Konfirmimi ka ardhur përmes Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, por edhe nga vetë shqiptarët të cilët në këto ditë shtatori kanë zgjedhur të vizitojnë Mekën, e cila për fenë islame është një nga 5 shtyllat e detyrueshme që çdo besimtarë i cili ka mundësi financiare dhe fizike duhet ta kryejë të paktën njëherë në jetë.
Një grup prej rreth 400 shqiptarësh, sikurse kanë ndodhur dhe në vitet e tjera, kanë shkuar për pelegrinazh në Mekë, ose siç njihet në terminologjinë islame Haxh.
Ata udhëhiqen nga kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Skënder Bruçaj, ndërsa në mesin e tyre është edhe ish-kreu i Komitetit Shtetëror të Kulteve Ilir Hoxholli i cili ka dhënë lajmin e mirë për Shqiptarja.com se asnjë nga besimtarët tanë nuk është lënduar. Ai thotë se shqiptarët nuk janë përshirë në incidente në asnjë nga ritualet e shumta që përmban Haxhi, pasi kanë respektuar oraret e caktuara nga organizatorët dhe kanë shmangur kështu dyndjen e njerëzve. Për shkak se pelegrinazhit i bashkohen më shumë se 2 milionë besimtarë nga e gjithë bota, shqiptarët kanë mësuar për tragjedinë vetëm përmes medias. Hoxholli thotë për Shqiptarja.com se ritet e tjera fetare vijojnë normalisht.
“Uroj të gjithë shqiptarët Gëzuar Bajramin, këtë festë të madhe mbarëshqiptare. Shqiptarët janë të gjithë të pa rrezikuar nga kjo tragjedi. Në të tilla raste kur flasim për miliona njerëz nganjëherë gjërat nuk shkojnë siç duhet. Kishim vite që nuk dëgjonim më Mekën për lajmë të tilla duke marrë parasysh investimet që janë bërë. Shqiptarët po futeshin në katin e tretë, ndërsa tragjedia ka ndodhur në vendin e parë, ka dashur zoti që shqiptarët të ishin të ruajtur nga kjo pikë. Shqiptarët respektuan oraret dhe vendet e përcaktuara duke shmangur dyndjen. Ajo që mendoj se nuk u respektua është mosmenaxhimi i orareve. Një nga arsyet që nuk kemi dëgjuar për të tilla tragjedi është falë investimit të Mbretërisë arabe. Mos të harrojmë temperaturat shumë të larta, moshën... Ritet vazhdojnë nuk ka asnjë lloj ndërprerje”, u shpreh Hoxholli.
Ish-kreu i Komitetit Shteteror te Kulteve Ilir Hoxholli dhe kreu i Komunitetit Mysliman Skender Brucaj
Ndërkohë Ministria e Jashtme Shqiptare publikoi një numër telefoni i cili eshte vene në dispozicion të të gjithë shqiptarëve që ndodhen në Mekë për haxh. Përmes numrit +966 50 190 5586 kushdo që ndihet në rrezik mund të kontaktojë me ambasadën shqiptare në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
“Ndjejmë thellësisht keqardhje për ngjarjen e sotme. Mendimet dhe lutjet tona janë për dhe me viktimat dhe familjet e tyre. Një shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, shkruhet në faqen zyrtare në Tëitter të Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Edhe imami i Xhamisë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës Ahmed Kalaja i cili ndodhet për haxh, thotë se të gjithë shqiptarët janë mirë. Ai e ka dhënë këtë lajm të gëzueshëm për të gjtihë shqiptarët në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook ku ka postuar edhe një video-mesazh me urimin për festën e Kurban Bajrami.
“Njoftim për gjithë të interesuarit; Asnjë haxhi shqiptar i lënduar nga ngjarja e sotme. Elhamdulilah. Zoti i Madhëruar mëshiroji e fali të lenduarit e ngjalli me telbijeh të vdekurit e tyre. Faleminderit të gjithë të interesuarve”, shkruan Kalaja.
Pjesë e Haxhit është kryerja e ritualit në malin e Arafatit, vendin ku u takua profeti Adem me Havanë, (Eva dhe Adami sipas fesë së krishterë) madje është edhe vendi ku kanë shkelur të gjithë profetët e tjerë që u shpallën për të përhapur fjalën e Zotit tek njerëzimi.
Këtë ritual kanë mundur ta kryejnë gjatë ditës së mërkurë edhe shqiptarët. Zëvendës Myftiu i Tiranës Bilal Teqja ka njoftuar përmes profilit të tij në Facebook se: Dje në Arafat ju përgjeruam Zotit për falje dhe i paraqitëm pendim për çdo të keqe të shkuar, duke i premtuar se nuk do kthehemi më tek e keqja dhe se nuk do ta pasojmë djallin e mallkuar”.
Rituali ne Malin Arafat
Po ashtu ai bën të ditur se ka arritur të kryejë edhe ritualin e gjuajtjes me gurë në vendin simbol të djallit, shumë pranë rrugës ku ndodhi tragjedia me qindra jetë të humbura. “Sot gjuajtëm shejtanin shtatë herë për ta ndarë nga jeta jonë pergjithnje. Zot na fal dhe na ruaj nga e keqja e shejtanit”, shkruan zv/Myftiru i Tiranës.
Po ashtu, lajmi i mirë ka ardhur edhe për bisimtarët shqiptarë të Kosovës. Ahmet Sadriu ka konfirmuar për Anadoly Agency se asnjë kosovar nuk është i lënduar nga rrëmuja dhe shtypjet mes njerëzve në Mina, rreth 5 kilometra larg Mekës.
Mina është vendi ku pelegrinët qëllojnë me gurë të vegjël nga shtatë kolonat prej guri në vendin që simbolizon djallin të cilin e kundërshtoi profeti Ibrahim.
Tragjedia ndodhi gjatë një ikje të rrëmujshme të besimtarëve drejt urës Jamarat, në një rrugë mes kampeve të qindra pelegrinëve. Mediat ndërkombëtarë sqarojnë se tragjedia me të paktën 717 viktima dhe rreth 900 të plagosur nuk ndodhi gjatë ritualit të qëllimit me gurë, të cilin besimtarët mundën ta kryejnë me sukses.
Guri qe simbolizon djallin ku sipas ritualit besitmaret duhet ta qellojne 7 here me gure te vegjel
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)