Është e jashtëzakonshme që një popull si ne vazhdojmë të mbajmë gjallë e të ushqejmë dhunën sistematike të prodhuar historikisht si metodë nga politikani Sali Berisha. Për të qenë më të saktë dhe më të drejtë jo NE, por disa pak mes nesh. Janë pak në gazetari, pak në politikë, pak në drejtësi, pak në shoqërinë civile, që ushqejnë përditë teknikat më të dhunshme që janë parë ndonjëherë me këtë egërsi dhe sistematikë në gjithë Ballkanin perëndimor të një politikani ndaj popullit të tij, institucioneve dhe njerëzve të tij.

Është fakt që Sali Berisha është lavdonjës deri në neveri për servilët dhe ata që kurrë dhe kurrë nuk e kundërshtojnë: qofshin gazetarë, politikanë, njerëz të drejtësisë, biznesmenë. Si një stalinist i përsosur dhe i përkushtuar ai di të japë çdo gjë për një mbështetës të nënshtruar ndaj tij.

Është fakt që Sali Berisha është i egër më shumë se çdo bishë politike me ata që e kundërshtojnë, ja rendisin faktet, ja përmendin krimet, ja kujtojnë vrasjet, ja numërojnë pasuritë. Pikërisht kjo natyrë primitive e gjakatare e tij ka bërë që shumë ta ulin kokën dhe të përulen e të tjerë t’i qëndrojnë përballë duke marrë përsipër riskun të bëhen pis prej tij. Dhe nuk është një risk i vogël kush shikon se ç’bën Sali Berisha për një gazetar që e kundërshton, për një gjykatës apo prokuror që e heton, për një ambasador që e veçon, për një politikan që nuk e toleron, për një biznesmen që tentakulat e tij mediatike nuk i ushqen.

Që i gjithë Shteti, e gjithë shoqëria civile, të gjithë gazetarët, të gjithë politikanët, i gjithë trupi diplomatik në Tiranë, të struken, të përgatisin mbrojtjet prej çeliku, të zhvendosin mjete e uniforma, të lajmërojnë qytetarë të huaj për kujdes, në pritje se çfarë gjurmësh djegieje dhe dhune do të lërë në kryeqytet përbindëshi politik Sali Berisha, është një turp për të gjithë. Dhe kjo dhunë e djegie sistematike përse? Për të denoncuar korrupsionin? Asfare! Për të ndihmuar më të brishtët e shoqërisë? As të mos na shkojë nëpër mend! Të mbrojë interesa kombëtare? As nuk i ka parë në ëndërr! E gjitha kjo dhunë vetëm e vetëm për të sjellë në pushtet njërëzit e vet të drejtësisë, doganierët, tatimorët dhe atë shëmtirë të shtetit të bastarduar dhe të paaftë që ka qenë përherë në gjendje të krijojë vetë ai.

Eshtë për të qeshur e për të qarë kur dikush gjen e skandalizohet në bulevard me një kapsollë lotësjellësish të skaduar, kur me dorën tjetër fsheh kapsollat që shpërthyen në Gërdec dhe që vranë me 21 janar. Ato kapsolla kurrë nuk i ka treguar.

Nuk mbulohet masakra e pushtetit të Sali Berishës me lotët e specin djegës të Shkëlzenit gjatë sulmeve të dhunshme.