Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda ka çuar vendimin e dënimit me 25 vite burgim për Dritan Dajtin në Gjykatën e Lartë. Prokurori, ka kërkuar nëpërmjet një rekursi në Gjykatën e Lartë që Dritan Dajti të dënohet me burgim përjetë, duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, pasi vendimin e saj prokuroria e shikon të pabazuar në ligj dhe jo objektiv vendimin për dënimin e Dajtit me 25 vite burgim. Sipas rekursit të prokurorisë çështja ndaj Dajtit ka shumë mangësi, pasi gjyqtarët që kishin në gjykim të pandehurin kanë kryer një sërë shkelje proceduriale gjatë gjykimit.

Në vendimin e tyre të shumicës tre gjyqtarët Petrit Aliaj,Skënder Damini dhe Aleks Nikolli shprehen në pranimin e gjykimit të shkurtuar për Dajtin, se këtë gjë e bëjnë për ekonomi gjyqësore, pra për të shkurtuar periudhën e gjykimit të këtij procesi. Por nga ana e saj prokuroria thotë në rekurs se ky argument i tre gjyqtarëve është i pabazuar dhe aspak logjik, pasi gjyqi ndaj Dritan Dajtit ka thyer çdo limit kohor, dhe argumenti i “ekonomisë gjyqësore” është sa jo normal dhe i çuditshëm.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata e shkallës së parë me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij.  Tre gjyqtarët e Apelit që shpëtuan Dajtin nga dënimi përjetë ju kontrollua banesat në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Lezhë.

Dy gjyqtarët e Apelit Vlorë e Shkodër, që rrëzuan dënimin me burg përjetë për Dritan Dajtin dhe e dënuan atë me 25 vite burgim për vrasjen e katër policëve, i janë drejtuar gjykatës së Krimeve të Rënda me kërkesa për kundërshtimin e vendimit të sekuestrimit të aparateve telefonike. Skënder Damini i cili ushtron detyrën e tij të gjyqtarit pranë Apelit të Vlorës dhe Aleks Nikolli që është gjyqtar në Apelin e Shkodrës, i janë drejtuar pak ditë më parë gjykatës duke kërkuar prej saj që të rrëzonte vendimin e sekuestrimit të telefonave të dy gjyqtarëve,pasi një gjë e tillë sipas tyre konsiderohet e paligjshme.