Nuk kanë fund rrjedhjet e rëndësishme nga radhët e LSI kur janë edhe pak muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Ish-drejtori i portit të Durrësit dhe ish-drejtori i Aviacionit Civil, Aleksandër Lipivani ka vendosur të largohet nga LSI dhe t'i bashkohet Partisë Socialiste. Pas shumë rrjedhjesh në LSI-në e Tiranës dhe në qytete të tjera, edhe zoti Lipivani ka vendosur të bashkëngjitet me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.

Kujtojmë se pak ditë më parë, figura qendrore e LSI në Qarkun e Beratit, ish ministri i drejtësisë Nasip Naço ka deklaruar hapur se do t'i bashkohet Partisë Socialiste. Naço u shpreh për mediat nga Berati se u largua nga LSI, pasi vendi nuk ka më nevojë për eksperimente politike dhe vasal të tjetrit, por për punë dhe zhvillim të vendit ku njerëzit të ndihen të përfaqësuar dhe këtë Naço e shikon se mund të vijë vetëm me të majtën progresiste, PS-në.