TIRANË - Kryeministri Edi Rama e ka quajtur anti KÇK-në, paketën më agresive ligjore ndaj krimit të organizuar. Në përgjigje të akuzave të ardhura nga opozita joparlamentare se kjo stukturë policore do të dublojë SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, Rama tha se Operacioni Forca e Ligjit (OFL) plotëson këto institucione të zbatimit të ligjit.

"Pres shumë më tepër reagime idiotike ndaj paketës më agresive ligjore, që një qeveri ka formuluar ndonjëherë në këta 30 vjet, kundër krimit të organizuar dhe aleatëve të tij në sistemin e vjetër e të korruptuar të drejtësisë! S’kemi dëgjuar gjë akoma, po ama s’kanë parë gjë akoma!

Operacioni Forca e Ligjit (OFL) as nuk dublon, as nuk pengon, as nuk anashkalon institucionet që po lindin nga Reforma në Drejtësi, po është  komplementar me to dhe do t’i bëjë një shërbim të madh shoqërisë, në këtë fazë tranzitore të sistemit të drejtësisë! Kaq për momentin", shkruan Rama në rrjetet sociale.