Ajo nuk e përballon më “gjykimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë nga opinioni publik”. Për këtë arsye, Ariana Grande ka njoftuar se do të tërhiqet nga daljet publike në shtator, pasi të përfundojë turneu i saj “Eternal Sunshine Tour”. Në themel të këtij vendimi qëndron presioni i vazhdueshëm në rrjetet sociale për pamjen e saj fizike, e cila prej vitesh është bërë objekt spekulimesh, akuzash dhe kritikash, me komente të pandërprera për dobësimin dhe peshën e saj.

Njoftimi i Ariana Grandes vjen vetëm pak ditë pas publikimit të “Petal”, këngës që mban edhe titullin e albumit të saj të tetë. Në videoklip, këngëtarja shfaq zemërimin e saj pasi dështon edhe në një tjetër audicion. Në një skenë të fortë simbolike, ajo merr një sharrë elektrike dhe copëton një grup producentësh, ndërsa duartrokitet nga vajzat e tjera që presin të provojnë fatin. Një reagim që shkon përtej metaforës dhe që shihet si përgjigje ndaj kritikave të vazhdueshme që ka marrë ndër vite nga komentuesit në internet dhe mediat rozë. Megjithatë, pavarësisht këtij shpërthimi artistik, duket se presioni ndaj saj mbetet ende i papërballueshëm.

Ish-ylli i Disney Channel, sot 33 vjeçe, ka kaluar një jetë të vështirë, si shumë artistë që u përballën me famën që në moshë shumë të re dhe u rritën në një realitet të izoluar nga jeta normale, në atë që shpesh quhet “kafazi i artë” i fëmijëve yje, të cilëve u mungoi një fëmijëri e zakonshme. Kësaj i shtohet edhe trauma e thellë që i la sulmi terrorist i 22 majit 2017 në Manchester, kur në fund të koncertit të saj u vranë 22 persona dhe u plagosën mbi 500 të tjerë mes spektatorëve.

Kjo tërheqje nga skena publike, qoftë edhe e përkohshme, pasi ende nuk dihet se sa do të zgjasë, vjen tre vite pas një tjetër momenti kur Ariana Grande u bë qendra e vëmendjes mediatike. Kur ajo u shfaq me një pamje të re, shumë më e dobët dhe më e hollë se më parë, u përball me një valë komentesh të ashpra dhe gjykuese për pamjen fizike të saj.

Në atë kohë, artistja vendosi të reagojë përmes një videoje në TikTok.

“Trupi që ju krahasoni me pamjen time të sotme ishte versioni më pak i shëndetshëm i vetes sime”, shpjegonte ajo. “Merrja antidepresantë, konsumoja alkool dhe ushqehesha keq. Ishte periudha më e errët e jetës sime. Ju mendonit se dukesha e shëndetshme, por në të vërtetë isha gjithçka tjetër, përveçse mirë.”

Në video, Ariana u shfaq pa grim dhe shtoi:

“Meqë ra fjala, këta janë sytë e mi. Kjo jam unë pa qerpikë artificialë dhe pa eyeliner. Mos u trembni. E di që nuk duhet t’i jap askujt shpjegime, por mendoj se nëse tregohem e hapur dhe e ndjeshme për këtë temë, mund të dalë diçka e mirë. Ka shumë mënyra për të qenë i bukur dhe shumë mënyra për të qenë i shëndetshëm. Nuk e dini kurrë se çfarë po kalon një person. Prandaj, tregohuni të sjellshëm me të tjerët dhe me veten tuaj.”/Corriere Della Sera