'Nuk jemi fasonë', Eni Vasili letër të hapur Ramës: Më lejo të ftoj njerëz në studio, e kam të madhe sa Parlamenti

'Nuk jemi fasonë', Eni Vasili letër të hapur Ramës: Më lejo të ftoj njerëz në studio, e kam të madhe sa Parlamenti

Moderatorja Eni Vasili i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon  ta lejojë të ftojë më shumë njerëz në studio, pasi publiku i kërkon të dëgjojë debate.

Letra e Eni Vasilit

Letër e hapur drejtuar Kryeministrit Edi Rama

Jeto dhe fol i lirë!

Nga Eni Vasili

I nderuar zoti Kryeministër! Të hënën e ardhshme bëhen plot 9 javë nga 9 marsi, dita kur në Shqipëri u zbuluan dy rastet e para me Covid-19. Këto 9 javë të gjata sa 9 muaj, gjeneruan realitete të rëja për shumëkënd nga ne, realitete prej të cilave ndoshta nuk do shpëtojmë për një kohë të gjatë.

Nuk do ndahemi dot shpejt nga frika se një gjest i shpenguar mund të na sëmurë apo se një përqafim mund te jetë një mallkim. Në këto 50 ditë e më shumë, mësuam të sakrifikojmë ndryshe, të mos i trembemi frikës tonë e t’i mbijetojmë pasigurisë.

Falenderimet dhe përulja e plotë, nuk do mjaftojë asnjëherë për mjekët, infermierët, sanitarët dhe forcat e rendit, por këto javë të jashtëzakonshme eksperience njerëzore të betejës për jetën, nuk do ishin fituar pa mediat dhe studiot televizive, të cilat i bënë bashkë të gjithë në ditët më të errëta, ku vdekja dhe terrori prej saj, bënin hije mbi kokat tona.

Së bashku mësuam nga e para si të lajmë duart, si të teshtijmë, por mbi të gjitha si t’i japim forcë njëri tjetrit. Këtë e bënë qindra shqiptarë të jashtëzakonshëm, mjekë por jo vetëm, anembanë botës të cilët vrapuan në dritaret mbi “banaqe”, të ndanin informacion, eksperiencë dhe solidaritet. E bënë doktorët e infektivit që na shpjeguan me durim gjithçka dinin e mësonin dhe ata vetë ditë pas dite, e bënë ata gazetarë që nuk u tërhoqën në skuta të ngrohta shtëpish, por qëndruan në detyrë plot dinjitet dhe shqetësim për veten dhe të tjerët.

E ndërsa ekonomia po rihapet e lëvizja po liberalizohet, mbajtja në izolim e studiove televizive, nuk i shërben më askujt. Një gazetar në studio është njësoj i rrezikuar me një apo me tre persona prezentë aty. Mua personalisht do të kishte mjaftuar për të më infektuar mjeku Roland Xhaxho i cili sigurisht nuk e dinte që ishte i virusuar kur erdhi në Open. Fakti tregoi që doktor Xhaxho nuk na infektoi, as mua dhe as stafin e Open i cili pati kontakte me të ato ditë.

Studiot janë hapësira të mëdha të cilat ia kalojnë çdo supermarketi ku gëlojnë njerëzit, janë po aq të mëdha në metra katrorë sa një fasoneri, me ndryshimin e vetëm se brenda nuk ka më shumë se 5 -6 njerëz dhe jo 600. Madje studio e Open është thuajse po aq e madhe sa salla e Parlamentit!

Nuk është një kërkesë luksi dhe as një shkujdesje, sepse jam e përgjegjshme për rreziqet për veten dhe të tjerët. Por shërbimi që mund t’i bëjmë opinionit dhe debatit publik duke rifilluar jetën normale në studio, është më i madh se preokupimi për veten. Teknologjia na ndihmoi në kohën e emergjencës, por vështirësitë e lidhjeve me internet, e kanë lodhur me të drejtë teleshikuesin.

Dritaret e vogla te skype ose zoom, jo gjithmonë arrijnë teknikisht të përcjellin mesazhin tek teleshikuesit dhe koha e përqendrimit shkurtohet gjithmonë e më shumë. Publikut duhet t’i kthehet e drejta e debatit publik dhe studiove televizive duhet tu kthehet liria! #jetodhefolilir”

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • rezi: 02/05/2020 18:06

    Në fakt i jemi shmangur propogandës tënde moj gazetare, dhe nuk mendoj aspak se publiku do të dëgjojë më, sikur të na kursenit të ndiqnim stacionin ku ti bën këtë emision politik, duke na dhënë koncerte të kaluara ose programe që të jepnin shpresë, por jo...ju me maratona politike dhe ti që kërkoje gjilpërën kashtë, e ne zgjidhnim një stacion tjetër që nuk zhgënjente. Shumë humbje pati Italia, por mbrëmjeve ushqente popullin e saj me shpresë duke shfaqur koncerte të artistëve më në zë të Italisë dhe botës. Ndërsa ju? Të vetmet herë që mund të kemi kthyer kanalin nga ti ka qënë kur ke bërë dialog me kryeministrin, por kur dëgjonim pyetjet tua i kërkonim kryeministrit (falë komunikimit që ai ka direkt me njerëzit), aman mos na shko tek Eni se na lodhi kokën me pyetje që u përgjigjet vetë. Prandaj jam e bindur se publiku nuk ka dëshirë të shohë debate pa bukë, vetëm në Shqipëri kanalet private kanë për natë emisione politike. Dhe akuzoni kohën e para 90-ës, jo atëherë kishim muzikë, programe të ndryshme, filma që mund të shiheshin nga e gjithë familja. Gjithë bota i zhvillon programet nëpërmjet interentit, edhe në Suedi që s'ka karantinën e Shqipërisë. Arsyeja që ti do mysafirë në studio, s'ka lidhje me internetin, ka lidhje me atë që ti s'i ndërpret dot e ata llafazanët që fton ti nuk arrijnë të bllokojnë me llogje personin që ftohet për të bërë intervistë, pra nuk mund të bëjnë provokacione me qëllim që emisioni të marrë drejtimin që dëshiron ti dhe të ftuarit e tu. Nuk ka vlerë më emisioni yt dhe PIKË. Pastaj pse Kryeministri duhet të përgjigjet? Janë ekspertët që vendosin kur do fillojë hapja.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha