Pas mesit të gushtit kur u përball me valën e katërt të të nxehtit me temperatura deri në 45 gradë celcius, Italia pritet të kalojë një tjetër periudhë mbi 2 javore me temperatura jashtë normales.

La Repubblica citon ekspertë të ilmeteo.it që konfirmojnë se në horizont po shfaqet edhe vala e gjashtë e të nxehtit afrikan.

Përpara se furra e re e të nxehtit të ndizet, do të regjistrohen disa ditë me paqëndrueshmëri kryesisht në zonat malore, që do të sjellin pak lehtësim, por kjo do të jetë vetëm një pauzë.

Nga e enjtja, situata do të ndryshojë për të gjithë. E famshmja “Heat Dome” kupola e nxehtësisë, e cila shtyp ajrin përvëlues drejt sipërfaqes së tokës do të fillojë të forcohet sërish, duke dominuar një pjesë të madhe të kontinentit europian.

Masa subtropikale e ajrit të nxehtë do të zgjerohet deri në Gjermani, duke sjellë temperatura anormalisht të larta edhe në Zvicër, Francë dhe Austri.

Itali, deri në fundjavë, temperaturat pritet të ngjiten deri në 8 gradë mbi mesataren e periudhës thotë La Repubblica. Anomalia do të prekë fuqishëm edhe Veriun me Milanon ku parashikohen temperatura deri në 36°C, një vlerë që, nëse konfirmohet, do të thyente rekordin historik për muajin shtator.

Vjeshta ndërkohë do të nisë zyrtarisht të mërkurën, më 23 shtator dhe deri atëherë, gazeta italiane thotë se nuk mbetet veçse të shpresojmë që netët, të cilat fizikisht do të bëhen gjithnjë e më të gjata të arrijnë të shpërndajnë sadopak nga kjo nxehtësi e pafund, duke sjellë pak lehtësi dhe mundësi për normalitet.