Kryeministri Edi Rama këmbëngul se ka qenë ai personalisht që ka marrë iniciativën për dërgimin në Itali të të riut nga Elbasani, i plagosur në sy gjatë protestës së dhunshme të së shtunës në Tiranë, ndërsa transporti me avion mjekësor dhe shpenzimet për trajtimin e specializuar janë mbuluar nga shteti. Rama thotë se nuk ka ndërhyrë për të dalë protagonist i ngjarjes, por për të ndihmuar një qytetar të plagosur.

Sqarimi erdhi pasditen e kësaj të diele pas një postimi të motrës së të riut, ku pretendohet se dërgimi në Itali është mundësuar nga familja, miqtë dhe mbështetësit e saj, jo nga shteti. Rama e ka publikuar mesazhin në X, duke vënë pikat mbi rreth kësaj çështjeje dhe mohuar akuzat për protagonizëm duke thënë se edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar. 

Postimi i plotë i Ramës:

“Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.

Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!

Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.

Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar.

Të shkuara edhe njëherë.”


Lajmi kryesor:

U plagos në sy gjatë protestës së dhunshme, shteti nis protestuesin 28-vjeçar për trajtim në Itali! A i rrezikohet shikimi? Mjekët: Do të duket në ditët në vijim! Rama: E keqpërdorin për të nxitur dhunën (VIDEO)