TIRANE- Shoqata shqiptare e Bankave njofton se sipas burimeve të saj, ende të paaudituara, në fund të muajit gusht 2012, sasia e kredive me probleme krahasuar me totalin e kredive ka arritur në 22.4 për qind. Kjo shifër ishte në nivelin e 21.5 përqindëve një muaj më parë. Në fund të vitit të kaluar kreditë e këqia ishin 18.8 për qind, ndërkohë që ishin vetëm 10,5 për qind në fund të 2009-ës.

Rritja shumë e shpejtë e kredive me probleme ka ardhur si pasojë e bllokimit të ekonomisë nga rënia e konsumit vendas, rënia e kërkesës nga importi, si dhe fakti që qeveria shqiptare prej vitesh po vonon pagesat për fatura të mëdha të kontraktorëve, që kanë kryer punime në infrastrukturë. Çështjen e fundit e ka ngritur, në raportin e vet përfundimtar, edhe misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit “niveli në rritje i kredive të këqia përbën shqetësim dhe kërkon një veprim të shpejtë.

Ato janë kryesisht në sektorët tregtisë, ndërtimit dhe industrisë përpunuese, janë rritur me ritme më të shpejta se në vende të tjera të rajonit, kryesisht si pasojë e ngadalësimit ekonomik, mospagesës nga qeveria për faturat e kontraktorëve dhe vonesave të vazhdueshme në ekzekutimin e kolateraleve”.
(sg/shqiptarja.com)