumtën e rasteve nga babai im). Them se lajmi do të vijë sido që të jetë tek unë nëse është i rëndësishëm. Dhe ashtu ndodh. Tani jam angazhuar vetëm rrallë herë në një portal mbi gazetarinë shkencore me bazë në Londër të quajtur “New Scientist” ose në konferencat dhe seminaret mbi këtë lloj gazetarie, por jo më shumë se kaq. Gjithashtu mendoj se gazetarët sot shqetësohen shumë me “çfarë do t’i jap unë medias ku do punoj që të më punësojnë” në vend që të mendojnë edhe “çfarë do t’i japi individualitetit tim kjo media”. Gjithësesi jam e hapur ndaj eksperiencave të reja në fushën e gazetarisë social-kulturore, teknologjisë e shkencës dhe sidomos komunikimit. Nëse diçka nuk e bën me dashuri edhe produkti nuk do të ndjellë dashuri.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)